HomeOP EDJETA MODERRNE E TIRANËS/Shoqëria aty ka ndryshuar shumë. Aq sa çuditesh

JETA MODERRNE E TIRANËS/Shoqëria aty ka ndryshuar shumë. Aq sa çuditesh

spot_img

Nga Shefqet Meko
JETA MODERRNE E TIRANËS
-Shoqëria aty ka ndryshuar shumë. Aq sa çuditesh-
Tirana të befason me madhështinë e heshtur.Një qytet “marrë peng” nga ndërtesat që i zënë frymën, përsëri mbetet rinor. Britmat “u boshatis atdheu” këtu treten nëpër aromën e kefeneve pafund. Kryeqyteti që na”shtrydhte” nëpër autobuza fizarmonikë, qyteti që na mblidhte në një bibliotekë në qendër,me teatrin pranë dhe estradën në kahun tjetër, ku hidhej balet pranë sheshit “Skënderbej”, është bërë qytet tjetër.Nuk janë ndërtesat e rënda dhe rebele që e dëshmojnë këtë. Është njeriu i lirë i Tiranës që bën “jetën e vet”, pavarësisht britmave mashtruese të politikës, tehet e së cilës janë “thikë pas shpine”e civilizimit real shqiptar.

Shoqëria e Tiranës, është modernizuar. Janë krijuar “grupet e pasioneve” jo ato që sajon pushteti dhe antipushteti, por të mirët pa pushtet, të mençurit, ata që pëlqejnë gjëra të përbashkëta, takohen dhe flasin, bëjnë plane, shënojnë takimet e ardhshme,flasin për libra,udhëtime, takime, të tjerë që duan qejfe pa fund, shëtitësit e liqenit, njerëzit e arteve që mbyllen në apartamente engimë duke pritur momentin të shkelqejë dhe të shpërthejnë… Tirana është ndryshe. Një qytet perëndimor, në tisin e të cilit sikur fashitet kultura,arti, dashuria dhe fantazia e bukur për jetën si fat i secilit.

Vij në Tiranë dhe instiktivisht kërkoj të shëtis.Kujtoj takimet e rastësishme në bulevardin “pushtuar”nga makina-jonjerëz, dhe dua t’i kthej ato kohë të varrosura në tymnaja motorrësh dhe fshikëllima rrota maqinash në ziftin e pllakat e vockëla, që dikur shkormiqeshin nga zinzhirë tankesh në parakalime ushtarake. Sa shumë ka ndryshuar ky vendbanim qëndror i atdheut tim.Nuk takon më kënd rastësisht. Qytetarët e Tiranës kanë “azhenda të zëna”.Ata shpejtojnë për të qënë në kohë në “takimin e telefonuar”. Shoqëria e këtushme, sikur jeton në lloj tik-taku të frikshëm. Njerëzit ecin kokëlulur, shpesh me nxitim. Nuk të shesh kush në sy, si dikur në kohët tona. Takimet e rastësishme, si befasi të qëkurshme të kryeqytetit, kanë marrë arratinë. Të duket sikur janë ngjitur në thepinat e Dajtit, për të mos u kthyer kurrë.

Shoqëria e Tiranës, që përherë ka qënë “më e avancuara”, të duket sikur tashmë ja ka kapërcyer edhe Perëndimit. Njerëzit janë të përfshirë në punët, shqetësimet dhe ëndërrimet e veta. Në kafenetë e shumta, ka po aq takime pune, që edhe pse duket minorancë, janë përsëri punë. Llafet e kafeneve nisin me sy të zgurdulluar nëpër telefona ose me vështrime të ftohta në “qelqet ngjyra-ngjyra” që sjellin vrullshëm lajme të pambarimta.

Në Tiranë nuk të fton kush “për një kafe tek shtëpia”. Për drekë e darkë “në shtëpi”, as bëhet më fjalë. Çdo gjë tashmë ndodh “tej pragut” të secilit. Edhe fejesat në lokale, edhe dasmat e po ashtu edhe ritet “për të vdekurit” që nuk rreshtin përditë…Dua një çast të ndjek ritmin e një jete të vetme, por nuk mundem. Tirana është bërë kozmopolite. Në hotele dëgjon anglisht, italisht, frëngjisht, rusisht…Shqipja shpesh sikur “përgjumet”nëpër sportele.Gati të gjithë dinë të të përgjigjen “jo shqip”…

Tirana ka ndryshuar. Ka ndryshuar njeriu. Ka ndryshuar mendimi dhe psikologjia e banorit të kryeqytetit. Të mençurit rrëmbejnë çastet dhe kohën e kthejnë në fitim dhe kontrata biznesi, ndërkohë që një shumicë mbetet e viktimizuar nga “bombat” që lëshojnë analistë dhe llafollogjistë të paguar. Në këtë plan, kryeqyteti i ëndërrimeve të bukura, sikur ngjason me një grope gjigande ku shuhet gurët gërqelorë me atë kërcitjen karakteristike kërr-kërr.Zbërthehen “ide të pathëna” në ekrane të mëdha dhe dikush habitet deri në dremitjen e vonë të mbrëmjes.

E shijoj ardhjen në Tiranë. Shoh ndryshim. Avionët ulen plot në Rinas dhe po aq plot ngrihen në qiell.Shqipëria është në lëvizje. Shoh një brez të ri që përpiqet të mbetet “ishull perëndimi”, ndërsa jo pak bredhin mbas çastit. Shoh djem dhe vajza të bukura, që flasin qartë, sa shqip aq edhe anlgisht.Veshur bukur, me shije dhe hijeshi…Magjepsem me mrekullinë e përtëritur shqiptare, që sikur është thërmuar në truma njerëzish, që nuk mund të jenë kurrë “ata që ishim ne”. Janë ndryshe…Përpiqem t’i zbërthej, t’i kuptoj qartë, të bëhem pjesë e dialogut shqip, por humb në përfytyrime dhe fantazi të marra…Ku ishte ky brez një njëçerek shekulli më parë, kur unë ikja me dy valixhe plot lotë ? Mbase kam dëshmuar puthjet e para, që lindën një brez të çuditshëm dhe po aq të bukur…Edhe pse propaganda të bën sikur Tirana “ka vetëm pleq”, unë rinohem nga fytyra të bukura dhe të qeshura. Kush nga këta mund të jetë “pjesë e mafies” apo “narkoshtetit?! Pyes me frikë veten. Jo, shumica janë njerëz të mirë. Shumica ëndërron, punon, akoma shpreson. “Ne nuk jemi mafiozë” sikur të thotë çdo fytyrë e bukur. Zhurmëmëdhenjtë bërtasin nëpër publik “nuk bëhet ky vend…” ndërsa politika buçkaritet si një “bushtër rrugaçe” e panderqshme. Ata çirren për vete.Ata shahen që të shahemi ne, por Tirana sikur shpërfill.Brezi i ri e ka mendjen ndryshe…

Po bëhemi.Do bëhemi, por “kurbanet e brezave” do vijojnë. Sërish në Tiranë pashë një shoqëri moderrne që “grindej me veten”, për ta bërë më të bukur jetën e secilit…Nuk ështe gjë e lehtë. Më gëzon shoqëria moderrne e këtushme, dhe shpesh vetja më duket “shkollë e vjetër”, e më rrëmben mallëgjimi, më gërryëjne kujtimet e mia. Fut duart nëpër xhepa si atëhere kur gërmoja “3 lekshin” e biletës së urbanit. Qëndra e Tiranës më rrëmben tek e shkuara, ndërsa tej,lagjet e reja janë “komshinj të panjohur”. Me mall vërdallosem në sheshin e madh, shëtis me ankth për të takuar dikë që të më ngjajë. Është e vështirë…

“Të dua moj qene” pëshpëris me vete dhe më duket se Tirana qesh me mua dhe kështu gajasemi së bashku. Jam në Tiranë.Pas njëçerekshekulli i jam kthyer për herë të parë kryeqytetit me “gjysmën time” më të dashur, bashkëfatin tim magjik, Almën që feston sot 30 vjetorin tjetër në kryeqytetin që u lind.

Përsëri në Tiranë, për një ditlindje jubilare, për të shpallur romanin tim “Rënia” që gëzon miqtë që më përqafojnë ngrohtësisht si “shtetrrethim kujtimesh”.Ka një magji ky qytet i bukur: na mban bashkë,na gëzon, na befason me “trysninë” e viteve në fytyrat tona. Përsëri jemi ne që ishim : “njerëz të mirë”. Tirana ka bërë “marshimin e shekullit”.Unë përpiqem ta kuptoj këtë haphedhje civile i mjegulluar nga kujtimet që do “vdesin me mua”…Përkëdhel kujtimet e mia dhe nuk rresht duke thënë “Të dua moj qene… Je bërë moderrne”.Tirana qesh e duke qeshur tallet me “zabërhanat e politikës”.Ata kanë mbetur ata që kam lënë…

Shefqet Meko,

Tiranë, 30 Janar 2025

May be an image of 4 people

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular