Argjentina është kombëtarja e katërt që siguron pjesëmarrjen në Botërorin 2026, kjo pas fitores së thellë 4-1 kundër Brazilit në eliminatoret e Amerikës së Jugut.
Kampionët e Botës në fuqi nuk treguan mëshirë për “Seleçaot” në Buenos Aires, edhe pa Leo Messin në fushë.
Sfida nisi mjaft mirë për vendasit, të cilët shënuan që në minutën e 4’ me Julian Alvarez, ndërsa pas tetë minutash ishte Enzo Fernandez që dyfishoi shifrat.
Në minutën e 26’, Cunha shkurtoi diferencën, por në të 37’, Mac Allister shënoi golin e tretë për të besuarit e Scalonit.
Pjesa e dytë u shoqërua me tension, teksa në minutën e 71’ Giuliano Simeone i dha goditjen e “KO” Brazilit duke shënuar dhe golin e katërt.
Kështu Argjentina i bashkohet Japonisë, Zelandës së Re dhe Iranit si ekipet e kualifikuara nga eliminatoret në Botërorin “SHBA-Meksikë-Kanada 2026”, ndërsa Brazili vazhdon të jetë në vendin e katërt në kualifikueset e Ameriksë së Jugut.
REZULTATI:
ARGJENTINË 4-1 BRAZIL
Alvarez 4’, Fernandez 12’, Mac Allister 37’, Simeone 71’ / Cunha 26’