HomePolitike“Besojmë se varfëria dhe korrupsioni mund të mposhten”/Basha në Njësinë 5, Tiranë:...

“Besojmë se varfëria dhe korrupsioni mund të mposhten”/Basha në Njësinë 5, Tiranë: Programi i Koalicionit Euroatlantik, për një Shqipëri më të drejtë, më të jetueshme dhe me mundësi për të gjithë

spot_img

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatet për deputete Shpresa Faslia dhe Rajna Tullumani, zhvilloi një takim në Degën 5 të Tiranës, ku u diskutuan zgjedhjet e 11 majit, programi ekonomik dhe angazhimi për drejtësi dhe mirëqeverisje.

Gjatë bisedës me qytetarët, Basha u ndal veçanërisht te problemet sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga keqqeverisja e gjatë, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një politikë që u shërben qytetarëve dhe jo një grushti të korruptuarish.

“Korrupsioni i qeverisë është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Për këtë është përgjegjës Edi Rama. Zgjidhja nuk janë arnimet, por një ndryshim rrënjësor”, tha Basha, duke theksuar se programi i Koalicionit Euroatlantik synon ta zhvendosë fokusin te qytetari dhe ekonomia reale.

Në thelb të këtij programi është mbështetja për familjen shqiptare, e cila mban barrën më të madhe të krizës ekonomike. Basha prezantoi Fondin për Mirëqenien e Familjes, përmes të cilit propozohet mbështetje konkrete: 2 000 euro për çdo bebe të porsalindur, 20 000 euro për fëmijën e tretë dhe mbulim i plotë i interesit të kredisë së banesës për 30 mijë çifte të reja. Gjithashtu, do të dyfishohet ndihma ekonomike për familjet në nevojë, pagesa për personat me aftësi të kufizuara do të jetë 70% e pagës minimale dhe do të zgjerohet përfshirja në statusin e jetimit.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme është fuqizimi ekonomik i grave. 5 milionë euro grant do të vihet në dispozicion për krijimin e 1 000 bizneseve të reja nga gratë sipërmarrëse, si dhe mbështetje për gratë dhe vajzat në sektorin e artizanatit dhe bujqësisë, përmes lehtësive dhe financimeve të drejtpërdrejta.

Basha nënvizoi se ekonomia do të mbështetet edhe përmes politikave fiskale të qarta si: taksa e sheshtë 9%, heqja e “taksës Rama” mbi karburantet, ulja e detyrimeve për biznesin e vogël dhe eliminimi i privilegjeve për oligarkët. “Ne kemi një program të qartë që flet për drejtësinë, për çmimet, për pagat, për mbështetjen e familjeve dhe për një ekonomi që u jep mundësi të gjithëve. Me një ekip profesionistësh dhe njerëzish të ndershëm, besojmë se Shqipëria mund të bëhet më e mirë”, u shpreh ai.

Basha shtoi se gjatë kësaj fushate do të jetë në çdo lagje, rrugë dhe rrugicë të kryeqytetit për të dëgjuar qytetarët dhe për t’u ofruar zgjidhje reale. Në fund të takimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të besojnë te Shqipëria dhe të votojnë më 11 maj për alternativën e vetme që sjell ndryshim të vërtetë: Koalicioni Euroatlantik, numri 4 në fletën e votimit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular