HomeOP EDNeoshqiptarizmi, rruga nga ekzistenca drejt përmbushjes kombëtare

Neoshqiptarizmi, rruga nga ekzistenca drejt përmbushjes kombëtare

spot_img

ARIAN GALDINI

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët ekzistojnë, por pyetja themelore mbetet: A jemi duke u përmbushur si komb? Kjo është një pyetje që nuk ka të bëjë me numra, as me statistika demografike, as me kilometrat katrorë të territoreve ku flitet shqip. Ka të bëjë me atë që jemi në thelb, me ndërgjegjen, me përkatësinë, me projektin jetësor që ndërton një bashkësi të vërtetë me rrënjë, me vlera dhe me vizion.

Në thelb të këtij reflektimi qëndron bindja se popujt nuk zhduken vetëm kur pushtohen nga jashtë, por edhe, dhe shpesh më shpejt e më fort e më keqazi, kur zhbëhen nga brenda. Kur e humbin narrativën që i mban bashkë. Kur përkatësia bëhet rastësi e pasivitet, jo zgjedhje dhe përkushtim. Këtu hyn Neoshqiptarizmi. Neoshqiptarizmi vjen si rikthim në vetëdije, jo në folklor. Për shumë dekada, shqiptaria është keqpërdorur ose si mit i shenjtëruar, që nuk lejon pyetje, ose si etnitet folklorik, që nuk përfshihet në projektim të së ardhmes. Në njërin rast, ajo mbyll gojën e arsyes.

Në tjetrin, humb forcën e orientimit. Shqiptaria është bërë shpesh ose ikonë pa jetë, ose anekdotë pa peshe. Por një komb nuk mund të qëndrojë gjatë pa një strukturë mendimi dhe ndjeshmërie që i jep përkatësisë kuptim të thellë. Kjo është ajo që bën Neoshqiptarizmi, e nxjerr shqiptarinë nga rafte muzeale dhe nga skena ceremonialesh boshe dhe e kthen në një mënyrë të qenies dhe të jetesës. Ai propozon një shqiptarizëm që është akt ndërgjegjeje e jo vetëm rastësi gjuhësore apo gjeografike. Një shqiptarizëm që buron nga zgjedhja për të jetuar me përgjegjësi, jo vetëm për të kujtuar me nostalgji. Ai na fton të jemi shqiptarë jo si ndjesi, por si virtyt. Jo si identitet i dhënë, por si detyrë e zgjedhur. Neoshqiptarizmi vjen si moral kolektiv në kohë të krizës së kuptimeve. Në epokën moderne, ku gjithçka është relativizuar, kombi si ide nuk ka vdekur, por ka humbur moralin e vet. Janë zbehur përmasat etike të bashkësisë kombëtare. Sot, shumë shpesh, jemi shqiptarë në emër, në pasaportë, në emocione të shpërthyera në stadiume apo në tragjedi. Por nuk jemi shqiptarë në përditshmëri, në përkushtim, në kulturë, në projekt. Neoshqiptarizmi vjen si një doktrinë që i rikthen përkatësisë kombëtare përmasën morale.

Ai nuk është retorikë nacionaliste që thërret për krenari të shkuar. Është etikë e përgjegjësisë për të ndërtuar një bashkësi që nuk e vret vetveten përditë përmes mllefit, përçarjes, korrupsionit, zilisë, harresës. Neoshqiptarizmi është një moral i rrallë në një kohë imoraliteti të zakonshëm. Ai nuk kërkon të përjashtojë, por të ndërtojë një bashkësi që e njeh veten përmes virtytit dhe vlerës, jo përmes viktimizimit apo izolimit. Neoshqiptarizmi vjen që të kalojmë nga kombi i dhimbjes te kombi i vetëdijes dhe krijimit. Shqiptarët kanë mbijetuar në shekuj si komb i dhimbjes, por historia ka treguar se mbijetesa e gjatë, pa një vizion të përbashkët dhe etikë krijuese, të çon në shterim. Në harresë të arsyes përse jemi bashkë. Neoshqiptarizmi kërkon ta kthejë shqiptarinë në frymëmarrje krijuese, jo vetëm në kujtesë plagësh.

Ai është rrëfimi i një kombi që nuk e mohon të kaluarën, por nuk lejon që e kaluara ta mbajë peng. Ai nuk është apologji e vuajtjes, por manifest i mundësisë për të ndërtuar të ardhmen me frymë dhe me kuptim. Ai na thotë se nuk mjafton të jesh shqiptar që ke duruar. Duhet të jesh shqiptar që ndërton. Nuk mjafton të jesh shqiptar që kujton. Duhet të jesh shqiptar që krijon. Sociologjia e shpërbërjes dhe domosdoshmëria e një doktrine si Neoshqiptarizmi. Shqiptarët, sociologjikisht janë sot komb i fragmentuar në rrafshe të shumëfishta: ekonomike, politike, krahinore, kulturore, psikologjike. Kemi një komb të copëtuar emocionalisht dhe imagjinativisht. Në një realitet të tillë, ne nuk kemi luksin e indiferencës filozofike. Kemi nevojë për një ide të qartë për bashkimin, jo vetëm territorial, por shpirtëror e moral. Kemi nevojë për një kujtesë të gjallë, një narrativë të re, një etikë të përbashkët, që na thërret jo të imitojmë, por të krijojmë. Jo të garojmë për mbijetesë, por të bashkëkrijojmë për të qenë më shumë se kurrë bashkë si shqiptarë. Neoshqiptarizmi është modeli më i qartë që kemi sot për ta bërë këtë. Jo si doktrinë që kërkon pushtet, por si strukturë që kërkon vetëdije dhe rilindje e ripërtëritje të përbashkët. Për një shqiptari që nuk thërret më vetëm në krizë, por që frymëzon përherë.

Për shumë kohë, shqiptaria është aktivizuar vetëm kur është kërcënuar. Kur jemi plagosur, kemi thirrur njëri-tjetrin. Kur jemi rrezikuar, kemi kujtuar kush jemi. Neoshqiptarizmi kërkon ta çlirojë shqiptarinë nga varësia e krizës. Të mos na duhet më një armik që të kujtojmë se jemi një. Të mos na duhet një tragjedi që të shfaqim vlera. Të mos na duhet një fatkeqësi për të shfaqur ndjenjën e përkatësisë. Ai kërkon ta bëjmë shqiptarinë një projekt të përhershëm të jetës sonë individuale dhe kolektive, një mënyrë për të qenë më të ndershëm, më të thellë, më të vërtetë. Një shqiptarizëm që është po aq përditshmëri, sa është dashuri.

Neoshqiptarizmi vjen si rruga e vetme drejt një shqiptarie të denjë për shekullin XXI. Në fund të këtij reflektimi, vetëm një gjë mbetet e qartë: Ose do të kemi një shqiptarizëm të ri, të ndërtuar mbi vlera, vizion dhe vetëdije, ose do të zhbëhemi përmes boshllëkut të vetvetes. Neoshqiptarizmi nuk është një luks filozofik a doktrinor.

Është një domosdoshmëri etike, politike dhe shoqërore për të mbijetuar jo thjesht si emër, por si vlerë. Jo thjesht si komb që ka qenë, por si komb që duhet të bëhet. Ai nuk ofron premtime, por shtigje për përgjegjësi. Nuk jep receta, por ngre pasqyra. Dhe në to, ne shqiptarët shohim për herë të parë veten jo siç kemi qenë, por siç mund të jemi. Dhe kjo është ajo që e bën Neoshqiptarizmin rrugën, dritën dhe sfidën tonë më të madhe, për të mos qenë më një emër që thuhet, por një komb që ngrihet./

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular