Nga Eduard Kelmendi
Të nderuar miq, vëllezër dhe motra bashkëqytetarë të mi të Tironës dhe Tiranës. Kur jemi një ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale dhe unë jam kandidat i Koalicionit Euroatlantik, me drejtues politik Lulzim Bashën, me duhet të them arsyet që më shtynë të pranoj propozimin e strukturave dhe ftesën e lidershipit, për të qenë në këtë betejë elektorale.
Së pari; pranimi i ftesës ka qenë për arsye parimore, sepse unë e gjej veten tek ky grupim, tek kjo forcë politike, tek drejtuesi i saj, një njeri vizionar, me formim perëndimor dhe njeri me sjellje qytetare.
Lulzim Basha ka qenë i qartë në rrugëtimin e tij, por me shkopinj nën rrota brenda dhe jashtë nesh, ata nuk deshën që Basha të ishte kryeministër i Shqipërisë. Fakt është se e sabotuan rrugës dhe që të ndodhte ajo çfarë kemi parë nga 2021, e kemi sot para sysh, riciklimet.
Kjo është e papranueshme për ne të paktën që brenda strukturash i dimë shumë mirë se si kanë ardhur gjërat deri në këtë pikë. Kam besuar dhe besoj që Lulzim Basha ka bërë më të mirën dhe ka patur sigurisht dëshirën dhe punuar për të ardhur në pushtet, por xhaketat e vjetra nuk donin që ai të fitonte zgjedhjet dhe përmes makinacionesh që dihen, e lanë PD në opozitë për të iu turrur më pas të gjithë bashkë!
Së dyti; unë kam qenë personalisht dhe familjarisht kontribuues i vjetër ndër radhët tona. Kam besuar se meritokracia si standard mes nesh së pari, do të ishte kriteri bazë për të patur një karrierë në një familje të shëndoshë politike, e më pas për të shkuar tek shqiptarët dhe kërkuar besimin e tyre, për të fituar zgjedhjet dhe këtë standard ta aplikonim dhe në një qeverisje të suksesshme. Por, kur konstatova se të njëjtat relike politike brenda nesh, donin të mbanin gjithçka nën kontroll, mendova të ndjek rrugën time.
Të mbash peng një forcë politike me të njëjtat relike gjatë 34 viteve dhe të kërkosh të shkosh tek shqiptarët si risi, si alternativë, si e ardhme, kjo është e pamundur.
Ndaj personalisht zgjodha të ndjek rrugën krah Lulzim Bashës dhe Koalicionit Euroatlantik, krijuar për të garuar në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Së treti; si qytetar i Tironës mendoj që Shqipëria ka nevojë për një forcë politike, për një lider si Basha që të mendoj seriozisht për këtë vend. Disa çështje që kanë të bëjnë dhe me procese që na përafrojnë me Bashkimin Europian kanë nevojë për vëmendje maksimale të politikës. Njëra prej tyre është çështja e pronave. Mendoj që në këto 34 vite, PS-PD sikurse bënë ligjin në vitin 1991 si pjellë të PPSH i kanë trajtuar pronarët si Enver Hoxha në kohë kulakë ose armiq. Fakti që ende sot dhe kësaj dite, pronarët enden në zyrat e shtetit dhe sallave të gjyqit për të kërkuar atë që e kanë, që iu kanë lënë të parët, nuk është gjë tjetër veçse një tallje dhe pse jo zhvatje që iu është bërë. Ndaj me kandidimin tim mendoj që përfaqësoj këtë shtresë të shoqërisë.
Së katërti; mendoj kësaj here është radha e përfaqësimit politik dhe e besimit që zgjedhësit duhet të iu japin njerëzve të ndershëm. Është radha e atyre që vetëm kanë dhënë politikisht, por kurrë nuk kanë marrë. Është radha e atyre që vetëm kanë shërbyer dhe nuk iu kanë futur duart në xhep shqiptarëve, është radha e atyre që dalin nga qytetarët dhe jo listat e kryetarëve.
Ju ftoj të na bashkoheni nga nesër në rrugëtimin tonë, të punojmë bashkë për të zhbërë të vjetrën e kalbëzuar dhe ngritur të renë e lulëzuar.
Votoni masivisht më 11 maj, votoni nr,.4, Votoni Koalicionin Euroatlantik, Votoni Eduard Kelmendin!