hqipëria luan sot në mbrëmje ndeshjen e dytë të kualifikuesve të Botërorit 2026, atë ndaj Andorrës, të cilën e pret në “Arenën Kombëtare”.
Në stërvitjen e fundit, të zhvilluar dje në stadiumin ku do të luhet takimi, të gjithë lojtarët ishin të gatshëm në pjesën e parë të seancës, përfshi këtu edhe Kumbullën me Ismajlin, ndërsa e dyshimtë është prezenca e tyre në fushë sot, ku mund të kursehen nga trajneri për shkak se nuk kanë kaluar ende problemet fizike, por edhe nga niveli i kundërshtarit. Pas rreth 1 ore përgatitje, seanca stërvitore u mbyll pa asnjë problem.
FORMACIONI- Trajneri Silvinjo tha në konferencën e fundit për mediat se mund të ketë ndryshime në ekip, por la të kuptohet se këto nuk do të jenë të varura nga situata fizike e lojtarëve që luajtën titullarë ndaj Anglisë. Më tej ai shtoi se nuk pritet të ketë shumë ndryshime, ndoshta 2-3 për takimin me Andorrën.
Edhe pse me vetëm një seancë përpara këtij takimi, sepse ajo e zhvilluar në Londër ishte më shumë rikuperuese, Silvinjo është treguar “hermetik” në lidhje me formacionin të cilin pritet ta ndajë vetëm ditën e sotme me lojtarët. Megjithatë, gazeta po jep një projeksion sesi mund të jetë formacioni i Silvinjos për ndeshjen me Andorrën. Strakosha ka kaluar problemet e ndeshjes së fundit dhe do të jetë nga minuta e parë.
Alternativat në mbrojtje nuk janë të shumta, dhe trajneri pritet t’iu besojë sërish dyshes Gjimshiti-Ajeti, ndërsa në krahë Balliu dhe Aliji. Në mesfushë, Asllani mbetet i konfirmuar, ndërsa Ramadani është në balotazh me Medon Berishën. Laçi pritet të ulet në stol, ndërsa Bajrami mund të spostohet në qendër. Përpara ka një balotazh mes Brojës dhe Jasir Asanit, ndërsa krahu i majtë mund të luhet mes Muçit dhe Hoxhës. Kjo ndeshje mund të shohë titullar Rei Manajn, i cili nuk luajti asnjë minutë kundër Anglisë në “Uembli”.
