Kryeministri Edi Rama, i cili zhvilloi sot një takim me shqiptarët e Greqisë në Athinë, deklaroi se ligji i luftës mes dy vendeve duhet të hiqet.
Teksa e cilësoi ligjin e luftës absurd, Rama tha se qeveria shqiptare dhe ajo greke do të punojnë për të hapur një epokë të re partneriteti strategjik Shqipëri-Greqi.
Në fjalën e Ramës nuk mungua as akuzat për opozitën. Kryeministri tha se në shumë raste opozita ka ndërhyrë në këtë çështje, të cilën sipas tij e ka komplikuar dhe ngatërruar më shumë, në vend që ta rregullojë.
Edi Rama: Ligji i luftës absurditet. Ka një ligj absurd, insistimi ynë është që ky ligj duhet të hiqet edhe kjo edhe çfarë ka çështje të mbetura ku është ngatërruar politika padrejtësisht dhe bufat kanë bërë rrëmuja dhe kanë futur gjithë dynjanë në sherr, ne do ja dalim dhe në bashkëpunime me miqtë e Greqisë të hapet një epokë partneriteti strategjik.
Çfarë përmban ligji i luftës me Greqinë
Më 28 tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e saj përmes territorit të aneksuar të shtetit shqiptar. Më 10 nëntor 1940 shpallet dekreti mbretëror grek nr. 2636 “mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike”. Në bazë të këtij ligji, pasuritë e shqiptarëve anembanë Greqisë u vunë nën sekuestrimin konservativ dhe si pasojë, ato do të administroheshin nga shteti grek.
Më 28 gusht 1987, qeveria greke vendos për heqjen e ligjit të luftës, mirëpo pa e botuar në gazetën zyrtare. Ekzistojnë disa akte nënligjore që bazohen te ligji i luftës. Greqia me dy akte nënligjore të Ministrisë së Financave (nr. 14882) dhe Ministrisë së Ekonomisë (nr. 3574), si dhe me ligjin nr. 4506/1965, ka bërë përjashtim për shtetasit shqiptarë me kombësi greke, duke iu dhënë të drejtën e rifitimit të pronave të sekuestruara.
Këtë aktsekuestro e ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese greke edhe në vitin 1970, duke shpallur vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jogreke, deri në momentin e shfuqizimit të Ligjit të Luftës dhe të nënshkrimit të traktatit të paqes mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Më 29 shtator 1976, prokurori apelit në Janinë, Vasilios Xhavellas, i shkruan Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë që ishte detyruar nga po kjo ministri të zhdukte të gjitha dosjet me çështjet penale që shteti grek kishte hartuar ndaj popullsisë çame. Deri më sot, dekreti i gjendjes së luftës me Shqipërinë dhe ligji i sekuestros për pronat e shqiptarëve nuk janë shfuqizuar.