HomePolitike“Po ecim shumë shpejt drejt BE”, Spiropali në forumin “Parlamenti për Qytetarët”:...

“Po ecim shumë shpejt drejt BE”, Spiropali në forumin “Parlamenti për Qytetarët”: Po inkorporojmë në Kuvend modele nga Bundestagut e parlamenti skocez

spot_img

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në Forumin “Parlamenti për Qytetarët: Forumi i Demokracisë Pjesëmarrëse dhe Përgjegjshmërisë Parlamentare, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ku mbajti një fjalë përshëndetëse.

Në aktivitet ishin të pranishëm dhe përshëndetën Drejtori Ekzekutiv i IDM, Sotiraq Hroni, Ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, Drejtoresha e Inovacionit dhe Praktikave, Involve UK, znj. Stephanie Draper etj.

Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se Kuvendi po fuqizon ndërveprimin me organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit për të siguruar një dialog të dobishëm, të hapur e konstruktiv, si reflektim edhe ndaj vlerësimeve të raporteve të Bashkimit Europian për të rritur transparencën dhe efektivitetin në proceset e konsultimeve publike dhe të bashkëpunimit të Kuvendit me qytetarët.

“Në bashkëpunim me Kuvendin dhe me mbështetjen e Involve UK, ju keni pilotuar me sukses Panelet Qytetare, mbi dy çështje të propozuara nga Komisionet Parlamentare: zhvillimi i turizmit rural dhe malor si dhe çështjet e aftësisë së kufizuar. Gjatë kësaj faze ju edhe ne kemi konstatuar se qytetarët janë të gatshëm dhe kanë potencialet të kontribuojnë në mënyrë produktive në ligjbërje, nëse ne arrijmë të ndërtojmë një proces deliberativ.

Dhe kjo u dëshmua se ishte e mundur. Rekomandimet e Paneleve Qytetare mbi turizmin rural dhe malor u inkorporuan në “Paketën e Maleve”, një ligj i cili do të shërbejë si shtytje e zhvillimit të zonave e fshatrave malorë.

“Udhëzuesi mbi Mekanizmat e Konsultimit Publik Deliberativ për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, hartuar gjatë këtij procesi dhe si produkt i këtij bashkëpunimi, do të shërbejë si një udhëzues praktik për Kuvendin, qytetarët dhe grupet e interesit, duke forcuar ndërveprimin tonë në procesin legjislativ.”-u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nënvizoi më tej se gjatë legjislaturës së ardhme do të shohim mundësinë të ndërtojmë një mekanizëm monitorimi për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve të Paneleve Qytetare nga qeveria dhe institucionet përkatëse, duke përfshirë përveç veprimtarisë ligjbërëse edhe kontrollin parlamentar dhe zbatimin e politikave e programeve në shërbim të qytetarëve.

“Inkorporimi në Kuvendin e Shqipërisë i praktikave e modeleve të suksesshme të Bundestagut Gjerman dhe Parlamentit Skocez do të shndërrohen në një vlerë të shtuar të këtij procesi.”-u shpreh Spiropali.

Drejtori Ekzekutiv i IDM, Sotiraq Hroni, gjatë punimeve të Forumit u shpreh se duhet të angazhohemi në mënyrë të vazhdueshme për të nxitur demokracinë pjesëmarrëse. “Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë shembull në konsultimin publik. Kuvendi i Shqipërisë po pasuron një sërë mekanizmash sa i përket konsultimit publik në tërësinë e saj. Duhet të fuqizohet mekanizmi parlamentar për konsultimin publik.”-tha Sotiraq Hroni.

Ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, u shpreh se mbështet Kuvendin e Shqipërisë për nismat që ka ndërmarrë ndërsa theksoi se demokracia dhe transparenca parlamentare janë shtylla thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

Drejtoresha e Inovacionit dhe Praktikave, Involve UK, Stephanie Draper, foli për mjetet inovative të pjesëmarrjes për angazhimin parlamentar dhe proceset e demokracisë deliberative, roli i publikut në vendimmarrje si dhe tregoi shembuj të praktikave të suksesshme të demokracisë pjesëmarrëse dhe ndikimin e tyre.

Fjala e plotë:

Shkëlqesia Juaj, Ambasadori Abbott,

I nderuar z. Hroni,

Zonja e zotërinj,

Ka një sentencë të njohur në historinë politike që shpreh në mënyrë domëthënëse rëndësinë jetike të ndërveprimit midis qeverisësve dhe të qeverisurve:

“Askush nuk mund ta qeverisë tjetrin, pa pasur konsensusin dhe bashkëpunimin e tij.”

Historia e demokracisë ka provuar se kjo nuk është vetëm një kërkesë pragmatiste, por një parim jetësor i funskionimit të sistemit demokratik.

Thënë shkurt e qartë: Nëse dijmë të bashkëpunojmë me publikun dhe qytetarët, nuk dështojmë kurrë.

Është kjo një arsye që unë kam ndjekur e ndjek me vëmendje veprimtaritë e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, sidomos ato që kanë lidhje me demokracinë pjesëmarrëse dhe që ju përgjigja ftesës për të marrë pjesë në këtë takim të sotëm.

Unë i vlerësoj përpjekjet tuaja për të ndërtuar një platformë për komunikimin dhe bashkëpunimin midis Kuvendit dhe qytetarëve, duke synuar që kjo të shndërrohet në një praktikë të re periodike, pjesë integrale e ushtrimit të funksioneve dhe detyrave të Kuvendit të Shqipërisë.

Po konstatoj me kënaqësi se nisma juaj ka shtuar informacionin mbi veprimtaritë parlamentare, për qytetarët, shoqërinë civile dhe median.

Ka rritur aksesin dhe mundësitë praktike të tyre për të ndikuar e kontribuar në veprimtarinë e Kuvendit, sidomos të komisioneve parlamentare, për të ndërtuar një proces legjislativ dhe ushtruar kontroll parlamentar që u përgjigjet drejtpërdrejt sfidave reale të qytetarëve dhe komuniteteve.

Shqipëria ndodhet aktulisht para portave të Bashkimit Europian, dhe siç kam nënvizuar, është vendi kandidat që ecën më shpejt, më vendosmërisht dhe më qartësisht drejt familjes europiane, me ambicjen që të përfundojmë negociatat teknike brenda vitit 2027 dhe të anëtarësohemi brenda vitit 2030.

Dëshiroj të ndaj me ju vizionin tim se unë e konsideroj legjislaturën e ardhme të Kuvendit, pra legjislaturën e njëmbëdhjetë, si përfundimin e procesit të shndërrimit të Kuvendit të Shqipërisë në parlamentin e një shteti anëtar të Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst unë e vlerësoj edhe bashkëpunimin tonë dhe kontributin tuaj për fuqizimin e dimensionit pjesëmarrës të demokracisë shqiptare dhe të Kuvendit.

Kuvendi udhëheq procesin e integrimit duke garantuar tiparin e tij gjithëpërfshirës dhe unë ju bëj thirrrje që kontributi juaj të kanalizohet edhe në këtë proces.

Kuvendi po fuqizon ndërveprimin me organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit për të siguruar një dialog të dobishëm, të hapur e konstruktiv, si reflektim edhe ndaj vlerësimeve të raporteve të Bashkimit Europian për të rritur transparencën dhe efektivitetin në proceset e konsultimeve publike dhe të bashkëpunimit të Kuvendit me qytetarët.

Në bashkëpunim me Kuvendin dhe me mbështetjen e Involve UK, ju keni pilotuar me sukses Panelet Qytetare, mbi dy çështje të propozuara nga Komisionet Parlamentare: zhvillimi i turizmit rural dhe malor si dhe çështjet e aftësisë së kufizuar.

Gjatë kësaj faze ju edhe ne kemi konstatuar se qytetarët janë të gatshëm dhe kanë potencialet të kontribuojnë në mënyrë produktive në ligjbërje, nëse ne arrijmë të ndërtojmë një proces deliberativ.

Dhe kjo u dëshmua se ishte e mundur. Rekomandimet e Paneleve Qytetare mbi turizmin rural dhe malor u inkorporuan në “Paketën e Maleve”, një ligj i cili do të shërbejë si shtytje e zhvillimit të zonave e fshatrave malorë.

“Udhëzuesi mbi Mekanizmat e Konsultimit Publik Deliberativ për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, hartuar gjatë këtij procesi dhe si produkt i këtij bashkëpunimi, do të shërbejë si një udhëzues praktik për Kuvendin, qytetarët dhe grupet e interesit, duke forcuar ndërveprimin tonë në procesin legjislativ.

Ju përgëzoj gjithashtu për bashkëpunimin me Kuvendin për dinamizimin e procesit të shqyrtimit të peticioneve qytetare dhe propozimet për përmirësimin e Rregullores së Kuvendit për këtë çështje, të cilat rrisin transparencën dhe fuqizojnë gjithëpërfshirjen.

Ne tashmë pothuajse kemi hyrë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe ky është një rast i mirë për të gjithë kandidatët që të ndërtojnë një dialog të hapur e të sinqertë me qytetarët, të shpalosin alternativat për të cilat konkurrojnë dhe të dëgjojnë mendimet, vlerësimet dhe kritikat e zgjedhësve.
Po kështu, edhe qytetarët kanë mundësinë të gjykojnë programet që u paraqiten dhe t’i vlerësojë ato në përshtatjen me pritshmëritë e tyre dhe të ardhmen e vendit.

Gjatë legjislaturës së ardhme ne do të shohim mundësinë të ndërtojmë një mekanizëm monitorimi për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve të Paneleve Qytetare nga qeveria dhe institucionet përkatëse, duke përfshirë përveç veprimtarisë ligjbërëse edhe kontrollin parlamentar dhe zbatimin e politikave e programeve në shërbim të qytetarëve.

Inkorporimi në Kuvendin e Shqipërisë i praktikave e modeleve të suksesshme të Bundestagut Gjerman dhe Parlamentit Skocez do të shndërrohen në një vlerë të shtuar të këtij procesi.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular