Nga Ardian Sheta/Kandidat per deputet i Koalicionit Euroatlantik Qarku Durres
I nderuar z.Lulzim Basha, drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim të prezantimit të kandidatëve për deputetë.
Si më i riu ndër kandidatë në qark, por besoj dhe në shkallë vendi, ndihem i nderuar që jam prezent mes demokratësh që janë të lirë dhe krenar si kandidat për të përfaqësuar vëllezërit e mi nga Kruja, Fushë-Kruja por dhe Durrësi e Shijaku.
Shkurtimisht në këtë fjalë dua të ndalem tek arsyet që më bënë të pranoj ftesën e Lulzim Bashës dhe çfarë unë do të kërkoj të realizohet për zonën time nëse qytetarët do të më besojnë votën për në Parlamentin e ardhshëm në zgjedhjet e 11 majit 2025.
1. Së pari, shpreh keqardhje që ende pas 34 vitesh, atëherë kur bashkëmoshatarët e mi në vitin 1990 në kthetrat e diktaturës gjëmonin me thirrjet: “Liri Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sot e njëjta thirrje është aktuale. Politika ose ka dështuar të sjell demokracinë në vendin tonë, ose e ka mbajtur qëllimshëm në këtë gjendje ku ende flasim për liri themelore të të drejtave të njeriut, për integrimin europian. Ironik është fakti që janë po të njëjtët aktorë politikë që e kanë mbajtur peng të ardhmen tonë, që kanë drejtuar në Shqipëri në nivelet më të larta dhe sot na premtojnë Bashkimin Europian. Vëllezër e motra pjesë e familjes sonë politike, ne e dimë mirë që ata janë përgjegjësit kryesorë, ndaj ne idealistët në këtë sallë dhe të tjerë jashtë, duhet të jemi më aktiv të punojmë që të çojmë në pension politik pengmarrësit e të ardhmes së rinisë.
2. Të nderuar të pranishëm. Një plagë e madhe që e ka prekur këtë vend nga keqqeverisja dhe korrupsioni gjatë këtyre 34 viteve është largimi masiv i qindra mijëra të rinjve. Eshtë e pafalshme që brezi im mendon vetëm largimin. Ky fenomen jo vetëm shqetësues, por rrënues ka zbrazur Krujën dhe Fushë-Krujën. Prindër dhe gjyshër kanë mbetur vetëm në shtëpi me mallin për nipër e mbesa që nuk i kanë në gjirin familjar. Nevojiten politika të qarta për rininë dhe programi i Koalicionit Euroatlantik është shumë mbresëlënës, por unë besoj edhe tek vizioni dhe sfida që Lulzim Basha ka për ta mbështetur rininë nëse do të na besohet qeverisja.
3. Arsimi ka nevojë për vëmendje dhe mbështetje të fortë dhe jo fjalë boshe. Duke qenë i ri dhe i sapo diplomuar nuk dua të ndalem shumë tek politikat për rininë, por do të qëndroj vetëm tek arsimi. Të diplomuarit në auditorët e arsimit të lartë dekadën e fundit janë përgjysmuar. Është ky një alarm që duhet të na ngrejë në këmbë. Cilësia e arsimit nga ai i detyrueshëm, në të mesëm deri në të lartin ka rënë. Degët e mësuesisë po shkojnë drejt mbylljes, kryesisht tek Fakulteti i Shkencave ku dhe ato pranime që bëhen janë me gishtat e dorës, sikurse dhe në degët shoqërore pranimet kanë shkuar në një mesatare të ulët që nuk është e justifikueshme. Po u shkatërrua arsimi edhe nëse nuk do të ketë eksod largimi sërish shoqëria ka pësuar një dëmtim të rëndë, të pariparueshëm që do të dojë dekada të riparohet. Të reagojmë sot, e nesërmja është vonë.
4. Kruja dhe Fushë-Kruja të harruara nga qeverisjet. Pa dashur të bëj propagandë, i lindur dhe rritur në Krujë, sot një i ri i sapo dalë në jetë pas diplomimit dhe një i kandiduar për deputet nga Koalicioni Euroatlantik më duhet ta them hapur që: Politika i ka borxh Krujës. Është ky thjesht një konstatim. Bashkia Krujë, por flas për territorin që ka sot si Njësi Administrative është lënë në harresë totale. Edhe pse një zonë historike dhe turistike Krujës i mungojnë investimet, nga ato elementaret si përmirësimi i infrastrukturës rrugore aktuale në gjurmët që të viteve të komunizmit të paktën, deri tek projektet e reja infrastrukturore që mund të shkurtojnë distancën e Krujës me Tiranën, Durrësin apo me zonat e tjera. Madje na u desh një rezistencë e fortë, qëndrese për muaj të tërë pasi donin të na vinin dhe doganë për të ardhur në shtëpitë tona. Qeverisja nuk e ka konsideruar qytetarin krutan për të mbështetur me subvencione apo politika lehtësuese për zhvillimin e agroturizmit gjë që do të çonte dhe në zhvillimin ekonomik të zonës. Sa më shumë biznese të hapura, aq më shumë taksa të paguara si punë të kryera për përmirësimin e infrastrukturës.
E së fundi, duke falënderuar për sa më dëgjuat, kam një falënderim për familjen time që më mbështeti për të hyrë në garë ndonëse i ri në moshë. I rritur në një familje me rrënjë thellë djathtas, me një baba që politikën e ka konsideruar si një mjet për të dhënë kontribut e ndryshuar Shqipërinë, një njeri i ndershëm. Jam edukuar që të jem i ndershëm dhe parimor, të mos jem pjesë kulisash dhe pandershmërinë të mos e kem si mjet për të ecur në jetë, qoftë dhe në politikë.
Faleminderit dhe suksese të gjithëve!
Kruja meriton më shumë!
Durrësi meriton më shumë!
Shqipëria meriton më shumë
