“Shqipëria 2030 në BE! Vetëm me Edin dhe PS” është slogani me të cilin do të dalë në fushatë oferta politike e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ideja e sloganit është premtimi për të ecur para drejt integrimit në BE, drejt pasaportës europiane, drejt zhvillimit perëndimor, që ka qenë edhe lajtmotiv i takimeve që Edi Rama ka zhvilluar gjatë muajit prill.
Kjo fushatë e socialistëve nisi që dje me gratë, ku me zë dhe figurë u zhvilluan 12 aktivitete në të njëjtën kohë paralelisht, të grave socialiste në 12 qarqet e vendit. Ndryshe nga fushatat e shkuara, socialistët zhvilluan jo 1, por 12 takime elektorale me fokus gruan në ditën e parë të çeljes zyrtarisht të fushatës. Drejtuesit politikë të 12 qarqeve prezantuan kandidatet socialiste.
Mesdita e sotme e gjen Edi Ramën bashkë me mbështetësit socialistë në zemër të Tiranës, ku socialistët nga 37 mandate, duan të fitojnë 20 në qarkun më të madh të vendit. Kurse sot në orën 12:00 pritet që të nisë zyrtarisht fushata elektorale për socialistët, për arsye se është menduar dhe simbolika e me numrin ‘12’.
Socialistët do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, më 12 prill, në orën 12:00 nën simbolikën e 12 yjeve në flamurin e Bashkimit Europian. Kryesocialisti Rama do ta vijojë fushatën elektorale të dielën, ora 15:00 me shqiptarët e Milanos.
POROSITË
Takimin e parë për nisjen e fushatës elektorale të 11 majit, kryesocialisti Edi Rama zgjodhi që ta zhvillonte me gratë dhe vajzat nga 12 qarqet e Shqipërisë, si një mesazh për mbështetjen që kjo forcë politike jep ndaj tyre. Nënat dhe bijat shqiptare, Rama tha se janë të vetmet që garantojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
“Shqipëria është grua, Evropa është grua dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë. Nuk ka asgjë që mua më bën më shumë krenar për PS-në sesa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë”, – tha Rama.
Kryeministri u kërkoi votën grave shqiptare jo vetëm për t’u dhënë në duar fëmijëve pasaportën europiane, por siç thotë ai, edhe për të garantuar paprekshmërinë e reformës në drejtësi. Ai i porositi gratë që ditën e votimit të marrin këdo për të shkuar të votojnë PS-së, me një premtim konkret: “Mbajeni mend sot këtë fjalë, dhe në 2030 do të shikojmë se si do të vijnë të mbështesin kryeministren grua…”. Para tyre përmendi se në të 12 qarqet “do të ndezim zjarrin më të madh femëror në historinë e zgjedhjeve”.
Ai theksoi se nënat, gratë dhe bijat tona janë suksesi kryesor i Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Sipas tij, Shqipëria ka momentin më të mirë për t’u anëtarësuar në BE dhe se shanset janë më të mëdha dhe se duhet shfrytëzuar momenti.
“Yjet janë rreshtuar në favorin tonë, për herë të parë është dhe BE-ja që do që të na marrë në gjirin e vet e prandaj po negociojmë si të çmendur për ta mbyllur në 3 vjet një proces, që për të tjerët ka zgjatur shumë më tepër”, – u shpreh Edi Rama. Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të kryedemokratit Sali Berisha.
“Para ca ditësh doli këneta, nuk ka më konferenca, nuk ka më hapje kapitujsh të tjerë, madje bufi tha që mua më kishin lënë pa ngrënë se isha sjellë si bandit, kur sot u publikua data 14 prill për konferencën e katërt dhe do të hapim një seri tjetër kapitujsh”, – u shpreh ai. Rama pati një përgjigje edhe për kritikat e jetëgjatësisë së tij në krye të qeverisë.
“Ata që thonë ‘Edi Rama 12 vjet kishte kohë të na fuste në BE, tani thotë më jepni dhe një mandat tjetër’, thojini atyre që Mali i Zi i ka nisur negociatat më 2012 dhe Shqipëria ishte dele e zezë. Sot ne jemi në të njëjtin pozicion me Malin e Zi dhe së bashku konsiderohemi dy vendet më pranë hyrjes në BE. Kur t’ju tundin kokën si kompetent, thojuni që Serbia i ka nisur negociatat më 2014 dhe deri dje ne Serbisë i shikonim targën, ndërsa sot Serbia është mbrapa nesh. Ne jemi 2 vjet larg mbylljes së negociatave. Ndërsa Maqedonia ndërroi emrin. Më 2005 ishin kandidat, ndërruan dhe emër dhe janë mbrapa nesh”, – theksoi Edi Rama.
Më 12 maj, Rama nuk ka asnjë dyshim që PS-ja do të marrë fitoren më të thellë, ndërsa për kundërshtarët politikë, të cilët i quan një tufë delirantësh, thotë se do të zhgënjehen me rezultatin më të keq se nga 1997. Ironizoi edhe këshilltarin amerikan të Berishës, Chris LaCivita, “magjia” e të cilit tha se do u kthehet së prapthi dhe do ulërasin se zgjedhjet u vodhën.
“Erdhi sherifi dhe latifi. Bufi e di më mirë se unë, ju e të gjithë që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata dhe disfatën më 11 maj do ta ketë më të madhen që nga 1997. Magjia do t’i ndodhë, por për së prapthi dhe pastaj hajde e dëgjoi se na kanë bërë magji, na i morën se i kishim në kuti”, – u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se Sali Berisha e di që më 11 maj do të marrë disfatën më të madhe që nga 1997. Në fjalimin që mbajti para grave dhe vajzave, kryesocialisti u shpreh me ironi se menjëherë pas zgjedhjeve, do të fillojnë edhe të flasin për vjedhje votash, pasi s’do pranojnë humbjen.
“Bufi e di më mirë se unë, ju e të gjithë që vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata dhe disfatën më 11 maj do ta ketë më të madhen që nga ‘97. Magjia do t’i ndodhë, por për së prapthi dhe pastaj hajde e dëgjoi se na kanë bërë magji, na i morën se i kishim në kuti”, – u shpreh Rama.
Më 16 maj do të zhvillohet në Tiranë Samiti i Komunitetit Politik Europian, njoftoi Edi Rama në eventin “Vajzat dhe Gratë për Shqipërinë 2030”.
“Në 16 maj, pesë ditë mbasi juve ta keni hedhur atë pëlhurën rozë në të gjithë Shqipërinë këtu, mu këtu ku jeni ju sot, do jenë të ulur për shfaqjen e mirëseardhjes të gjithë udhëheqësit e të gjitha vendeve demokratike të Europës për Samitin e Komunitetit Politik Europian”.