Vasil Kokali, me origjinë nga fshati Aliko i Sarandës, ishte vetëm 21 vjeç, kur e internuan në vitin 1946 dhe ai jetoi në internim, deri në 1991-shin, duke provuar kampet me tela me gjemba, ushqimin e kazanit dhe punën e rëndë, që i ofroi për gati gjysëm shekulli me radhë, regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Dëshminë e Vasil Kokalit, që i kaloi të gjitha vitet e diktaturës në burg (6 vjet) dhe në internim (40 vjet), po e publikojmë më poshtë në këtë shkrim, që është marrë nga arkivi i familjes Doko

Dëshmia e plotë e Vasil Kokalit
“Unë kam lindur në vitin 1924 në fshatin Aliko të Sarandës dhe familja ime ka qenë një familje e mesme. Kishim blegtori, merreshim me tregti. Gjashtë muajsh kam qenë kur jam larguar, sepse babai kishte filluar punë si tregtar në Sarandë dhe na tërhoqi si familje. Pastaj, gjatë Luftës, në vitin 1941, u larguam nga Saranda, nga frika e bombardimeve dhe shkuam në fshat. Atje, filluam punën e bujqësisë, mirëpo në vitin 1943, kur filluan çetat partizane, i bënë thirrje babait tim, të merrte pjesë në këto.
Më tepër bënin propagandë për komunizmin, sesa për Luftën Nacionalçlirimtare. Na thoshin që; do hani me lugë floriri. Në të vërtetë, ne nuk donim të hanim me lugë floriri, donim atë lugën që kishim. Kjo ka qenë arsyeja që na kanë internuar. Meqë nuk e përqafuam atë ideologji, u kategorizuam si familje që kishte qenë kundër komunizmit. Në vitin ’43, kur gjermanët donin të kalonin në Shqipëri, babai ka thënë: Lërini të kalojnë, se ata kanë ardhur të kalojnë, nuk kanë ardhur të na pushtojnë’.
Çfarë ndodhi pas vendosjes së regjimit komunist me ju dhe familjen tuaj?
Ne gjithmonë shiheshim si armiq kundër pushtetit, kështu që na kanë keqpërdorur. Kur gjermanët kanë dashur të kalonin, e quajtën babanë si kolaboracionist dhe si Kolona e 5-të dhe kështu që e dënuan me vdekje. Babai u detyrua të ikte, sepse nuk kishte pse rrinte më këtu dhe pasi u arratis babai, ne na internuan. Na çuan në qytetin e Krujës.
Në cilin vit ju internuan?
Që në 1945-ën. Por para se të na internonin, na morën krejt pasurinë. Kishim nja 100 krerë lopë, i kishim në Kakome të Nivicës, atje shkuan na i sekuestruan, edhe depon e drithit na e kanë hapur dhe ne sigurisht që ishim të pakënaqur, përderisa na u bë kjo e padrejtë. Në atë kohë, na kanë internuar. Madje nuk na lanë të merrnim asnjë gjë nga shtëpia, vetëm rrobat që kishim veshur. Kur kemi shkuar në Krujë, s’kemi pasur as lugë që të hanim, kemi ngrënë me lugë druri.
Na kanë mbajtur në Krujë, dy vjet, me 600 gramë bukë misri, ajo ka qenë dhe gjella, edhe me punë të detyruar. Na kanë mbajtur atje me 600 gramë bukë misri, absolutisht asgjë tjetër…! Unë nuk e di si mendonin këta njerëz: si jetonim ne, me 600 gramë bukë misri, pa gjellë, pa kurrgjë…?! Si përfundim, në 1947-ën, ka qenë muaji korrik, kur na hoqën nga Kruja. Na transferuan, na ndanë.
Ku ju dërguan pas Krujës?
Një pjesë e dërguan në fermën e Sukthit, në sektorin Kullë, Rrushkull, ndërsa ne na çuan në Kashar, ku është Radiostacioni. Atje kanë bërë kontratën me ndërmarrjen Rruga-Ura. Kur shkuam atje, çadrat i gjetëm të ngritura. Të nesërmen në mëngjes, na dhanë kazmën, lopatën, të shqepnim asfaltin që ishte më i fortë se betoni.
Pasi mbarojnë punimet atje, shkojmë në Katër Rrugët e Shijakut. Atje takojmë disa të internuar, që kishin ardhur nga kampi i Beratit. Ata punonin nga Katër Rrugët e Shijakut, deri në Rrushbull, ndërsa ne, nga Katër Rrugët e Shijakut, deri në Kashar, domethënë kishim dy sektorë. Si përfundim, si mbaruan punimet atje, na prunë në Valias.
Si ishin kushtet e jetesës në kampin e Valiasit?
Në Valias, s’kishte absolutisht asgjë. Dy shtëpi të vjetra ishin, me stallat e katundarëve. I kishin hequr dhe katundarët se u bë fermë, nuk e dinim se ku i kishin çuar dhe në ato shtëpi të shkatërruara, jetonim ne. Balta ishte deri në gju, punonim duke bërë gropa, duke transportuar pleh që nga Xhafzotaj, natën me ato zetora, binte shi a s’binte shi…! Na përgatisnin dhe ushqim me ato lakrat e qepët që kutërbonte era, 500 m larg. Pa vaj, pa kurrgjë. Atje kaluam nja dy vjet. Pas dy vitesh, na transferojnë…!
Ku ju çuan?
Na ndajnë prapë nga familja dhe na çojnë në Lozhan të Korçës. Para se të na çonin në Lozhan, na mbajtën 17 ditë në qiell të hapur, pa kurrgjë. Atje, si përfundim, kanë ikur nja 9 veta, u arratisën, dolën jashtë kufirit, në Greqi. Një prej atyre Bajraktarëve, quhej Nikollë Gjoni, djemtë e Cen Elezit, Esat Dine, atë e vranë në kufi, një e kapën andej nga Puka, një Selim, nuk më kujtohet mbiemri.
Na shtrënguan shumë…! Pas 17 ditësh, me ato rraqet tona, që kishim nëpër këmbë, kalojmë Grabovën A, Grabovën B, Strelcë, Nikollarë, Shën e Premte…! Pas tri ditësh, të rraskapitur e të lodhur, kemi mbërritur në Lozhan të Korçës, fusha e Maliqit. Kemi ngrënë hardhi të egra nga uria. Katër ditë kemi qenë të shtrirë, se ishte rrëzuar një makinë me ushqime, pas katër ditësh, vjen një makinë tjetër dhe vënë ato kazanët, që morëm atë racionin e gjellës.
Çfarë punësh bënit atje?
Kishim një punë të rëndë, kemi hapur rrugë në Lozhan. Puna ishte e vështirë, kush nuk realizonte normën, futej në ujë deri në brez edhe janë rrahur njerëzit, të rrallë ishin ata që kanë shpëtuar. Është rrahur një Nikollë Biçuni dhe një Xhorxhi, çam ishte ai nga Gumenica…! Vetëm kur u plasi gjaku nga goja që i la ai togeri që i ka shqepur në hu. Atje, kanë prurë nja 80 çamë, për arsye se nuk kishin dëgjuar të shkonin të bashkoheshin me forcat e EAM-it, të luftonin kundër ushtrisë mbretërore edhe i prunë atje te ne.
Ata më së fundi bënin të njëjta punë siç bënim ne, por një ditë, vjen një oficer, Zoi Themeli…! Unë po punoja. Vjen ai “ZIS”-i, ndalet atje, më thotë mua: “Çfarë je ti: i internuar apo nga këta çamët?”. “Jo, – thashë, – i internuar jam”. – “Ku është ai oficeri që është përgjegjësi i këtyre”? – “Atje, te ajo çadra”. Ai dëgjoi. U përshëndetën me të. – “T’i kam liruar çamët”, i thotë atij. Unë e dëgjova.
Thashë: “Ata i liroi, ndoshta dhe ne ikëm një ditë”. Ishim lodhur, ishim rraskapitur me atë punë. Unë kisha një shok të ngushtë çam, edhe i them: “Kam dëgjuar për lirime, por mos i thuaj njeriu, se po ta marrë vesh togeri, mua do më shqepë në hu”. – “Jo, nuk i them njeriu”. Por ky e hapi dhe u përhap që; “jemi liruar”, “jemi liruar” dhe u bë një si punë greve…! Edhe e mori vesh togeri: “Kush ju tha”?!
Edhe filloi t’i rrihte çamët, por ai çami nuk e dha emrin tim. Mbas pak ne na transferuan. Kush e di si e pa të arsyeshme Ministria e Brendshme, dhe mua e gjashtë shokë të tjerë që ishim të kampit të Veriut, na bashkojnë me kampin e Tepelenës. Nga Lozhani na transferojnë në Porto-Palermo. Gjatë rrugës na zë një shi. Atë natë fjetëm në Elbasan. Të nesërmen, shkuam në Porto-Palermo në 10.00 të natës. Atje fjetëm në një kishë aty afër. Në mëngjes, na prunë në kala.
Si jetuat brenda kalasë së Porto-Palermos?
Kalanë e Porto-Palermos është domethënë…me e pa nga jashtë, të zë tmerri, jo të futesh brenda. Ajo, ishte domethënë…! Nuk e di sesi…çfarë mendonin këta njerëz. Nuk e di çfarë mendonin. Nuk kishin gjynah për ata fëmijë që ishin, kishte gra, fëmijë, plaka, pleq…! Të ardhur nga Tepelena një pjesë. I kishin ndarë burrin nga gruaja, gratë nga fëmija, kishin prurë familjet më të mira, familjet më të dëgjuara: të Gjon Markagjonit, të Mirakajve, të Cen Elezit, të Muharrem Bajraktarit…!
Atje, i kishim shumë të vështira konditat. Kemi pirë ujë të kripur. Edhe për të larë, nuk laheshim. Këta të komandës, kishin gjetur burimet, kishin një mushkë dhe e mbushnin ujin nga burimi. Fati ynë që ikëm që andej, ka qenë një anije italiane, ajo ishte ngarkuar me dërrasa dhe shkonte në Greqi.
E zuri dallga natën dhe u fut në atë si ujdhesë, kështu që të nesërmen në mëngjes, kur panë atë anije, u tmerruan. Erdhën na panë, ishim a nuk ishim. Lajmëruan Vlorën menjëherë dhe nga Vlora sollën makinat sovjetike, “ZIS”. Ato erdhën, na ngarkuan dhe na shpunë në Tepelenë. Kemi vuajtur të zinjtë e ullirit atje në Porto-Palermo. Njerëzit janë qorruar nga sytë. Nuk shihnin, nga mungesa e ushqimit. 400 gram bukë thekër, edhe pesë kokrra grosh, ajo ka qenë menyja jonë.
Unë njihja një polic që ishte nga Qeparoi, një Zaho Dede, ka qenë djalë i mirë. Kishte besim te unë, se unë kisha motrën të martuar atje dhe e dinte se kush isha dhe më thotë: “Mjerë ti”. Pse?-i thashë unë. “Se Porto-Palermo, është kamp që hyn e nuk del”. Mirëpo atje kishin prurë dhe shumë të burgosur, që liroheshin nga burgu, si Viktor Dostin e, këtë Bardh Kupin e, dy oficerë që ishin këtu nga Tirana, oficerë të Ministrisë edhe kulakë, atje i kishin prurë.
Si ishin kushtet në Tepelenë, krahasuar me Porto-Palermon?
Tani, me thënë të drejtën, ne kujtuam se shpëtuam nga shiu, por ramë në një breshër, po çfarë breshëri, breshër kokëmadh! S’kishim absolutisht asnjë të drejtë. Na iku jeta në kampe, u rritëm dhe u plakëm në kamp. Atje, puna ishte shumë e rëndë.
Plus që ishte e rëndë, ngarkoheshim me dru, 7 km. larg nga Turhani, por edhe ata që ishin si familje, që ishin për shembull dy djem të rinj, i çonin në Luzat, disa në Bënçë, larg nga kampi dhe shkonim të shtunë në darkë dhe ktheheshim prapë të shtunë në darkë. Ajo punë ka qenë shumë e rëndë. Nga rrokullisja e trarëve, e gurëve, që i hidhnim kështu, se s’kishim si i hidhnim, nuk kishte javë pa të plagosur. Ishte tmerr.
Çfarë episodesh ju kanë mbetur në mendje nga Tepelena?
Ata që ishin në Luzat, në një kasolle jetonin. Edhe lageshin, por ndiznin zjarr të shkretët, për t’u ngrohur. Një komshi, se ishte afër katundit kjo kasollja, kishte therrur një dhi dhe ua fali ato të përbrendshmet. Këta nga uria, hanin edhe thundrat, jo më…! Edhe i lanë këto, i futën në një tenxhere dhe i vunë në një zjarr. Mirëpo mbi zjarr, kishin vënë çorape dhe ato çorapet ranë në tenxhere.
Kur hoqën tenxheren këta, panë çorapet dhe e kuptuan që kishin rënë, por ata nuk pyetën që kishin rënë çorapet e palara, por e hëngrën. Nga uria, çfarë nuk mund të bëjë njeriu…! Edhe një rast tjetër, atje në Luzat. Kapteri që na shoqëronte, se ishin këta të Ministrisë së Brendshme, ka qenë batalioni i Ndjekjes në Tepelenë, edhe vinte shpeshherë kapteri në atë dhomë.
Në atë dhomë, jetonim 20 burra. Kishim një zjarr atje, që mund të gatuanim ndonjë send. Edhe njërit nga Dumreja, njerëzit e vet i kishin prurë ca rosnica, edhe po i ziente. Në atë kohë, që ai po ziente ato rosnicat, vjen ai kapteri. Rastësisht. – “Çfarë ere mban kjo”? – thotë. – “Po ziej rosnica, m’i kanë prurë nga shtëpia njerëzit e mi”, i thotë ai. “Po sikur të jap 1 kile makarona, a mund t’i hash rosnicat, kështu duke zier”? –
“Posi”, – thotë ai. Edhe ia filloi. Që unë nuk kisha për ta besuar, kam qenë vetë atje, që e kam parë me sytë e mi. I ka ngrënë rosnicat: gaveta duke zier, ai duke i ngrënë. U habita. U habita sesi ka mundësi që një njeri t’i hajë rosnicat…por nga uria edhe që përfitonte atë kilen e makaronave! Që kujtdo që t’ia thuash, nuk e beson.
Çfarë bëtë më pas?
Si përfundim, do shkonim në kamp për t’u larë. Na vuri përpara ai, tamam si ato dhitë dhe njëri, Veiz Gjolena, nga Elbasani, e kishte zënë barku…! “Kapter, kështu, kështu”, – thotë. – “Bëje aty në shallvare”. Më fal për shprehjen, në shallvare e bëri. Në kamp, na del ai drejtori i kampit, Xhafer Pogaçe, na sheh kështu. “Si shumë të shëndoshë i ke prurë kësaj radhe. Nuk kanë punë këta njerëz”, – tha ai. Merre me mend tani, që ne ishim bërë telef…deshën të na shihnin kështu. Të zezat e ullirit kemi hequr në Tepelenë. Bëmë ca kohë atje, pastaj na transferuan. Memorie.al