Nga Florenca Meço
Nëse ka diçka që bie qartësisht në sy, është fakti se Rama qeveris duke ndërruar rregullisht kuajt e karrocës së tij qeveritare që nuk dihet qartë se ku po shkon. Pavarësisht se ai premton Evropën. Skema e ndërrimit të kuajve është e dukshme dhe e përsëritur periodikisht prej tij. Sidomos pas daljes së SPAK.
Spostohen figura të konsumuara, të cilat konsumohen po prej tij. Më pas në vend të tyre, dora i japet në formë katapulte të rinjve, përsëri prej tij. Një palë që pasi ka dalë nga hiçi, shkon drejt hiçit dhe një palë tjetër i zë vendin duke ka dalë përsëri nga hiçi e që pret radhën të kthehet përsëri në anonimat. Ata paraqiten në publik si aktorë të një shfaqje teatrale. Pra në podcastin kryeministror. Këta të rinj, ende të pa konsumuar, i janë mirënjohës atij dhe vetëm atij. Ky borxh mirënjohjeje, më pas kthehet në bindje. Bindja absolute lind kamikazë. Kamikazët bëjnë gjithçka. Pra nëse dje në luftë, kamikazët japonezë dhanë jetën në emër të perandorit të tyre , në qeverinë e sotme shqiptare këta kamikazë korruptohen në emër të shefit. Kështu edhe kontrollohen të mos dalin nga rreshti. Dhe ai mbetet i pastër. Vetëm ai. Skema zbulohet e thjeshtë: mirnjohje që shoqërohet me bindje, bindje absolute që lind kamikazë të korrupsionit, korrupsion që kthehet me mënyrë qeverisjeje.