HomePolitikeSiguria në kontinent, Tirana mikpritësja e 44 liderëve europianë në samitin e...

Siguria në kontinent, Tirana mikpritësja e 44 liderëve europianë në samitin e 16 majit! Dy ditë pushimi për administratën në 4 bashki

spot_img

Tirana do të bëhet më 16 maj, mikpritësja e takimit të 6-të të Komunitetit Politik Europian.

Një format që mori jetë në vjeshtën e 2022-it në Pragë, si një iniciativë e Presidentit francez Macron për të ulur bashkë krerët e 44 vendeve të kontinentit europian, pavarësisht nëse janë apo jo anëtare të Unionit Europian. Kjo platformë u krijua për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin në të gjithë Europën, pikërisht kur siguria e kontinentit ishte e kërcënuar nga konflikti i nisur në atë vit në Ukrainë. Pikërisht më 16 maj, në Tiranë bëhen bashkë të gjithë liderët e shteteve të Europës. Pikërisht për këtë ditë me rëndësi, Kryeministri Edi Rama ndau një video në rrjetin e tij social “Facebook”, që nis me një deklaratë të Presidentit francez, Emmanuel Macron, për zgjerimin e BE-së dhe përfundon me pamjet e sheshit “Skënderbej”, vendin ku do të zhvillohet ky samit. “Mirëmëngjesi dhe me krenarinë për faktin se më 16 maj, do të bëhen bashkë në zemër të Tiranës për Samitin e Komunitetit Politik Europian, liderët e të gjithë kontinentit tonë të demokracive, nga Londra në Kiev e nga Oslo në Ankara, ju uroj një ditë të mbarë”, – shkruan kreu i qeverisë.

Në kuadër të organizimit të këtij samiti të rëndësishëm, qeveria miratoi një vendim duke përcaktuar pushim datat 15 dhe 16 maj për punonjësit e administratës në Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë. Përjashtim bëjnë vetëm Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Garda, Zjarrfikëset dhe punonjësit e sistemit shëndetësor. Takime të këtij niveli organizohen për herë të parë në Tiranë, ndërsa pritet që samiti të marrë vëmendjen maksimale të mediave më të rëndësishme në Europë. Ky është samiti i parë i këtij rangu në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë u njoftua vitin e shkuar, pas takimit të 4-t të Komunitetit Politik në Britaninë e Madhe. Për numrin një të kabinetit qeveritar, ky moment është historik, njëjtë si pozicioni i vendit tonë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Temat kyçe të këtij takimi do të jenë siguria, ekonomia, fuqizimi i rinisë dhe qëndrueshmëria demokratike. Ndërkohë që samiti i 16 majit që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar, e gjen sërish Europën të trazuar dhe me shumë sfida në fushën e sigurisë e mbrojtjes.

Pikërisht siguria dhe qëndrueshmëria demokratike do të jetë çështjet e para, që Kryeministri Rama ka zbuluar përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, të cilat do të diskutohen në takimin e liderëve në Tiranë. Fuqizimi i konkurrencës dhe sigurisë ekonomike, migrimi, lëvizshmëria dhe fuqizimi i rinisë si dhe vizioni, lidershipi, mënyrat e reja të veprimit për Europën në një botë të re janë të tjera tema që do të shtrohen për diskutim në tryezën e 44 liderëve që do të fillojnë të mbërrijnë në Tiranë pasditen e 15 majit. Javën e shkuar qeveria miratoi edhe një shtesë fondesh për organizimin e takimit të Komunitetit Politik Europian, ndërkohë që në mbledhjen e djeshme u mor vendimi që datat 15 dhe 16 maj kur në kryeqytetet do të mblidhen liderët europianë të jenë ditë pushimi për punonjësit e institucioneve shtetërore të Bashkive Tiranë, Kamëz, Vorë e Krujë për shkak të masave që do merren për bllokimin e disa akseve rrugore. Përjashtim bëjnë vetëm punonjësit e Policisë, Gardës, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse dhe sistemit shëndetësor.

Presidenti francez, vizitë zyrtare në Tiranë, data

Presidenti francez, Emanuel Macron, do të jetë në Tiranë në muajin maj, në vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri, që korrespondon edhe me Samitin e Komunitetit Politik Europian të 16 majit. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, gjatë takimit me Benjamin Haddad, ministër i Deleguar për Evropën. Gjatë takimit, të dyja palët nënvizuan angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. Sipas ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.

“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, – u shpreh ministri Hasani. Ministri Benjamin Haddad konfirmoi ardhjen e Presidentit Macron në Shqipëri për Samitin e Komunitetit Politik Europian, ndërsa lajmëroi se Tirana do të mirëpresë një tjetër takim të rëndësishëm ndërkombëtar, Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, që bën bashkë 21 përfaqësues shtetesh./Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular