Në puntatën e fundit të sezonit të shkuar të “Ferma VIP”, Fjoralba Ponari u shpreh se edhe vitin e ardhshëm do të ishte ajo në moderimin e formatit. Edhe javë pas këtij spektakli, moderatorja i përgjigjej ndjekësve se sezoni i dytë do të niste së shpejti dhe ajo do të rikthehej përsëri në ekran.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pak muaj më parë, Fjoralba nisi të angazhohej me një film, ku edhe do të bënte debutimin e saj si aktore. Kaq mjaftoi që të nisnin dyshimet se diçka kishte ndodhur me planet e saj për moderim.
Megjithatë, vetë prezantuesja zgjodhi që mos të fliste publikisht për planet e saj, duke u fokusuar vetëm tek filmi. Kaq mjaftoi që të nisnin lajmet se në fakt, ajo nuk do të ishte moderatore e “Ferma VIP”, duke u larguar kështu edhe nga ky televizion.

Ishte Isli Islami ai që përflitej si mikpritës i këtij formati reality, pas “Albanian Got Talent”, që ai moderoi për muaj me radhë. Por teka gjithçka bëhej gati, një tjetër emër u fut në ‘garë’ për moderimin, dhe ishte pikërisht emri që edhe ia doli të ‘mbizotëronte’. Bëhet fjalë pikërisht për Luana Vjollcën, që pas prezantimit të “Love Island” ishte distancuar nga ekrani.

Por prezantuesja ia ka dalë që të fitojë këtë pozicion, duke u bërë kështu edhe moderatorja e këtij sezoni. “Ferma VIP” nisi javën e shkuar, ku Luana e nisi me një thumb për kolegët, por edhe për televizionet e tjera.
Por duket se ky format nuk ka kaluar pa disa hatërmbetje. Bëhet me dije se pozicionimi i saj tek reality, ka sjellë edhe një shkëputje mes saj dhe Fjoralba Ponarit.

Ndonëse dy vajzat nuk kanë qenë kurrë mikesha, mes tyre nuk kishin asnjë konflikt, deri pak javë më parë. Kështu, kur Fjoralba ka kuptuar se do të ishte Luana ajo që do ta zëvendësonte, e ka larguar nga Instagrami i saj.
Nga ana tjetër as Luana nuk e ndjek më Fjoralbën në rrjetet sociale, duke zbuluar kështu edhe hatërmbetjen e tyre. Nuk dihet nëse mes dy vajzave ka pasur komunikim apo jo, por ajo që dihet me siguri është fakti se mes tyre nuk do të ketë më një shoqëri.

E teksa sezoni i dytë i “Ferma VIP”, nisi javën e shkuar, Fjoralba zgjodhi që mos të bënte asnjë publikim për këtë format, as urim dhe asnjë mbështetje.
Duket qartazi fakti se raporti i saj me produksionin është krisur njëherë e mirë, duke lënë jashtë televizionit të paktën edhe për këtë vit moderatoren. Nga ana tjetër, Luana u shpreh në natën e parë, se ndoshta ky format nuk do të ishte më i klikuari, por premtoi atmosferë të mirë dhe një spektakël të mirëfilltë.

E teksa raporti mes dy vajzave ka përfunduar njëherë e mirë, Luana do të jetë e angazhuar për 100 ditë në moderim, sakaq që Fjoralba do të vijojë me angazhimet e filmit të saj, duke u distancuar për disa kohë nga moderimi.