HomeEkonomiS&P përmirëson vlerësimin e Shqipërisë në "BB", me perspektivë "të qëndrueshme"

S&P përmirëson vlerësimin e Shqipërisë në “BB”, me perspektivë “të qëndrueshme”

spot_img

Në raportin e saj më të fundit të publikuar më 21 Mars 2025, agjencia prestigjioze, ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s Global Ratings” ka përmirësuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB” nga “BB-“, ndërsa ka konfirmuar një perspektivë “të qëndrueshme”. Ky vlerësim vjen si rrjedhojë e performancës së qëndrueshme ekonomike dhe fiskale të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.

S&P thekson se përmirësimi i vlerësimit pasqyron forcën e performancës ekonomike dhe fiskale të Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Që nga viti 2019, borxhi i përgjithshëm bruto i qeverisë ka rënë me 10 pikë përqindjeje të PBB-së, deficiti i llogarisë korrente është më shumë se përgjysmuar, dhe flukset neto të investimeve të huaja direkte kanë mbetur të fuqishme.

Një pjesë e konsiderueshme e këtij përmirësimi i atribuohet eksporteve të shërbimeve, të cilat janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2019, duke reflektuar veçanërisht suksesin e sektorit të turizmit.

S&P parashikon që perspektiva ekonomike e Shqipërisë të mbetet pozitive, me një rritje vjetore të PBB-së e cila pritet të tejkalojë 3%, në periudhën 2025-2028, e mbështetur nga investimet dhe konsumi.

Në aspektin fiskal, S&P vlerëson se financat publike të Shqipërisë vazhdojnë të performojnë mirë. Autoritetet shqiptare kanë miratuar ndryshime legjislative për të forcuar gjenerimin e të ardhurave, duke u fokusuar në taksimin progresiv individual, rregullimet e taksës së të ardhurave të korporatave dhe masa të përmirësuara për përputhshmërinë tatimore. Të kombinuara me përpjekjet e qeverisë për konsolidim fiskal dhe parashikimet e qëndrueshme të rritjes ekonomike, S&P pret që deficitet buxhetore të mbeten të moderuara, me një mesatare prej rreth 2% të PBB-së deri në vitin 2028.

Agjencia thekson se Ligji Organik i Buxhetit të Shqipërisë vendos kufizime fiskale, duke kërkuar që balanca primare e qeverisë së përgjithshme të mbetet të paktën neutrale dhe që raporti borxh-PBB të ulet nëse tejkalon 45%. Megjithëse këto rregulla ofrojnë një kuadër për qëndrueshmërinë e borxhit, suksesi i tyre varet nga rritja e fuqishme ekonomike dhe reformat efektive të menaxhimit të financave publike.

Shqipëria ka përballuar shumë sfida, përfshirë tërmetin dhe pandeminë COVID-19, por pavarësisht këtyre vështirësive, qeveria ka vijuar konsolidimin fiskal, duke siguruar një rritje të fortë të PBB-së, kontrollin e shpenzimeve, si dhe duke zbatuar reforma për rritjen e të ardhuravem me qëllim uljen e trajektores së borxhit. Si rezultat, borxhi bruto i qeverisë së përgjithshme ka rënë në rreth 55.4% të PBB-së në vitin 2024, nga 65.7% në vitin 2019. Duke pasur parasysh projeksionet fiskale, S&P pret që nivelet e borxhit të vazhdojnë të ulen, duke arritur rreth 51.7% të PBB-së deri në vitin 2028.

Gjithashtu, raporti vë në dukje përmirësimin e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë. Gjatë viteve të fundit, deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë ka pësuar një ndryshim strukturor, kryesisht për shkak të tepricës së shërbimeve në rritje, e cila përbënte rreth 16% të PBB-së në vitin 2023. Ky ndryshim ka luajtur një rol vendimtar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente.

“Perspektiva e qëndrueshme” për vlerësimin afatgjatë pasqyron qëndrimin e S&P se rreziqet për performancën ekonomike, të jashtme dhe fiskale të Shqipërisë janë të balancuara në mënyrë të barabartë.

Ky përmirësim i vlerësimit nga S&P është një tregues i rëndësishëm i progresit të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, duke reflektuar menaxhimin e mirë ekonomik dhe fiskal të vendit gjatë viteve të fundit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular