HomeKulture“Muzgu gri” i Josif K. PRIFTIT, një roman për vetminë dhe heshtjen/Nga...

“Muzgu gri” i Josif K. PRIFTIT, një roman për vetminë dhe heshtjen/Nga Zhuljeta Grabocka

spot_img

Nga Zhuljeta Grabocka
Ftesa për të marrë pjesë në promovimin e romanit “Muzgu gri” i Josif K. PRIFTIT dhe diskutimi rreth tij, më grishi të formuloj disa veçori konceptuale e stilistikore të veprës së autorit. Që në fragmentet e para, bie në sy shkrimpërjetimi i figurshëm i tipit ekzistencial, karakteristike për prozën poetike. Lexuesi nuk do të gjejë ndjesitë romanantizuese të jetës, si në veprën “Katër stinët” të Naim Frashërit. Por do të gjejë shkrimpërjetimin e përhumbur drejt një humnere të pashmangshme. Përshkrimi metaforik i natyrës e tejkalon misterin ekzistencial të njeriut. Filli i jetës mbështillet rreth kujtimeve të vendlindjes që të jenë të pranishme në çdo hap me të, e të mos humbasin kuptimin në rrathët e realëndrrës. Protagonistët e veprës nuk krijojnë linja subjekti as konflikte, pavarësisht diversitetit e mospërputhjeve, ata monologojnë dhe bëhen një me dialektikën e natyrës. Prozatori i ka mëshuar idesë së rrethimit në vetmi të njeriut me të katër anët e horizontit. Natyra i merr ngjyrat, aromat, dhe ndryshon dinamikën në përputhje me dilemat e jetës së protagonistëve… dhe ëndrra e zhgjendrra e njeriut bëhet zhgjendra e ëndrra e natyrës. “Manofi hyn në minierë, Marina kapërxen gardhin dhe kuvendon me natyrën”, Këto fjalë i mjaftojnë autorit të lokalizojë veprimin në roman. Romani shkruhet me një fjali përshkruese të thjeshtë e të pazgjeruar në pjesë të nënrenditura. por Nënteksti meditativo folozofik është i dukshëm. Stili konciz dhe laiciteti i përshkrimit prezanton fshatin, njerëzit dhe varret si në një pikturë kubiste. Lexuesit i duket sikur i hapet sipari i një udhëtimi të ëndërrt, në hapësirën e pakohë, që syri ia sheh e ia ndjen zemra. Vetmia absurde, mbretërimi i heshtjes, mungesa e dialogimit në ndërveprimin njerëzor pranëvihen me zërin monologues të personazheve që vetëm skicohen në të tashmen e tyre nëpër faqet e romanit. Ky truk artistik e ka lejuar autorin të lëvizë lehtësisht në kufijtë dy botëve. Botës së të gjaĺlëve dhe botës së të vdekurve. MUNGESA E KOMUNIKIMIT njerëzor, braktisja e vendlindjes, shkretimi shpirtëror shkrihen në një. Në dukje, një komedi në një dramë universale. Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë është ndjesi shumë aktuale për kohën që jetojmë. Krahina të braktisura, mbijetuar nga banorë të moshës së tretë, vuajnë efektet e emigrimit masiv. Mendoj se, mungesa e konflikti që u shfaq në diskutimin e pjesëmarrësve, është e pa përligjur. Romani nuk është konceptuar në strukturën kompozicionale si roman klasik por është si një mozaik me konture të pranëvëna ndjesish. Realiteti shfaqet i dyzuar në mjegullën gri. Të drejtën e Orfeut për tu kthyer nga bota e përtejme, dëshirën e tij për të realizuar lidhjen e dy botëve, e bën alter egoja femërore siç është Fotinia. Konflikti zhvillohet brenda shpirtit të njeriut. Përgjithësimi i përjetësisë së shpirtit duhej të ishte dhënë më i plotë, në detaje, meditime e veprime konkrete. Nënteksti filozofik duhet të ishte më i spikatur në kontekstin social. Botëkuptimi i personazheve përvijohet me ndjesi profane, të mjegullta e të pafajshme. Tonaliteti tragjik i vetmisë i gërryer nga heshtja lihet pezull. Pranëvënia e forcës drastike të vdekjes me moslindjen e fëmijëve shënjon dhimbshëm, plakjen e jetës. Natyra, forca shkatërruese e saj, vetmohimi dhe qëndrimi stoik i njeriut drejt fundit të pashmangshëm ekzistencial kanë gjetur pasqyrim në faqet më të bukura në letërsinë botërore. E veçanta e këtij romani është përballja e njeriut me natyrën, jo si element kompozicinal në sfondin e një tabloje pikture por shpirtëzimin e saj të ndihmon në natyralitetin e fundit fatal. Gjuha shqipe jetëson paralelizmin figurativ dhe shkëlqimin metaforik të shprehjes “drejt një honi të thellë, që po ta ngresh kokën lart, do ta shohësh dritën, diellin”. Ky kusht, më shumë se rizgjim, dihet i pa fat në roman. Përshkrimi ekzistencial mban pezull kureshtjen e lexuesit i cili e zbulon vetë qëllimin e krijimit të veprës. Autori ka krijuar një mjedis të ëndërrt e jetësor të pa hiperbolozuar. PËRSONAZHET I FLASIN vetvetes. Ai që i përgjigjet “i them unë” është unifikimi i autorit dhe platformës së tij estetike me rrëfimtarin në vepër. Në këtë vetërealizim të brendshëm, të shfaqur si në përballje karakteresh, pasionesh, dobësi njerëzore, Marina – Manofi – Fotini etj. realizohet konfliktin filozofik i veprës: – Mungesa e realizimit të njeriut përmes dashurisë e ripërtëritjes së jetës Zhuljeta Grabocka Çina Tiranë, 18 mars 2025

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular