Nga Mentor Hoxha/FRANCE

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tiranën, z. Ethem Aga zhvilloi dje më 13 prill 2024, një takim të madh elektoral në qytetin e Lyonit, qyteti i tretë më i madh në Francë. Takimi u zhvillua në orën 19:00 – 21:00 në Bar Luis. Në këtë takim impresionues morën pjesë shumë demokratë dhe simpatizantë të PD-së por edhe dhjetra socialistë të zhgënjyer nga qeverisja 12 vjeçare e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe nga kryeministri “rilindas” Edi Rama. Është hera e parë që një një kandidat për deputet vjen në Lyon dhe takohet e bisedon kaq hapur e kaq shtruar me bashkëatdhetarët e tij në Francë dhe po hera e parë që një kandidat për deputet i përket Diasporës shqiptare të Francës. Pikërisht për këto arësye, atij iu bë një pritje spektakolare nga shqiptarët e këtij qyteti, aq sa radha për ta dëgjuar dhe për të bërë një foto me të ishte shumë e madhe.
Gjatë këtij takimi që zgjati mbi dy orë z. Aga prezantoi programin e PD-së për Shqipërinë në përgjithësi dhe për diasporën në veçanti. Ai u shpreh se këtë herë, rotacioni politik varet nga vota e diasporës, kështu që të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë duhet të mobilizohen për të sjellë rrotacionin politik në Shqipëri më 11 maj 2024. Ai deklaroi se Partia Demokratike ka një program të shkëlqyer për popullin shqiptar. Minimumi jetik do të jetë 200 euro, paga minimale 500 euro, paga mesatare 1200 euro dhe biznesi i vogël nuk do të ketë asnjë taksë.
Si një emigrant prej 35 vitesh në Francë, ai u bëri thirrje shqiptarëve të Diapsorës që të votojnë masivisht atë dhe Partinë Demokratike, pasi ajo ka një program shumë të qartë ekonomik. Ai deklaroi, se sapo të vij në pushtet Partia Demokratike do ta vërë në zbatim programin e saj për diasporën. Ai bëri edhe një krahasim midis Edi Ramës dhe Prof. Dr. Sali Berishës. Sipas tij, Berisha rrëzoi regjimin komunist dhe solli demokracinë në Shqipëri, hoqi vizat për shqiptarët për në vendet e Bashkimit Evropian duke zhdukur përgjithmonë radhët e gjata nëpër ambasada si dhe futi Shqipërinë në NATO. Edi Ramën e cilësoi si një politikan të korruptuar dhe që detyroi mbi një milionë shqiptarë të largohen nga Shqipëria.
Ky takim i zotit Aga me shqiptarët e diasporës është për t’u vlerësuar dhe admiruar maksimalisht, pasi përgjatë tetë viteve që unë banoj në Francë nuk ka ardhur asnjë shtetar apo politikan shqiptar për të na pyetur apo dëgjuar për shqetësimet që kemi. Madje nuk ka zhvilluar asnjë takim me ne as ambasadori i Shqipërisë në Francë Z. Dritan Tola, i cili e ka për detyrë të dëgjojë shqetësimet e bashkëatdhetarëve të tij, pasi paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Z. Aga u shpreh se nëse Partia Demokratike merr pushtetin me 11 maj do të hap më shumë konsullata në Francë për të zgjidhur problemet e shqiptarëve dhe do të njoh patentat dhe pensionet e shqiptarëve në Francë. Gjithashtu ai theksoi se Partia Demokratike nuk do të taksojë për pesë vjet asnjë emigrant shqiptar që kthehet në Shqipëri dhe investon në atdhe. Ai deklaroi se shqiptarët e Kosovës duhet të pajisen me pasaporta shqiptare. Zoti Aga nuk ngurroi t’u përgjigjet edhe pyetjeve që iu bënë nga të pranishmit e shumtë në sallë.



KUSH ËSHTË ETHEM AGA

Ethem Aga ka një karrierë të spikatur në fushën akademike dhe të biznesit në Francë, si dhe në krijimin e urave lidhëse mes Francës dhe Shqipërisë. Ka lindur në Tiranë. Më 2 korrik 1990 u fut në Ambasadën Franceze në Tiranë dhe kërkoi strehim politik. Është diplomuar në Francë për inxhinier agronom. Pas diplomimit punoi si mësimdhënës për hapësirat e gjelbërta. Është drejtor i përgjithshëm në ndërmarrjen e tij me disa fusha golfi. Për një periudhë 2-vjeçare ka qenë këshilltar në Ministrinë e Rinisë dhe Sporteve në Francë. Ka qenë disa herë me grupin parlamentar francez në Shqipëri. Në vitin 2021, pas 31 vitesh në Francë, u rikthye në atdhe për të kontribuar në rotacionin politik në Shqipëri si kandidat për deputet për Qarkun e Tiranës nën siglën e PD-së. Ai është zgjedhur si kandidat për Tiranën edhe në zgjedhjet legjislative të 11 majit nga Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha. Gjatë një interviste me Znj. Grida Duma në emisionin “Top Story”, Z. Berisha foli me superlativa të mëdha për vlerat intelektuale dhe menaxhuese të zotit Aga. I pyetur për listën e hapur të Qarkut Tiranë dhe për përfaqësimin e disporës, ai veçoi kandidatin Ethem Aga, si një nga prurjet e cila i jep vlerë përfaqësimit në Parlament. “Merreni pak se çfarë përfaqëson Ethem Aga. Një profesor në Paris, një studiues i shquar” -tha Berisha në emisionin “Top Story” të Grida Dumës. Një deklaratë e cila nuk mund të mbyllej pa kurreshtjen e Dumës, e cila u shpreh se: “… një indicie u dha për Etem Agën që nëse do të fitoni, diçka do të jetë, dhe unë e kuptoj gjuhën tuaj”. Për veprimtarinë e tij të spikatur intelektuale, Ethem Aga ai është përfshirë në Enciklopedinë “Les Personnalités albanaises de Francë” (Personalitetet shqiptare të Francës nga lashtësia deri në ditët tona) i shkruar nga unë.



Takimi me zotin Ethem Aga u organizua nga Saimir Deda, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë për qytetin e Lyonit. Samiri është personaliteti shqiptar më i njohur dhe më i suksesshëm në qytetin e Lyonit. Prej vitit 2014, ai banon familjerisht në këtë qytet të madh francez ku ka krijuar emrin e tij si intelektual dhe menaxher shumë i suksesshëm. Në shtator 2015 ai u detyrua të largohet familjerisht nga atdheu pas përndjekjeve të vazhdueshme politike dhe kërcënimeve me vrasje në adresë të tij dhe të familjes. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer në ngritjen e Degës së Partisë Demokratike në Lyon dhe në propogandimin e vlerave demokratike tek bashkëatdhetarët e tij në këtë qytet. Eshtë përfshirë në enciklopedinë voluminoze me titull “Les Personnalités albanaises de Francë” (Personalitetet shqiptare të Francës) i shkruar nga Mentor Hoxha. Kjo është enciklopedia e vetme e shkruar gjer më sot për shqiptarët më të sukesesshëm të Francës nga lashtësia deri në ditët tona.