Nga Bujar Leskaj
Sot, datë 17 mars 2025 në Kuvend:
Fjala-mirënjohje në Kuvend kushtuar dy personaliteteve të qytetit të Vlorës, Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, për botimin “Fjalori Enciklopedik i Vlorës”, dhe studiuesit të historisë së nacionalizmit shqiptar z.Enver Memishaj Lepenica, për botimin-studim monografik kushtuar Avokatit Skënder Muço:
Në këtë seancë të fundit të këtij Kuvendi, unë dëshiroj të përcjellë një mirënjohje të veçantë për dy personalitete, studiues të historisë së qytetit të Vlorës dhe jo vetëm, me dy botime të tyre të vitit 2024, të cilat janë nga botimet më të mira të përcjella në Qarkun e Vlorës.
Prof.Dr.Bardhosh Gaçe dhe Studiuesi i apasionuar i historisë Enver Memishaj, shënuan emrin e tyre në kulturën kombëtare të Shqipërisë.
Profesor Bardhosh Gaçe përfundoi një punë voluminoze të nisur në vitin 1987, duke hartuar “Fjalorin Enciklopedik të Vlorës”.
Fjalori Enciklopedik i Vlorës, një material poliedrik, kuptohet siç është natyra e fjalorëve të tillë, me 1100 faqe është një pasqyrë e gjallë, e plotë e traditës kulturore, zakonore historike të Vlorës, duke e paraqitur kurdoherë këtë visar të Vlorës si pjesë përbërëse të kulturës, historisë së gjithë popullit shqiptar.
Në këtë Enciklopedi përshkruhet jeta materiale e shpirtërore e banorëve qysh nga kohët e lashta deri në ditët e sotme.
Lënda e këtij Fjalori Enciklopedik për Vlorën është parë në reflektim të thellë të ngjarjeve politike, historike e shoqërore të Vlorës, ngjarje në të cilat Vlora ka vënë vulën e vetë në histori, duke pasur si kriter pasqyrimin me fakte dhe paanësi të së vërtetës, fenomeneve dhe proceseve të jetës dhe luftës për liri dhe pavarësi.
Në mjaft nga këto zërat e Enciklopedisë jepen gjurmët e vendbanimeve, lashtësia e qytetërimi në bashkësitë ilire të kësaj treve. U shtohen këtyre zërave edhe ato zëra që përshkrojnë pasuritë minerale e natyrore, monumentet kulturore e historike, aspektet më të rëndësishme për fatet historike e shoqërore, jetesa tradicionale, bota e pasur shpirtërore e artistike zhvilluar në Vlorë, zhvillimet ekonomike e sociale, organizimi shoqëror e shtetëror ndër vite, si dhe përpjekjet për arsimin shqip, zhvillimet në muzik e letërsi, arte kulturë, sporte, objektet e arkitekturës, botime të ndryshme, partitë politike, etj.
Mjaft zëra për zhvillimet ekonomike, ato të zejtarisë, të industrisë, bujqësisë, blegtorisë, etj.
Enciklopedia ka një karakter e informacion mjaft të gjerë, të dhëna dhe statistika, nxjerrë nga arkivat e Ankarasë, të Stambollit, Napolit, Venedikut, Romës, Londrës, Vjenës, si dhe botime të vendit tonë dhe ato të huaja. Arkivat në këto vende, në të cilat studiuesi, Profesori i mirënjohur Bardhosh Gaçe ka qëmtuar si një bletë punëtore, punëtor i palodhur i mendjes, duke plotësuar një porosi që ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave Profesor Aleks Buda përcolli në vitin 1987 kur u përcoll në Shqipëri “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Profesori Aleks Buda kërkoi që fjalorë të tillë enciklopedikë të përcillen për të gjitha qytetet e Shqipërisë, për Korçën, Shkodrën, Vlorën, Tropojën, Durrësin, dhe më gjerë.
Në këtë mënyrë, Profesor Gaçe realizon një detyrë të madhe qytetare, detyrë kulturore dhe historike për rrethin e Vlorës.