Nga Elisa Drishti
Në Shqipëri ekziston një mospërputhje e thellë mes realitetit institucional që paraqitet në raportet ndërkombëtare dhe përvojës që qytetarët kanë çdo ditë me shtetin. Këtë e tregojnë qartë dy dokumente të rëndësishme: nga njëra anë, Raporti i GRECO-s (2025), që vlerëson masat kundër korrupsionit në nivel institucional; dhe nga ana tjetër, Hulumtimi mbi perceptimet e korrupsionit në Shqipëri, i realizuar nga IDRA Research & Consulting, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, që fokusohet te përjetimet dhe pikëpamjet e qytetarëve dhe punonjësve të sektorit publik.
GRECO analizon progresin e institucioneve shqiptare në ndërtimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit në qeverinë qendrore dhe Policinë e Shtetit. Raporti përmend ekzistencën e planeve të integritetit në ministri, reformimin e komisioneve të etikës, udhëzuesit e rinj për sjelljen e zyrtarëve, dhe trajnime të vazhdueshme mbi konfliktin e interesit, dhuratat, pas-punësimin dhe sinjalizimin e korrupsionit. Në letër, këto masa tregojnë një shtet të angazhuar në ndërtimin e integritetit institucional.
Ndërkohë, raporti i IDRA-s tregon një realitet krejt ndryshe. 82% e qytetarëve besojnë se korrupsioni është i përhapur në institucionet publike, dhe rreth 70% mendojnë se qeveria nuk ka vullnet të vërtetë për ta luftuar atë. Për më tepër, një në tre qytetarë pohon se është përballur personalisht me nevojën për të dhënë ryshfet për të marrë një shërbim bazë. Këto të dhëna nuk flasin për perceptime të vagullta, por për një përvojë konkrete të dështimit të shtetit në praktikë.
Kjo mospërputhje – midis asaj që ekziston në kuadrin ligjor dhe strategjik, dhe asaj që ndodh në jetën e përditshme të qytetarëve – është zemra e problemit. Shqipëria është një shembull i qartë ku institucionet mund të duken të ndërtuara mirë në dokumente, por efektiviteti i tyre në realitet është i dobët. Ligjet dhe strategjitë ekzistojnë, por zbatimi i tyre është i dobët, dhe besimi te drejtësia dhe barazia përpara ligjit mungon.
Në këtë kuptim, ndërkohë që GRECO vlerëson që Shqipëria ka ndërmarrë hapa formalë drejt forcimit të integritetit në administratë dhe polici, raporti i IDRA-s na kujton se nuk ka reformë të vërtetë pa ndikim të ndjeshëm në jetën e qytetarit të zakonshëm. Institucionet nuk gjykohen vetëm nga ekzistenca e rregulloreve, por nga ndikimi që kanë në ndershmërinë, transparencën dhe drejtësinë e shërbimeve publike.
Në fund, matja nga lart është e nevojshme, por zëri nga poshtë është thelbësor. Dhe ky zë është i qartë: qytetarët ndihen të përjashtuar nga përfitimet e shtetit të së drejtës, dhe i perceptojnë reformat si fasadë, jo si realitet që prek jetën e tyre.
Pa zbatueshmëri, çdo reformë mbetet vetëm një dokument tjetër në raft.
Mungesa e ndëshkimit real (impuniteti)
Një nga faktorët më paralizues është mungesa sistematike e ndëshkimit për shkelësit e rregullave, veçanërisht në nivelet e larta. Kur drejtësia është selektive, kur përgjegjësia nuk është e barabartë, ligji humbet fuqinë e tij normuese. Dhe atëherë, institucionet janë thjesht fasadë.
Dështimi i shtetit për të krijuar një kontratë sociale të besueshme
Në vendet ku funksionojnë shtetet moderne, qytetarët pranojnë të respektojnë rregullat sepse besojnë se shteti i mbron, i shërben dhe është i drejtë. Në Shqipëri, ky besim është i brishtë ose inekzistent. Shumë qytetarë nuk besojnë se shteti ekziston për ta. Dhe në këtë boshllëk, forcohen sjelljet informale dhe strategjitë individuale për mbijetesë, jo për bashkëjetesë institucionale.
Kur u ndërtuan institucionet në Shqipërinë post-komuniste?
Faktikisht, shumë institucione u importuan si paketa “teknike” gjatë viteve ’90 dhe 2000, shpesh për të përmbushur kritere integrimi apo marrëveshje ndërkombëtare. Por nuk u shoqëruan me një proces serioz të edukimit shoqëror, nuk u ndërtua një elitë administrative me vetëdije shërbimi publik, dhe nuk u punua për t’i institucionalizuar në mendësinë qytetare. Pra, institucionet u ndërtuan pa rrënjë – mbi një shoqëri që nuk kishte eksperiencë me ndarjen e pushteteve, me ligjin si mbrojtje dhe me shërbimin si detyrim.



