Nga Agron DUKA/Kryetar i PAA
Edhe këtë pranverë, moti, me luhatjet e tij, goditi bujqësinë në zonat malore, në Veri dhe Juglindje. Reshjet e borës që ranë të dielën, të shoqëruara me temperatura të ulëta, janë shkatërruese për bujqësinë në këtë kohë, veçanërisht për sektorin e frutikulturës. Pemët që ndërkohë kishin lulëzuar, pësojnë dëme të pariparueshme, në prodhimin e këtij viti, por edhe në afat të gjatë.
PAA kërkon nga autoritetet vendore dhe qendrore që të bashkëpunojnë me fermerët për të parë shkallën e dëmeve dhe të shikohet mundësia e çdëmtimit të tyre.
Këto luhatje të motit, që po bëhen të zakonshme vitet e fundit, janë pasojë e ndryshimit të klimës, dhe PAA ka kërkuar vazhdimisht marrjen e masave për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve.
Qeveria socialiste, gjatë tre mandateve të saj, ka injoruar tërësisht çështjet e mjedisit dhe të klimës. Duhet që të mbështesim kërkimin shkencor në këtë drejtim. Moti po dëshmon me forcë që është një kërcënim serioz për bujqësinë tonë, e cila edhe kështu siç është, është shumë e brishtë në raport me konkurrueshmërinë e vendeve fqinje. Reshjet e borës, luhatja e temperaturave, breshëri, stimulimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve të rinj, na kanë vënë para sfidave të mbijetesës së këtij sektori.
Në kuadër të Aleancës “Shqipëria Madhështore”, PAA ka propozuar një program shumë ambicioz për të mbështetur dhe zhvilluar sektorin e bujqësisë, dhe pjesë e tij është edhe puna për ta përshtatur atë me kushtet e reja të klimës.
Ne nuk e ndryshojmë dot klimën, nuk e ndalojmë dot borën as në prill e as në maj, nëse do të bjerë, por ne duhet të punojmë që të përshtatemi, siç po përpiqet e gjithë bota e zhvilluar. Ne duhet të riorientojmë bujqësinë: ku, kur dhe çfarë të mbjellim në zona të caktuara. Të zhvillojmë kërkime mbi mënyrën e përballimit me sëmundjet dhe dëmtuesit e rinj që po zhvillohen në këto kushte.