Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi, ka publikuar një reagim kundër asaj që e quan “ekonomia e oborrit të pakicës”, duke denoncuar polarizimin ekstrem të pasurisë në Shqipëri.
“Sot, 4.5% e shqiptarëve zotërojnë 58% të kursimeve në banka, ndërsa 1 në 3 shqiptarë nuk ka asnjë qindarkë në llogari”, shkruan Jupi, duke e cilësuar këtë si një marrëveshje të fshehtë mes pushtetit dhe një pakice të privilegjuar.
Në mesazhin e saj, ajo ngre shqetësimin për një sistem të kalbur ekonomik, të ndërtuar mbi koncesione të dyshimta dhe PPP të korruptuara, ku qeveria takson më fort mësuesit dhe infermierët sesa korporatat klienteliste. “Shqipëria ndërton grataçela, por jo shkolla. Lartëson kulla, por zbraz shpresat”, thekson Jupi, duke u distancuar nga një model që, sipas saj, shpërblen lidhjet dhe spekullimin, por ndëshkon ndershmërinë dhe punën.
Mesazhi i saj është një thirrje për një reformim të thellë të sistemit: “Ne kemi nevojë për një ekonomi që shpërblen punën, jo lidhjet. Që mbështet familjet dhe sipërmarrjet e ndershme, jo ‘investitorët strategjikë’ që gëlltisin pronën publike dhe nuk lënë gjë pas”. Në përmbyllje, Jupi thekson: “Shqipëria nuk është për t’u shitur. Dhe nuk ka as për të heshtur.”
#ShqipëriaMeritonMëShumë ✅Voto #4 – Koalicioni Euroatlantik
#votoTaulandaJupi #11maj
Postimi i Plotë
Ekonomia e oborrit të pakicës, barrë në shpinën e shumicës
Në zemër të çdo vendi të lirë duhet të qëndrojë një kontratë e ndershme midis qytetarit dhe shtetit. Por në Shqipëri, kjo kontratë është tradhëtuar. Sot, 4.5% e shqiptarëve zotërojnë 58% të kursimeve në banka, ndërsa 1 në 3 shqiptarë nuk ka asnjë qindarkë në llogari. Kjo nuk është ekonomi. Kjo është një marrëveshje e fshehtë mes pushtetit dhe një pakice të privilegjuar që po shtrydh gjithçka nga ky vend, ndërkohë që shumicës i kërkohet të heshtë dhe të paguajë.
Ky polarizim nuk është aksident. Është produkt i drejtpërdrejtë i një modeli ekonomik të kalbur, i ndërtuar mbi koncesione të dyshimta, PPP të korruptive, dhe tendera që i ndajnë të njëjtët emra, të njëjtët xhepa në të njëjtin oborr. Ky është sistemi ku qeveria takson rrogën e mësueses dhe të infermierit më shumë se fitimin e korporatave klienteliste. Është një regjim fiskal që e shet Shqipërinë për 1 euro investitorëve të preferuar, ndërkohë që i ngre taksat qytetarëve të zakonshëm deri sa t’u thyejë kurrizin.
Shqipëria e Edi Ramës ndërton grataçela, por jo shkolla. Lartëson kulla, por zbraz shpresat. Këta nuk janë investitorë. Janë pastrues të parave të korrupsionit dhe trafiqeve, të cilët qeveria i mban afër si “strategjikë”, ndërsa popullin e vet e sheh si barrë. Sepse në Shqipërinë e sotme, të jesh i zakonshëm është krim, ndërsa të jesh mik i oborrit, është privilegj.
Por një vend që takson punën dhe shpërblen spekullimin është një vend që po shemb themelet e veta. Ne nuk mund të kemi zhvillim kur ekonomia komandohet nga interesa private që i diktojnë shtetit se çfarë ligjesh të bëjë, cilët prokurorë të shantazhohen dhe cilët gazetarë të sulmohen.
Nuk ka asnjë reformë të vërtetë pa një ndryshim të thellë të këtij modeli. Ne kemi nevojë për një ekonomi që shpërblen punën, jo lidhjet. Që mbështet familjet dhe sipërmarrjet e ndershme, jo “investitorët strategjikë” që gëlltisin pronën publike dhe nuk lënë gjë pas.
Shqipëria që dua është ajo ku fëmijët rriten me mundësi, jo me borxhe. Ku taksat përdoren për zhvillim, jo për dekorim të pasurisë së miqve të pushtetit. Ku çdo qytetar, pa dallim, jeton me dinjitet dhe e ndjen se ky vend është i tiji.
Sepse Shqipëria nuk është për t’u shitur. Dhe nuk ka as për të heshtur.
#votoTaulandaJupi
#voto4
#votokoalicionieuroatlantik
#11maj