Tiranë, 10 prill 2025 – Wolt, kompania teknologjike amerikano-finlandeze, ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Lisandri Dragoj si Drejtor të Përgjithshëm për Wolt në Shqipëri dhe Kosovë. Me mbi 16 vite përvojë në transformimin e bizneseve, udhëheqjen strategjike dhe inovacionin e orientuar drejt klientit, Lisandri sjell një bagazh të pasur ekspertize për të përshpejtuar rritjen e vazhdueshme të Wolt në tregun shqiptar dhe atë kosovar.
Gjatë karrierës së tij, Lisandri ka sjellë inovacion dhe ka drejtuar me sukses ekipe të departamenteve të ndryshme në role strategjike. Në pozicionet e tij të mëparshme drejtuese brenda kompanive ndërkombëtare të telekomunikacionit dhe teknologjisë, ai ka luajtur një rol kyç në transformimin e bizneseve, forcimin e angazhimit me klientët dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike. Aftësia e tij e vërtetuar për të menaxhuar ekipe të larmishme dhe për të përputhur objektivat e biznesit me nevojat e konsumatorëve e bëjnë atë kandidatin ideal për të drejtuar operacionet e Wolt në Shqipëri.
Ndërsa Wolt vazhdon të zgjerojë praninë e saj në Shqipëri, Lisandri do të fokusohet në nxitjen e rritjes së tregut, forcimin e partneriteteve lokale dhe ofrimin e një shërbimi të shkëlqyer për klientët, korrierët dhe partnerët tregtarë. Njohuritë e tij të thella mbi ekosistemin digjital dhe mbi nevojat në zhvillim të konsumatorëve shqiptarë do të jenë thelbësore për suksesin që pritet të ketë kompania në vend.
“Është një nder i madh të bashkohem me një kompani që po ridimensionon mënyrën se si njerëzit përjetojnë shpërndarjen e ushqimit dhe produkteve të tjera. Ajo që më entuziazmon më shumë te Wolt është përkushtimi i saj i fortë për të mbështetur ekonominë lokale – duke fuqizuar bizneset e vogla, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe duke nxitur rritjen në komunitetet ku shërben. Ky mision përputhet në mënyrë të përsosur me pasionin tim për transformimin e bizneseve dhe rritjen strategjike. Me padurim pres të udhëheq ekipet në Kosovë dhe Shqipëri teksa vazhdojmë të përmirësojmë shërbimet tona, të forcojmë partneritetet dhe të lëmë një ndikim të qëndrueshëm në tregun dhe konsumatorin vendas,” u shpreh Lisandri Dragoj.
Wolt është një kompani teknologjike me seli në Helsinki, e cila ofron shërbime shpërndarjeje online për klientët, tregtarët dhe korrierët. Platforma lidh njerëzit, të cilët dëshirojnë të porosisin produkte të ndryshme, me ata që duan t’i shesin dhe t’i shpërndajnë. Për të bërë të mundur këtë, Wolt ka zhvilluar një sërë teknologjish të avancuara, përfshirë infrastrukturë logjistike lokale, zgjidhje për tregtarët dhe mjete financiare.
E themeluar në vitin 2014, Wolt u bashkua me DoorDash në vitin 2022. Organizata e përbashkët operon aktualisht në 31 shtete, me misionin për të krijuar mundësi të reja dhe për të përmirësuar jetën urbane, duke fuqizuar komunitetet lokale përmes inovacionit dhe zgjidhjeve të zgjuara. Në Shqipëri, Wolt nisi operimet në Tiranë në vitin 2024 dhe u shndërrua brenda një kohë të shkurtër në një nga platformat udhëheqëse të shpërndarjes në vend. Nisur nga ky sukses, Wolt zgjeroi operacionet edhe në Durrës muajin e kaluar, duke forcuar më tej praninë e tij në tregun shqiptar dhe duke sjellë shpejtësinë, komoditetin dhe cilësinë karakteristike për më shumë përdorues dhe partnerë lokalë.