Në takimin e tij me shqiptarët në Milano, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me objektivin kryesor të socialistëve që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
U bëri apel duke thënë se çdo votë më 11 Maj shkon për t’i dhënë vendit tonë shansin historik.
“Fati ynë ishte, fati i shqiptarëve e deshi të na sillte në një zgjedhje që është si përballje përfundimtare me historinë tonë duke na dhënë ne shansin që me një votë t’ja ndryshojmë përgjithmonë rrjedhën historisë. Një votë për të bërë histori! Për të shënuar veten në histori secili dhe secila që do e investojnë votën për atë që ne sëbashku duam të arrijmë. Këto zgjedhje janë tamam si një udhëkryq, si një votim politik për partinë që do qeverisë për 4 vite dhe një votim historik përtej partive. Kjo është e përpjeta e fundit e Shqipërisë drejt Europës dhe fundi i historisë sonë jashtë Europës, para nesh kemi vetëm një datë, 11 Majin! Pastaj kemi vetëm një mandat, për të fituar bastin historik. Kjo është dekada e ardhjes së fatit europian të Shqipërisë në dorën tonë që kur dolëm nga ferri komunist dhe BE na ka vënë përpara një plan të dakordësuar që ne të mbyllim të gjithë marrëveshjen e anëtarësimit. Ne me duart tona do t’i japim fund historisë së një populli të trajtuar si një popull i dorës së dytë”, tha numri një i kabinetit.