Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ishte sot në një komunikim live në Facebook duke iu përgjigjur komenteve që i adresoheshin nga ndjekësit.
Rama u ndal te një koment i një mbështetësi demokrat, duke i thënë ndër të tjera që është më mirë të rrijë në shtëpi sesa të votojë ‘bufin e kënetës’.
“Si mund t’i hani këto idiotësira, mos votoni e mos votofshi kurrë për mua dhe PS po si mund të shkoni pas një të roituri që i fiket llamba tre herë në ditë se mosha bën të vetën dhe që i ka sjellë këtij vendi vetëm turbullira?! Të dalësh dhe të shkosh të hedhësh votën në kënetë? Ua!”, tha Rama.
Ndërkohë një komentuesi që i tha se në këto zgjedhje do marrë 77 mandate deputetësh, Rama i tha se mund të jenë më tepër, ndërsa u shpreh se edhe këtë herë do të shkojë në Kuç dhe do të shënojë rezultatin e 11 majit.
“Nuk e di, mund të jenë më shumë, do e shkruaj në Kuç te ai lokali, do shkoj prapë dhe do e shkruaj prapë rezultatin e 11 majit. Ne punojmë ditë natë, ne jemi me njerëzit”, tha Rama.