Nga Bujar Leskaj
Në një tentativë të paskrupullt për të zvogëluar dhe relativizuar forcën e premtimeve ekonomike dhe ideve novatore të Partisë Demokratike në programin e saj ekonomik për zgjedhjet e 11 majit 2025, si miratimi i Minimumit Jetik Zyrtar prej 200 euro dhe Karta e Konsumatorit, kryetari i sektit në qeverisje bëri kopjacin dhe premtoi pensionin minimal 200 euro. Që është e njëjta gjë, pasi automatikisht, sapo të miratohej Minimumi Jetik Zyrtar, pensioni minimal shkonte 200 euro.
Kopjimi i programit ekonomik dhe politik të Partisë Demokratike, kuptohet qartë nga fakti se PD-ja e ka prezantuar programin e saj 1 vit më parë. 15 muaj më parë, Prof. Dr. Sali Berisha dërgoi në Kuvend projektligjin për Minimumin Jetik Zyrtar, duke përzgjedhur minimumin jetik të përllogaritur nga Avokati i Popullit dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës(ILO).
Që nga tetori i vitit 2013 dhe deri në nëntor të vitit 2024, janë 11 buxhete që sekti Rama në pushtet i përgatiti, pa mbajtur premtimin e vet zgjedhor të vitit 2013, për të miratuar në Kuvend, në formë ligji, Minimumin Jetik Zyrtar, të domosdoshëm për të trajtuar me dinjitet qytetarët në asistencë sociale dhe pensionistët, shtresat më në nevojë të shqiptarëve.
Rama i gënjeu me paturpësi shqiptarët, kur nuk mbajti për 11 vite rrjesht premtimin e vitit 2013. Po i gënjen dhe mashtron edhe tani po paturpësisht ata, kur kopjon si rrenacak i sëmurë, premtimin e Partisë Demokratike.
Vetëm duke përcaktuar Minimumin Jetik Zyrtar, vendi ynë do të mund të zbatojë me seriozitet Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të qytetarëve. Minimumi Jetik Zyrtar vendos një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat e sigurimeve shoqërore, ato sociale dhe ekonomike te vendit, duke u ofroruar garancitë qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të domosdoshme dhe dinjitoze të jetesës.
Mjafton të përmend që sot pensioni mesatar për pjesën më të madhe të 731 mijë pensionistëve të vendit është poshtë minimumit jetik të përcaktuar nga një studim profesional i Avokatit të Popullit dhe i ILO. Janë mbi 521 mijë pensionistë, krahas 62 mijë familjeve që përfitojnë një ndihmë sociale qesharake, që jetojnë nën kufirin e minimumit jetik.
Është e pafalshme për një vend si Shqipëria, i cili ka filluar bisedimet teknike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që të mos e përafrojë legjislacionin e vet në fushën e mbrojtjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, me standardin e Minimumit Jetik të Bashkimit Evropian. Seicili Shtet Anëtar i BE-së e ka në ligj përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar të vendit te tij.
Përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar është një detyrë kushtetuese! Minimumi jetik përfaqëson një normë ligjore, e cila buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve tanë. Mosshndërrimi i tij në ligj dëshmon indiferencën e plotë dhe vrastare të qeverisë së sotme ndaj mbrojtjes së të drejtave ekonomike esenciale të qytetarëve në nevoje dhe pensionistëve.
Përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar, këtë premtim dhe detyrë të shenjtë, Partia Demokratike do ta realizojë brenda tre muajve të parë të qeverisjes së saj, pas zgjedhjeve të 11 majit 2025. Ndryshe nga mashtruesi dhe plagjatori dy metra i Shqipërisë.