Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati ka marrë pjesë në mbrëmjen gala “American Patriots” të organizuar në rezidencën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump në Mar A Lago, Florida.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Elona Nallbati dhe dy miqtë e tij shqiptaro-amerikan Aurel Ago dhe Ronald Tërolli deputeti ka takuar disa personalitete të administratës Trump.
Detajet e vizitës dhe takimet e zhvilluara në Florida, deputeti demokrat i ka ndarë përmes një postimi në rrjetet sociale.
Vlen të theksohet takimi me Sekretaren për Sigurinë e Brendshme të Shteteve të Bashkuara, Kristi Noem me të cilën, siç bën të ditur Nallbati, kanë folur për partneritetin SHBA-Shqipëri njëkohësisht dhe për aleancën e Partisë Republikane Amerikane dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë, si parti që ndajnë të njëjtat vlera dhe parime mbi demokracinë, familjen, të drejtat dhe liritë njerëzore.
Kënaqësi e vecantë takimi me Sekretaren e Sigurisë së Brëndshme të SHBA Kristi Noem, ku diskutuam për bashkëpunimin me Partinë Demokratike dhe besimin e palëkundur se Shqiperia nuk ka aleat më të mirë se SHBA dhe SHBA nuk ka partner më të mirëse Partia Demokratike në betejën për siguri dhe luftë ndaj trafiqeve ilegale”, shkruan Nallbati.
