Fjala e mbajtur e Bujar Leskajt më dt. 19.03.2025 gjatë prezantimit zyrtar të kandidatëve për deputetë PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore për Qarkun Vlorë.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Të dashur demokratë e demokrate,
Të nderuar ish-kryetar të Partisë Demokratike, ish-deputetë të Partisë Demokratike dhe kandidatë të këtyre zgjedhjeve,
Pasi qëndruam, rezistuam, luftuam, si qëndrestarë të vërtetë, si luftëtarë të dritës këto 12 vite, veçanërisht 3 vitet e fundit, ku shumica aludonin dhe mbijetesën tonë politike, ne gjendemi sot përballë dhe ballëlartë një misioni historik, më i rëndësishmi, më i madhi i këtyre 34 viteve, mbas atij të rrëzimit të diktaturës, vendimtar e jetik për rëndësinë që ka, misioni i rrëzimit të autokracisë së sektit Rama.
12 vite Shqipëria është nën kthetrat e një regjimi autokratik, korruptiv, cinik, antishqiptar e keqqeverisës, i zhytur kokë e këmbë në korrupsion dhe vetëm korrupsion, i cili nën dirigjimin e Ramës ka ndjekur politikat Çubrilloviçe të shpopullimit të Shqipërisë.
Rama është Esat Pasha modern i Shqipërisë !
Për këtë sekt nuk ekziston individi, qytetarët e këtij vendi, ekonomia familjare, konsolidimi i shtresës së mesme, të rinjtë, fermerët, biznesi i madh e i vogël; por për ata, për Ramën dhe çakejtë që e rrethojnë ekzistojnë vetëm një grusht njerëzish të cilët çdo vit e kanë ndarë buxhetin e shtetit vetëm për interesat e tyre personale, me në qendër Edi Ramën, duke e zhvendosur/përqendruar ekonominë e Shqipërisë në interesa klienteliste.
Problemet e Shqipërisë janë më shumë se të rënda .
Ekonomia e saj ka qenë në një lëngatë serioze dhe të përkeqësuar nga viti në vit këto 12 vjet. Kjo dramë e madhe, e tejzgjatur kërkon zgjidhje serioze, dhe jo (ri)mashtrimet e një kryeministri super të korrupturar, që ka paturpësinë që edhe pas 12 viteve keqqeverisje, vjedhjeje, shpopullimi e rrënimi të Shqipërisë, “marrëzitë” e tij i quan program. Në fakt programi i tij qysh para 12 viteve ka qenë një dhe vetëm një: plaçkitja, një program antishqiptar, antikombëtar.
Përballë këtij pushteti të paligjshëm, përballë këtij sekti, përballë këtyre individëve të paligjshëm, super të korruptuar, është detyra/misioni jonë që të bëjmë gjithçka që ata të mos jenë më mbi kokën e shqiptarëve, sepse kjo qeveri asnjëherë nuk ka përfaqësuar vullnetin e lirë të qytetarëve.
Vlora nuk ka qenë kurrë më parë në një krizë të tillë ekonomike, shoqërore dhe sociale, sa e ka zhytur sot sekti në qeverisje, edhe pse drejtuesi i tij delirant mburret se ka bërë shumë për Vlorën e deliron për futjen e tij në historinë e qytetit dhe krahinës.
Vlora këto 12 vjet ka përjetuar një krizë të pashembullt ekonomike dhe sociale, e cila i ka goditur familjet e thjeshta vlonjate.
Mes rretheve të tjera, të dhëna kokëforta e rendisin Vlorën në vendet e para të papunësisë, largimit të familjeve nga emigracioni galopant, si dhe rënies së konsumit dhe fuqisë blerëse të familjeve vlonjate.
Bashkia e Vlorës dhe e Selenicës kanë sot një pushtet vendor i cili është pothuajse inekzistent.
Ka hyrë në politologji, shprehja e lordit britanik Arton: “Pushteti të korrupton, por pushteti absolut të korrupton në mënyrë absolute !”
Kjo thënie i përshtatet më së miri Kryeministrit/ Kryetarit të sektit.
E kam për nder dhe krenari kur burrat e vjetër në Labëri më flasin “Lesko” dhe emri i 1850 është i kapedanit Lesko Minga; ka qenë komandant i çetës së Bolenës, pavarësisht se unë jam nga Drashovica.
Kryetari i sektit, Kryeministri Rama, e shprehur në akronim/shkurtimisht KM Rama apo KRM Rama, pra në dialekt në Labëri, burrat e vjetër e quajnë K(ë)rma Rama ose në trajtën e shquar është Kërma Edvin Rama.
Këtë delirant që mastrubon politikisht në ‘podcasting” e tij, me këta anonimët që fton, në çdo përcaktim që ai bën në atë euforinë e tij, ne duhet t’i japim atë epitetin që meriton, do përdorim metaforën që meriton.
Si fillim, i mjafton kjo, ‘Kërma Edi Rama” !
Sot po të shikojmë në Vlorë, sekti Rama ka monumentet më të mëdha të korrupsionit. Tuneli Llogorasë përfaqëson monumentin më të madh korruptiv të kësaj keqqeverisje, fatura e së cilës varion nga 30-50 milionë euro abuzim/vjedhje e pastër.
Tec-et lundruese, një tjetër akt korruptiv tash e dy vjet, e cila llogaritet t’i ketë kushtuar Buxhetit të Shtetit mbi 175 mln euro, nga të cilat nuk është përfituar qoftë edhe 1 kilowat energji elektrike.
Porti i Vlorës, arteria kryesore e biznesit të qytetit, po zhvendoset në zonën e Triportit, ndërkohë që në vend të tij do të ndërtohet një port jahtesh, me 22 objekte banimi dhe hotelerie për oligarkët e Ramës, duke grabitur pronën e Portit.
Denatyrimi i sheshit të Flamurit dhe sheshit në Skelë është një tjetër goditje që Edi Rama i ka bërë një simboli të madh, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Është i pangopur me këto !
Rama tani po grabit malet dhe burimet e ujit të Vlorës.
Marrja e ujit nga burimet e Tragjasit dhe Lumit Shushicë (Buronjat e Kuçit) duke ua rrëmbyer ujin këtyre dy krahinave me emër në historinë tonë kombëtare, me qëllim furnizimin e oligarkëve të tij në Himarë, oligarkëve të cilëve ju ka dhënë tokat e bregdetit sipas qejfit të tij. Ky është karshillëku i fundit në serialin e Edi Ramës dhe unë shprehem si deputet I Vlorës që ne do t’i anullojmë të dyja këto projekte korruptive sapo të vijmë në pushtet. Ne jemi në krah të banorëve të këtyre zonave, të cilët meritojnë t’a gëzojnë ujin e tyre, të prosperojnë në zonë. Këto zona janë zona me potenciale turistike.
Shëndetësia e Vlorës rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë, të cilët po largohen dita ditës për jashtë vendit.
Universitetit publik të Vlorës i mungojnë çdo vit me qindra studentë, ndërkohë që janë mbyllur disa degë dhe priten të mbyllen të tjera.
Institucionet me varësi nga ministritë janë pothujase inekzistente në Vlorë, ku në shumicën e tyre drejtuesit janë militantë partie. Pjesa më madhe e tyre janë të përfolur për abuzime me fondet publike dhe pasurinë publike. Kujtojmë abuzimet me Hipotekën e Vlorës dhe institucione të tjera.
Vlora është mashtruar nga premtimet dhe e braktisur në problematikat e saj.
Rama dhe sekti i tij vetëm se janë tallur me Vlorën dhe vlonjatët, dhe kësaj radhe ai e shton talljen dhe me anëtarët e Partisë Socialiste, me ish-deputetët e tij, me ato përzgjedhje skandaloze, me atë ekip që ai zgjodhi.
Unë e shpreh këtu publikisht dhe e ftoj gjithë ekipin e Ramës, të ngrihet një komision qytetar, komision intelektual dhe të gjithë ne kandidatët e Partisë Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore le të jemi në një konkurs prove përballë ekipit të “Kërmës Rama”. Të jemi për ekonominë, për turizmin, për letërsinë, historinë, sportin, për zhvillimin e Vlorës, për të sotmen dhe për të ardhmen.
Le t’a pranojnë atë sfidë dhe po të duan, përveç Drejtuesit të tyre politikë le t’a marrin dhe vet Ramën.
Premtimi gjoja solemn se Vlora do të furnizohej 24 orë me ujë të pijshëm rezultoi një mashtrim i madh elektoral.
Qyteti bregdetar në degradim e shkatërrim, jo rinovim!
Periferia e qytetit është në kaos të plotë ndërtimesh e mungesa hapësirash publike.
Në njësitë administrative, që deri dje ishin komuna, mungojnë gjërat më jetësore për një banor, për një fermer, i cili jeton me bujqësi dhe blegtori, mungon infrastruktura, furnizimi me ujë, apo në zona si Orikumi, Dukati etj, mungon dhe furnizimi me energji elektrike.
Ne këto do t’i demaskojmë, por qëllimi kryesor joni në këtë fushatë do jetë të luftojmë për ndryshimin dhe ne do ta kërkojmë këtë ndryshim !
Ne i kërkojmë votat e vlonjatëve, duke prezantuar programin tonë.
Ne besojmë se zgjidhja e këtyre sfidave gjenden sëpari në rikthimin te vlerat që kanë mbajtur popullin tonë për shekuj me radhë—besimi te familja, puna e palodhur, dashuria për atdheun, sipërmarrja dhe shenjtëria e pronës private dhe liria personale, për të cilat duhet të jemi krenarë, për kontributin që ka dhënë Partia Demokratike mbas vitit 1990 dhe të punojmë fortë që ato të jenë busulla politike qeverisëse e të së nesërmes.
Por, Partia Demokratike është grupimi i interesit kombëtar, dhe ne kemi vullnetin për të bërë çdo gjë që familja shqiptare të ketë besimin e mjaftueshëm për t’u rikthyer, jetuar, punuar, rritur dhe forcuar në vendin e vetë.
Duke vepruar kështu me përgjegjshmëri do frenojmë dhe do të kthejmë mbrapsht krizën e shpopullimit, do të krijojmë vende pune dhe do të ndërtojmë një të ardhme ku Shqipëria prodhon, eksporton dhe zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Ne do të mbështesim biznesin e vogël, të mesëm, dhe të madh që nuk është i përlyer me Ramën. Do të ndërtojmë një ekonomi që është për të gjithë shqiptarët.
PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore vjen para Vlorës e vlonjatëve me një vizion të qartë duke prezantuar një program gjithëpërfshirës, që prek çdo fashë sociale e ekonomike të vendit, të zonës sonë, të Qarkut tonë, ku çdo individ e gjen veten të përfaqësuar. Kjo është forca/fuqia e programit tonë dhe kandidatët për deputetë PD-ASHM, drejtuesit e PD, anëtarët e Partisë Demokratike, të gjithë ju, do të jeni ata që do e përcillni këtë program tek qytetarët, tek vlonjatët.
Programi ynë është një program që vendos në qendër qytetarin, biznesin e vogël e të mesëm, dhe ne këto premtime mbas 11 Majit do t’i bëjmë realitet.
-Programi i Partisë Demokratike, për ndryshimin që vendi meriton, fillon me vendosjen e minimumit jetik për çdo qytetar shqiptar nga veriu-në jug, prej 200 eurosh, për të cilën kemi 4 vite që flasim dhe punojmë për këtë.
-Nuk do ketë më pensionistë me pension të pjesshëm apo të ulët, çdo pensionist do ketë minimumin 200 euro dhe mbi këtë do rritet pensioni 20 përqind.
-Në paketat tona rrogat minimale bëhen 500 euro, rriten pra me 20 përqind dhe kjo brenda 100 ditëve të para.
-Rrogat mesatare rriten me 1200 euro.
-Në këtë paketë të gjithë rrogëulëtit, të gjithë ata me minimum jetik do marrin kartën e konsumatorit. Do u kthehet e gjithë TVSH-ja. Nuk është pak, është 2-3 pensione dhe ky është një lehtësim tjetër.
-Energjia elektrike do zbresë në 7 lekë.
-Nafta do shitet me çmimin që shitet në Kosovë dhe asnjë qindarkë më shumë.
-Partia Demokratike me programin e saj, e cila ka në qendër, boshtin e saj, misionin e saj është individi, qytetari shqiptar.
-Paratë e planifikuara në bilancin e këtij programi ekzistojnë dhe ky program synon kthimin e këtyre tek qytetarët, sepse nuk do vidhen 130 milionë euro për inceneratorin që nuk ekziston, nuk do ndërtohen rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci dhe Europë, sepse kryeministri nuk do udhëtojë me avion taksi 21 milionë euro në dy vite, nuk do vidhen 50 milionë euro në një dorë në tunelin e Llogarasë, nuk do ndërtohet kopshti i Edenit 5 milionë euro në oborrin e kryeministrisë.
Program i cili synon një ekonomi të fortë, ku duhet të ndryshojë patjetër model, nga thjesht një importuese neto, konsumatore dhe e shërbimeve, në prodhuese dhe eksportuese të prodhimeve vendase. Kjo kryhet fillimisht nëpërmjet industrializimit të vendit (industrisë përpunuese), i cili është një prej aspekteve kryesorë që rregullon hierarkinë dhe rendin shoqëror të një vendi, duke vendosur në shoqëri disa norma të punës, respektit, meritokracisë dhe konkurueshmërisë.
E dyta është “Made in Albania-Made in Albania është prodhimi i Shqipërisë”.
PD garanton biznesmenët shqiptarë, investitorët shqiptarë se taksat më të ulëta në Europë do vendosen vitin e parë të qeverisjes sonë.
-Se energjinë do t’a blini tre herë më lirë.
-Se energjinë do t’a blini me çmimin më të ulët në Europë.
-Jemi në vitin e diasporës, e meriton diaspora. Pesë vite, asnjë taksë. Lehtësira të tjera për rikthimin e tyre.
-Garantojmë fermerët se do kenë subvencione për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti dhe fondet e BE-së nuk do vidhen, rrëmbehen, siç është bërë deri tani nga AZhBR-ja dhe Ministria e Bujqësisë.
-Ne do bëjmë gjithçka që t’ua kompensojmë prodhuesve, eksportuesve dëmin që u krijon kursi i këmbimit.
-Do mbrojmë prodhimin vendas.
-Mbështetja ndaj ish-të përndjekurve politikë, si trashëgimia jonë më e ndritur, e Partisë Demokratike, përfundimi në këtë mandat i procesit të dëmshpërblimit, jo për 30 vite të tjera, siç e ka ritmin Rama, është ndër zotimet kryesore në programin tonë qeverisës.
Partia Demokratike gjithmonë e ka dëgjuar, vlerësuar e zbatuar mendimin e intelektualëve, shoqërisë civile dhe gjithmonë ka nxitur bashkëpunimin me të rinjte, promovimin dhe përfaqësimin e tyre.
Bashkëpunimin me intelektualët PD e ka pasur gjithmonë konstant, ka respektuar të menduarit e pavarur, vizionet dhe sugjerimet, dhe mendimet e vyera të tyre ajo ja ka bashkangjitur programit të saj, ku PD sot është një parti e hapur, ku respektohet mendimi i lirë dhe ai ndryshe, duke konsoliduar besimin e saj në sytë e qytetarëve, për të qenë alternativa më e mirë qeverisëse.
Gjithmonë jemi takuar me intelektualët për të diskutuar për problemet e qytetit, propozimet që ata kanë dhe mënyrën e zbatimit të tyre, si këshilltarët më të drejtë tanët, për paanësinë, qytetarinë, intelektin, integritetin e treguar, si një aset i çmuar i Vlorës.
PD mbështetet në integritetin, pavarësinë e mendimit, vizionin, idetë dhe sugjerimet e tyre. Është një raport i ngritur mbi respektin reciprok, lirshmërinë e mendimit dhe kontributin e ndërsjelltë.
Intelektualët vlonjatë, ashtu si në mbarë Shqipërinë janë një aset i çmuar I qytetit, të cilët janë bashkëhartues, por edhe bashkëzbatues të programit.
Llogaridhënia dhe Transparenca, dy shtyllat kryesore të realizimit të programit, dhe do na bëjnë t’ju shikojmë drejt e në sy.
Krahas programit të Partisë Demokratike, program ku e gjen veten çdo shqiptar, çdo banorë i këtij vendi, ne kemi dhe programin e Partisë Demokratike për Vlorën, e cila konsiston në më shumë vende pune, infrastrukturë të zhvilluar, dhe taksa më të ulëta për të gjithë; për aktivitete turistike 4-sezonale, pra turizëm gjithëvjetor, dhe turizëm kulturor e ekologjik; Fermerët dhe peshkatarët do kenë mbështetje konkrete për të prodhuar më shumë; me një trashëgimi dhe kulturë që do lulëzojnë.
Ne si Parti Demokratike do t’i kthehemi ndarjes territoriale, me qëllimin e mirë që ne të arrijmë të relizojmë Orikumin Bashki, Novoselën Bashki, Amantian Bashki, Ksamilin Bashki.
Ne do të korrigjojmë me guxim dhe shpejtësi hartën gjyqësore, hartë e cila ka larguar dhënien e drejtësisë qytetarëve vlonjatë, sikurse do rikthejmë Gjykatën e Apelit dhe atë Administrative, si dhe të gjitha institucionet qendrore që janë larguar nga Vlora pa argumenta, pa analiza.
Konkretisht:
•Bujqësia dhe Peshkimi:
-Subvencionim dhe grante si mbështetje direkte ndaj sektorëve të peshkimit dhe bujqësisë, si sektor prioritar në Vlorë.
-Investime në infrastrukturë ujitëse dhe mbrojtje nga përmbytjet për të rritur rendimentin bujqësor.
-TVSH e drejtë: Rregullim i skemës së TVSH-së për bujqësinë për të barazuar nivelin e TVSH në shitje dhe blerje.
-Dyfishimi i fondeve për mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët, duke përfshirë inputet bujqësore (farëra, fidanë, kafshë race) dhe teknologjitë moderne, të lidhura me një strategji të mirëpërcaktuar të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë, dhe industrisë përpunuese.
• Turizmi dhe Trashëgimia Kulturore:
-Zhvillimi i turizmit 4-sezonal duke promovuar jo vetëm bregdetin, por edhe malësitë dhe pasuritë kulturore e historike të Vlorës.
-Investime në infrastrukturë: Përmirësimi i rrugëve dhe infrastrukturës energjetike në zonat turistike, veçanërisht ato rurale dhe bregdetare, duke siguruar akses të lehtë dhe të sigurt për vizitorët.
• Portet dhe Interportet:
-Rishikimi i kontratës për Portin e Vlorës për të siguruar përfitime maksimale për qytetarët dhe shtetin shqiptar.
– Shndërrimi i Portit të Vlorës në një qendër të rëndësishme për turizmin, duke ofruar shërbime të dedikuara për anijet turistike dhe jahtet, pa harruar rritjen e fuqisë përpunuese të Portit për shërbimet dhe furnizimet me mallra, duke rritur kapacitetin përpunues.
• Iniciativa për punësimin e të rinjve.
• Mbrojtja e Mjedisit:
Ruajtja e pasurive natyrore të qarkut si Laguna e Nartës dhe Parku Kombëtar i Llogarasë përmes politikave të qëndrueshme zhvillimi. Një kompani ndërkombëtare do të merret me rehabilitimin ekologjik të zonës.
• Promovimi i Vlerave Kombëtare
-Organizimi i aktiviteteve që nderojnë historinë dhe rolin e Vlorës si qyteti i Pavarësisë.
-Sheshi i Flamurit dhe Sheshi Pavarësia në Skelë do kthehen në identitet.
-Mbështetje për organizata dhe iniciativa që promovojnë kulturën dhe traditat lokale.
• Transporti Rrugor dhe Hekurudhor:
-Përfundimi i projekteve infrastrukturore dhe përmirësim i tyre, me kosto të ulët dhe me cilësi të lartë.
-Ndërtimi i rrugëve dytësore që lidhin zonat rurale si Dukati, Orikumi dhe Tragjasi me qytetin e Vlorës.
-Transformimi i Vlorës në një qendër të zhvillimit ekonomik, turizmit cilësor, dhe trashëgimisë kulturore, duke e kthyer atë në një motor të progresit për të gjithë Shqipërinë.
-Kam edhe një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të gjithë punonjësit e administratës: Punoni të qetë, mos kini frikë! Pas fitores së koalicionit Shqipëria Madhështore askush nuk do të preket apo do të përballet me hakmarrje. Të gjithë punonjësit e aftë e të ndershëm do të jenë përsëri në detyrë e duhet të mos kenë frikë apo të shantazhohen nga sekti në pushtet.
Një paralajmërim unë ua përcjellë sot, nga ky takim mbresëlënës për të gjithë ne kandidatët, Kryetarëve të Bashkisë Vlorë, Selenicë, Himarë, Sarandë: Kujdes! Mos luani me njerëzit, mos i trysnoni njerëzit, mos blini vota, se do jepni llogari dhe Edi Rama i lëshon njerëzit dhe mbas Erion Veliajt do e keni radhën ju. Provën e parë, eksperimentin e parë Rama në 2013 e bëri me ish-kryetarin socialist të Bashkisë Vlorë. Kështu ka për të vazhduar me të gjithë këta.
Nuk do i lejojmë as ne, të blejnë vota me patronazhistët në Diasporë, të blejnë vota këtu, të trysnojnë njerëzit. Ne do t’i intensifikojmë denoncimet tona, mbi të gjitha çdo denoncim do jetë denoncimi qytetar, denoncimi politik. Në zgjedhjet e 2021 dhe 2023 ata Drejtorë që ne kemi denoncuar, kryetari i partisë Atirdi, për shkeljen e rregullave dhe të ligjit akoma janë në gjykata. Gjykata e GJKKO ua kthehu Prokurorisë, duke mos ua pranuar pushimin e hetimeve, duke bërë të vazhdojë hetimi. Mos të trysnojnë punonjësit, dhe Kryetarët e Bashkive të vazhdojnë punën e tyre. T’a lënë Kërmën Rama në punën e vet.
-Qytetarëve vlonjat, u them që të dalin e të votojnë për ndryshimin.Arma jonë në përballjen me të keqen është VOTA. Me votë do ndëshkohen të gjithë ata që këto 12 vite e kanë nëpërkëmbur këtë vend, vrarë shpresën, tallur, përbuzur qytetarët e këtij vendi.
Janë edhe 54 ditë deri në ditën e fitores, ditë vendimtare.
Le të jenë këto 54 ditë, si një numërim mbrapsht që sapo ka fillur kundër kësaj të keqe, kundër këtij kanceri të madh, me emrin Rilindje dhe Edi Rama, të cilën e kemi detyrim për t’a pastruar nga trupi i Vlorës dhe Shqipërisë.
Sot duke lexuar një artikull të një politologu, për të qenë i sinqertë ai politologu është i majtë, nisur nga një thënie e tij, Rama është tek ata politikanë të cilët e kanë “prostatin në mendje, në tru”.
Ekipi jonë do jetë një ekip shërbestar, ne ndjekim filozofinë e të madhit Mit’hat Frashëri “Në punë kije për nder dhe lavdi të jesh shërbestar”!
Ne do jemi shërbestar dhe ndaj Ramës, se ne kemi një mjeke të shkëlqyer, Doktoresh Shkencash, po mbaron dhe specializimin për mjeke psikiatre, Nada Daullen, dhe për çdo mjek pacienti është pacient.
-Në 11 maj do të jetë një fitore në Vlorë që do garantojë fitoren e Partisë Demokratike, kur fiton Vlora kthehet Partia Demokratike në pushtet.
Kjo ka ndodhur ne 1992, në 2005 dhe do ndodhi dhe në 2025.
Për këtë na duhet punë, punë dhe vetëm punë.
Gjej rastin që në emrin tuaj, të falenderoj Kryetarin e PDSH-së Prof.Dr.Sali Berisha, i cili ishte shumë I hapur në suportin drejtuar kandidatëve, përjashtuar një detyrim që ishte për koalicionet ndërpartiake, ndaj partive aleate. Dr.Berisha i ka mbështetur të gjithë kandidatët që morrën pjesë në Primare dhe kandidatët e partive aleate. Kjo hapje që ka suportuar, indukton Prof.Dr.Sali Berisha është hapje për të sjellë demokratët në pushtet. Të gjithë aleatët e koalicionit, në listat tona janë shumë të vyer, janë shumë të dobishëm dhe ne do punojmë të gjithë krah për krah, dhe do jemi si hallkat e një zinxhiri, po janë të gjitha hallkat solide, ne do jemi solid dhe ne na lidh në kuptimin figurativ, zinxhiri I demokracisë, i lirisë, i prosperitetit, i zhvillimit të Vlorës.
Fushata jonë do zhvillohet me moton e dashurisë për Vlorën, dashurisë për vendlindjen, me atë moton e madhe të poetit tonë kombëtar Ali Asllani:
“Vlorën edhe Vlorën,
Thelp e kam në zemër,
Ditën e kam dritë,
Natën e kam ëndërr…”
Ditën, Vlorën ne e kemi të gjithë dritë dhe natën, të gjitha ëndërrat e bukura i shikojmë me Vlorën, vlonjatët, të parët tanë, figurat historike, me figurat politike, të dashurit tanë, njerëzit e kulturës, të sportit, të cilët jam I bindur se do na mbështësin në këtë fushatë.
Ju falenderoj me mirënjohjë, përulësi, për suportin, pjesëmarrjen tuaj !