HomeKulture"Në një kohë kur frika ishte ligj, e vërteta jetonte në heshtje"/Ahmet...

“Në një kohë kur frika ishte ligj, e vërteta jetonte në heshtje”/Ahmet Prençi: Një reflektim mbi romanin “Terror në strufkullën e terroristëve” të Marcel Hilës

spot_img

Nga Ahmet Prençi
Në një kohë kur shumë të rinj e njohin diktaturën vetëm si një faqe të errët në librat e historisë, vepra si kjo e Marcel Hilës janë më të nevojshme se kurrë.

Romani “Terror në strufkullën e terroristëve” është një nga përshkrimet më të fuqishme dhe autentike të Shqipërisë së izolimit komunist.

Ky libër nuk është vetëm një rrëfim për një periudhë të dhunshme, është një roman që të zgjon, të trondit dhe të bën të mendosh.

Në qendër të romanit, autori ka vendosur Pirro Polasterin, një drejtues i lartë komunist, i paditur, i pashpirt dhe thellësisht imoral. Ai nuk ka as njohuri, as vlera – por arrin në majat e pushtetit falë besnikërisë ndaj sistemit, servilizmit dhe brutalitetit.

Pirro jeton në Bllokun komunist, ku përfaqësuesit e “proletariatit” jetojnë në luks, ndërsa populli vuan. Ai është simboli i atyre që ngriti regjimi në kurriz të dijes dhe njerëzisë.

Në roman përshkruhet me hollësi se si Sigurimi i Shtetit – policia sekrete e regjimit – funksiononte si një aparat terrori. Arrestimi i grupit të Teme Sejkos, fabrikimi i “armiqve”, torturat dhe hetimet pa prova tregojnë një sistem që vriste para se të mendonte.

Metodat e Sigurimit nuk ishin të rastësishme – ato ishin të strukturuara, me synimin për të kontrolluar çdo frymëmarrje dhe për të zhdukur çdo ndjesi lirie. Këtë na e përcjell romani në mënyrë të plotë e të mrekullueshme.

Figura e Enver Hoxhës del qartë në këtë roman përmes dialogjeve që zhvilloheshin në Byronë Politike – me Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Kadri Hazbiun dhe të tjerë. Ai paraqitet si një udhëheqës paranojak, që i njeh mirë dobësitë e të tjerëve dhe i përdor ato për t’i kontrolluar.

Vendimi për t’u shkëputur nga Bashkimi Sovjetik, më shumë se politikë, del si një akt i frikës për të mos humbur pushtetin. Enveri kishte nevojë për armiq – të brendshëm apo të jashtëm – që të justifikonte dhunën dhe izolimin.

Çfarë e bën këtë roman të veçantë është mënyra se si ndërthuren trishtimi, grotesku, humori i zi dhe absurdi. Nuk është thjesht një histori – është një përjetim. Një dokument letrar që të fut në një botë ku gjithçka është përmbysur: ku drejtësia dënon të pafajshmit, dhe e vërteta ndëshkohet si krim.

Me kete rast nuk mund te lë pa kujtuar një vepër tjetër brilante të autorit Marcel Hila, “Internimi i kufomës” i cili shkon edhe më tej: aty paraqitet një realitet ku edhe të vdekurit nuk janë të sigurt. Një metaforë e fuqishme për një regjim që s’kishte as kufij moralë, as ndjeshmëri njerëzore.

Këto romane të Marcel Hilës, nuk janë vetëm për ata që e kanë jetuar atë kohë, por edhe për gjeneratat e reja, që duhet të kuptojnë çfarë ndodhi, që të mos përsëritet më.

Lexojeni!

Rrënqethës, i vërtetë dhe tronditës.

Falënderime për Marcel Hilën, që i jep zë kujtesës sonë të heshtur.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular