Një nga futbollistët më simpatik të Kombëtares ka ndryshuar statusin. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se Nedim Bajrami është duke kaluar një romancë me moderatoren e njohur në Kosovë, Lorina Dula.
Të dy janë munduar ta mbajnë sa më të fshehtë lidhjen e tyre, ndërsa gazeta zbulon që prej pak kohësh, mesfushori nuk është më beqar. Lorina jeton në Prishtinë dhe është moderatore e një emisioni sportiv në “Klan Kosova”.

Ajo bëri bujë me emisionin “Euroshow” gjatë zhvillimit të Kampionatit Europian në Gjermani verën e kaluar.
Që nga muaji nëntor, Lorina ka ndjekur nga afër ndeshjet e Kombëtares shqiptare dhe siç duket nuk mungojnë pozimet edhe me fanellën kuqezi, e cila me shumë mundësi është dhuruar nga djaloshi që i ka rrëmbyer zemrën.

Të dy janë treguar të kujdesshëm dhe nuk kanë publikuar asnjë foto bashkë në rrjetet sociale.
BAJRAMI Nedimi është duke vijuar aventurën e tij në kampionatin skocez. I blerë me shumë bujë nga Rejnxhërs, Bajrami e nisi mirë dhe u duk sikur u përshtat shpejt në një ambient të ri. Disa gola dhe paraqitje të mirë në Ligën e Europës, dukej se gjithçka do të shkonte perfekt për mesfushorin.

Por, kurba e tij vijoi në rënie. Bajrami e humbi vendin si titullar dhe nuk luan nga fillimi në shtatë ndeshjet e fundit në kampionat. Ai u preferua vetëm në ndeshjen e kthimit në “Europa League” kundër Fenerbahçes, ku ekipi humbi.

Ditën e sotme, Bajrami me Rejnxhërsin do të sfidojnë Atletik Bilbaon në shtëpi, në fazën çerekfinale të Ligës së Europës dhe nuk dihet nëse 26-vjeçari do të jetë në formacion. Mesfushori, i cili prej kohësh është spostuar në krah, u kritikua edhe për paraqitjen e dobët në ndeshjen me Anglinë, teksa kundër Andorrës, ishte një prej lojtarëve, të cilin Silvinjo e uli në stol. KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL





