Nga Zak Topuzi
Në një kohë kur Tirana përpiqet të gjejë identitetin e saj kulturor dhe turistik, mungesa e produkteve autentike historike është gjithnjë e më e ndjeshme. Qyteti është kthyer në një qendër dinamike, por jo gjithmonë me rrënjë të qarta në kujtesën kolektive. Një nga objektet më të veçanta, të ngarkuara me simbolikë dhe domethënie historike – Vila e Enver Hoxhës – është sot një hapësirë pa status të qartë, e përdorur nga artistë për të fjetur, performuar, apo eksperimentuar, shpesh pa kontroll, pa mbikëqyrje, dhe pa mbrojtje (fle tre muaj tjetra aty dhe nxjer tre foto femrash me drapër në qafë)
Kjo nuk është një çështje e thjeshtë estetike apo nostalgjie. Kjo është një çështje e ruajtjes së kujtesës kombëtare.
Vila e Enverit nuk është një ndërtesë çfarëdo. Është një objekt që ka qenë qendra e pushtetit më të izoluar në Europë për dekada. Muret e saj, mobilimi, arredimi, vetë heshtja e saj – të gjitha këto janë pjesë e një rrëfimi të pashkruar për një sistem që la pas trauma, frikë, por edhe një trashëgimi që nuk mund të fshihet me ngjyrë boje apo performanca spontane.
Çfarë ndodh sot aty është një lloj banalizimi i një historie që kërkon respekt dhe distancë profesionale. Artistët, sado të talentuar apo novatorë të jenë, nuk mund të veprojnë në një hapësirë të tillë pa rregulla, pa një qasje kuratoriale, dhe pa një kornizë historike që orienton publikun.
Nuk është çështje ideologjie. Është çështje edukimi dhe vizioni për turizmin kulturor.
Tirana, si kryeqytet, nuk mund të lejojë të shpërdorojë asnjë objekt që mund të shndërrohet në një qendër referimi për vizitorët dhe studiuesit. Qyteti ka nevojë për produkte që tregojnë të shkuarën me përgjegjësi, jo për të improvizuar me të. Vila e Enverit duhet të kthehet në një muze, me standarde të qarta ruajtjeje dhe interpretimi, ku brezat e rinj dhe të huajt të kuptojnë kontrastet ekstreme të jetës në Shqipërinë komuniste – nga varfëria e skajshme te luksin absurd i elitës.
Shumë vende të Europës Lindore kanë arritur ta bëjnë këtë me sukses: vila të diktatorëve, bunkerë, burgje politike, janë shndërruar në vende reflektimi dhe edukimi. Ne jemi ende në dilemë.
Është koha që institucionet të marrin një vendim: Vila e Enverit nuk është skenë. Është historia nga e ka pikënisjen diktatura.
Dhe historia nuk duhet as përdhosur, as harruar – por ruajtur me mençuri, për tu përkthyer në më shumë të ardhura.
Ata që kërkojnë prishjen e Vilës së Enverit për të “fshirë” të kaluarën, harrojnë se historia nuk fshihet me buldozer. Edhe Pallati i Neronit në Romë ruhet sot, pavarësisht se ishte një tiran që dogji qytetin. Ruhet jo për ta lavdëruar, por për ta kujtuar. Vila e Enverit është pjesë e kujtesës sonë kolektive — e dhimbshme, por reale. Mos ta shkatërrojmë, por ta ekspozojmë me dinjitet, që brezat e ardhshëm të Kuptojnë, jo të Harrojnë!!!