Nuk ka më kthim pas. Qindra mijëra shqiptarë që kanë jetuar e punuar përtej Adriatikut mund të kenë një trajtim të denjë për pension. Marrëveshja e nënshkruar përpara më shumë se një viti pas ratifikimit në parlamentin italian është publikuar në Fletoren Zyrtare të shtetit fqinj dhe në pak javë bëhet gati për t’u zbatuar.
Me këtë marrëveshje, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektive (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri), duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet.
Përmes marrëveshjes do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu. Marrëveshja për pensionet e firmosur me Shqipërinë do t’i kushtojë buxhetit italian 12 milionë euro në vitin parë të zbatimit dhe përfitues në vitin e parë, pritet të jenë 1387 persona.
PERFITUESIT
Numri i përfituesve vjen në rritje, në të njëjtën kohë edhe fondi i vënë në dispozicion. Të dhënat tregojnë se në total deri në vitin 2020 janë 433,789 shtetas shqiptarë, që kanë paguar sigurimet shoqërore në Itali. Para nënshkrimit të marrëveshjes me Shqipërinë numri i qytetarëve, që do trajtohen me pension parashikohej të ishte 4727 persona me një kosto në buxhet 39.6 milionë euro, ndërsa pas firmosjes së marrëveshjes, ky numër u rrit në 6114 në vitin 2025 me një efekt buxhetor 51.6 milionë euro. Pra, parashikimi ishte që skemës t’i shtoheshin 1387 persona, me një rritje buxhetore 12 milionë për këtë vit. Këtu përfshihen edhe ata persona që trajtohen me ligjin nr. 189 të vitit 2002, i cili u jep mundësi emigrantëve shqiptarë që të përfitojnë pension, por me kushtin e riatdhesimit, pra kthimin e tyre në Shqipëri. Marrëveshja për njohjen e periudhave kontributive mes Shqipërisë dhe Italisë u jep mundësinë emigrantëve shqiptarë që të trajtohen me pension në Itali dhe në Shqipëri në të njëjtën kohë. Ajo që vihet në dukje tjetër në dokument është edhe fakti që gati 20 për qind e personave 67 vjeç, që nuk janë trajtuar deri më tani me pension, do të mund të përfitojnë të ardhura deri në 400 euro në muaj. Konkretisht, një qytetar shqiptarë që ka në total 27 vite pune, nga të cilat 14 vite në Itali dhe 13 në Shqipëri (kujtojmë që në Shqipëri pragu për pension minimal është 15 vite ndërsa në Itali është 20 vite punë) do të marrë pension në Itali për 14 vite dhe në Shqipëri për 13 vite. Jo vetëm kaq, marrëveshja ju jep mundësi emigrantëve që të përfitojnë edhe nga skema të tjera siç janë: pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pagesa e papunësisë, nga sëmundjet si edhe nga barrëlindja.

FONDET PËR PENSION
Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, miratuan amendamentin për alokimin e fondeve në kuadër të zbatimit të marrëveshjes. Për vitin 2025 u miratua një fond prej 12 milionë eurosh, 13.6 milionë euro për vitin 2026, 13.1 milionë euro për vitin 2027, 15.1 milionë euro për vitin 2028, 17 milionë euro për vitin 2029, 19.3 milionë euro për vitin 2030, 21.3 milionë euro për vitin 2031, 23.4 milionë euro në vit për të gjitha vitet e mëpasshme duke filluar nga viti 2032.
Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë. Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën. Me Greqinë vijon debati teknik, pasi është një proces i gjatë, edhe i vështirë. Me Letoninë negociatat nisin në prill. Në proces janë negociatat edhe me Slloveninë e Moldavinë. Me Izraelin është rënë dakord, po rakordohen agjendat që e çon numrin në rreth 27-28 marrëveshje.