Nga Myzafer Elezi
Të nderuar qytetarë,
Siguria publike është një nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë. Asnjë zhvillim ekonomik, asnjë reformë sociale dhe asnjë progres i vendit nuk mund të arrihet pa garancitë bazë për rend dhe siguri. Prandaj, sot dua të ndaj me ju vizionin tim për të garantuar sigurinë publike në çdo cep të territorit të vendit.
Një nga sfidat kryesore me të cilat përballemi është ndikimi i krimit të organizuar dhe bashkëpunimi i disa individëve brenda Policisë së Shtetit me këtë strukturë kriminale. Këto lidhje të errëta minojnë besimin e qytetarëve dhe dobësojnë shtetin ligjor. Prandaj, angazhimi im parësor do të jetë pastrimi i radhëve të policisë nga çdo individ me lidhje kriminale.
Në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë, sidomos me SPAK-un, do të krijojmë një mekanizë të pavarur verifikimi, që do të shqyrtojë integritetin dhe pastërtinë e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit. Askush që ka shkelur ligjin apo që ka lidhje me krimin nuk do të ketë vend në strukturat e sigurisë publike.
Për më tepër, ne, Demokratët Euroatlantikë, do të ndërtojmë një strukturë policie të bazuar në nevojat reale të qytetarëve. Ne do të ristrukturojmë organizimin e Policisë së Shtetit duke fokusuar burimet dhe personelin në terren, atje ku ndodhin sfidat e vërteta të sigurisë, dhe jo në zyrat qendrore.
Një komponent i rëndësishëm i platformës sonë është krijimi i Xhandarmërisë Kombëtare, e cila do të përqëndrohet në mbrojtjen e rendit publik, ndërhyrjen në operacionet kundër akteve terroriste, dhe përballimin e situatave emergjente. Kjo strukturë do të na mundësojë të reagojmë me efikasitet ndaj rrezikut dhe do të sigurojë që në çdo rast, qytetarët të jenë të mbrojtur.
Gjithashtu, do të punojmë për rritjen e ndjeshme të pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës për çdo punonjës të Policisë së Shtetit. Vetëm duke motivuar, trajnuar dhe vlerësuar punonjësit tanë të rendit, ne mund të sigurojmë një polici profesionale, të drejtë dhe të pandikueshme nga korrupsioni.
Angazhimi ynë në kuadër të politikave të Koalicionit Euroatlantik do të fokusohet në rritjen e sigurisë publike dhe transformimin rrënjësor të institucioneve të sigurisë. Ne do të vendosim standarde të reja, të njëjta me ato të vendeve partnere në NATO dhe BE, për të garantuar që qytetarët tanë të ndihen të sigurt në vendin e tyre.
Ky është angazhimi im. Ky është angazhimi i Demokratëve Euroatlantikë. Një angazhim për një Shqipëri ku ligji mbizotëron, ku qytetarët ndihen të mbrojtur dhe ku policia është në shërbim të popullit dhe jo e kapur nga krimi.
Bashkë, ne mund të krijojmë një të ardhme të sigurt, ku gjithkush të jetë i lirë të jetojë, punojë dhe të zhvillohet pa frikë.
Shqipëria meriton më shumë!
Ju faleminderit!
Autori eshte Kandidat për deputet në qarkun e Vlorës