Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç thotë se mbështet plotësisht integrimin në BE të vendeve të Evropës juglindore, përfshirë këtu edhe Ukrainën.
Ai thekson se situata që mbretëron aktualisht në rajon, duhet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Evropian.
“Vendet e Evropës Juglindore janë në vijën e parë për t’u futur në BE. Ne i mbështesim të gjitha, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën, ku kroatët përfaqësojnë një pjesë të popullsisë bashkë me serbët dhe boshnjakët. Të gjithë fqinjët tanë, miqtë tanë, duhet të plotësojnë kriteret e anëtarësimit”, thekson ai për France24.
Në kohën kur disa shtete të Ballkanit shoqërohen me protesta të mëdha dhe kur ndikimi rus është i pranishëm, Andrej Plenkoviç thekson nevojën për “të diskutuar situatën në Ballkanin Perëndimor në Këshillin e ardhshëm të BE-së”.
Ai përmend Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat, sipas tij, “janë të gatshme të përshpejtojnë integrimin e tyre në BE”. Sidoqoftë, ai bën thirrje për kujdes.
“Ekziston një situatë politike dhe tensione për të cilat Evropa duhet të kujdeset fillimisht. Duhet vepruar për stabilitetin, duke mbështetur forcat politike që janë për stabilitetin dhe integrimin evropian”, tha ai.