Nga Bahri Cani
STOP, ku po shkojmë?!
Skandaloze, promovim i dhunës, e padurueshme dhe e patolerueshme… Nuk është çudi që në shoqëritë tona, në vendet tona të origjinës, por kohët e fundit tek ne diaspora këndej, dëgjon gjithnjë e më shpesh lajme të tmerrshme për dhunë e vrasje.
Ne gazetarët, ne mediat, shumë nga politikanët tanë kryersorë, por edhe secili prej jush e keni fajin. Secili prej jush që i jepni rëndësi këtyre degjenerimeve dhe i shikoni me kaq pasion.
Vetë ne jemi duke promovuar dhunë, jemi duke promovuar mungesë kulture të komunikimit…
Ndoshta jam i vetmi, ndoshta jam ndër të rrallët, ndoshta jam tërësisht i painformuar dhe i paedukuar, por unë vërtet nuk e di kush janë Jozi e kush është Gjesti. E pranoj hapur: Jam i painformuar dhe nuk kam parë asnjë minut të këtij “shou”.
Vërtet nuk e di kush janë dhe nuk dua ta di, por e di që sot qenka tërësisht e pamundur të hapësh ndonjë rrjet social dhe të mos shohësh fotografi e video të tmerrshme, ku ndodh dhunë para kamerave televizive.
Vetë mediat duhet të mendojnë seriozisht se çfarë (anti)vlerash po promovojnë. Apo gjithçka është shndërruar vetëm në klikime e para, në degjenerim e moskulturë.
E të mos harrojmë politikën dhe politikanët, sepse më shumë zgjon vëmendje kur dikush dikujt i thotë “hajvan”, “tradhtarë”, “birë i kësaj apo atij”, “zuz..,”, “mizë” e ku di unë, sesa çfarë ofron në programet politike.
Në debatet televizive është më e rëndësishme se kush po bërtet më shumë dhe po thotë apo bën ndonjë skandal e batutë, sesa çfarë po thotë dhe cilat janë argumentet. Atje ku ngrihet zëri, ulet fuqia e argumentit!
Në popull gjuhën e kemi plot sharje e ofendime edhe humorin e kemi plot dhunë e sharje, sepse “kështu e do populli”.
Në popull shpesh më shumë i jepet rëndësi hajdutëve politikë e ekonomikë, sesa atyre që punojnë ndershëm – sipas motos “ky apo ai ishte i zoti sepse po vidhke, po i futke në punë njerëzit e vetë, po ja bojke kështu apo ashtu…”
E të mos harrojmë edhe rolin e disa hoxhallarëve e imamëve të diskutueshëm që po na mësojnë çdo ditë se si duhet të sillemi ndaj grave, ndaj fëmijëve, ndaj atyre që mendojnë ndryshe!
Edhe ata janë shumë atraktivë për mediat, citohen shpesh sepse gjenerojnë shumë klikime!
Ndaj nuk duhet të habitemi që çdo ditë po na vijnë lajme për dhunën, rrahjet, vrasjet…
Kolegë dhe miq të dashur, ka diçka që është më e rëndësishme se klikimet. Ka diçka që është më e vlefshme se klikimet.
Ndaj STOP me promovimin e degjenerimit dhe moskulturës! Po të isha unë drejtus i kanalit ku ka ndodhur kjo dhunë, do ta ndërpreja menjëherë këtë “shou”! Pavarësisht që e di se ka shumë shikues.
P. S. Ky tekst është dhe do të mbetet pa foto, sepse nuk dua që dhunuesve t’u shihet fytyra (nuk e di a mund të flitet për fytyrë, por nejse) edhe në kanalet e mia/tona!