Duke qenë kandidati më i afërt për t’u bërë drejtues i një klubi të madh si Milani, Igli Tare ka folur në një intervistë për “Tring”.
Ish-futbollisti i Kombëtares nuk është pyetur në lidhje me tratativat me kuqezinjtë, sepse asgjë nuk është mbyllur.
Por Tare ka komentuar ekipin përfaqësues, paraqitjen në Angli, ndeshjen me Serbinë, si edhe shanset për t’u kualifikuar në Botëror. Ndër të tjera, ai jep opinionin e tij edhe për Serinë A, ku për shumë vite ka qenë futbollist, por edhe drejtues te Lacio.
Kombëtarja, këto dy ndeshjet e para, sa janë mundësitë që të jemi pjesë e Botërorit?
Mundësitë nuk janë të mëdha. Duhet të jemi realistë për vetën faktin se Anglia do të jetë dominuesja e këtij grupi. Me Serbinë do të jetë ajo ndeshja më e rëndësishme për të luftuar për vendin e dytë. Duhet të fokusohemi te këto gjëra. Më la pak një shije te keqe mënyra e prezantimit të ndeshjes me Anglinë sepse ne kemi një trajner që ka një eksperiencë të madhe në botën e futbollit dhe atij fitues. Kështu që çfarë ka nevojë kjo skuadër, për mendimin tim është një lloj mentaliteti fitues dhe sidomos në këto ndeshje të mëdha ne nuk kemi se çfarë të humbasim, por vetëm fitojmë. Do të më pëlqente ta shikoja skuadrën me një profil tjetër, nga mënyra e formacioni, por edhe nga mënyra e lojtarëve që kanë personalitet dhe mundësi teknike më të larta se dikush apo formë fizike më të mirë se një lojtar tjetër. Në këtë moment, ndeshja me Serbinë në fillim qershori do të jetë vendimtare, sepse do t’i jepte një drejtim skuadrës sonë.
Si e keni parë rivalitetin e këtij sezoni në Serinë A?
Sezon pozitiv edhe për mënyrën sesi është zhvilluar deri tani, sepse kanë qenë shumë skuadra të cilat janë bërë protagoniste. Një nga ato ekipe që më ka pëlqyer më shumë ka qenë Bolonja sepse pas një fillimi me vështirësi dhe me trajner të ri si Italiano, gjetën atë formën e duhur dhe janë një skuadër pozitive, shumë surprizë për këtë sezon. Sa i përket skuadrave të tjera, ka pasur luhatje, siç janë Juventus, Milan, Fiorentina, të cilat kanë vuajtur shumë nga dëmtimet e lojtarëve dhe kjo ka ndikuar në rendimentin e tyre.
Gara për titull po fokusohet tek Interi dhe Napoli, sipas jush, cila është më e favorizuar?
Sa i përket nivelit të skuadrës, Interi është favoriti kryesor, por kalendari për ndeshjet e mbetura, ka shumë lehtësi, por në letër. Është diçka plus për këtë, duke qenë se Interi ka edhe gjysmëfinalen e Kupës. Ka një kalendar të ngjeshur që mund t’i kijojë probleme për fazën e rikuperimit nga një ndeshje në tjetrën.
Skuadra ku ju keni qenë futbollist dhe drejtues, Lacio, ka dhënë një impakt të mirë me Baronin…
Ka bërë një fazë të parë të kampionatit shumë surprizuese dhe si protagoniste. Jo vetëm në kampionat, por edhe në Ligën e Europës dhe në fazën e parë të këtij kompeticioni. Por do të jetë pretendente deri në fund për të kapur një vend në Ligën e Kampioneve.
Juventus, largimi i trajnerit. Sa ndikon në ambientin e skuadrës lidhur me objektivat që ata kanë, për të siguruar një vend në Champions?
Juventusi ishte një nga kandidatët kryesor për fitimin e kampionatit, edhe për faktin se u ndërtua dhe u shpenzua. Ardhja e një drejtori të ri, trajneri të ri si Tiago Mota që kishte bërë një kampionat shumë domethënës me Bolonjën, e shumë lojtarë të rinj u afruan. Por, ndonjëherë disa projekte kanë nevojë për kohë, ndërsa këto klube të mëdhaja nuk ta japin. Më pas, je shumë i lidhur dhe i kondicionuar nga fakti i rezultateve.
Ishte i drejtë vendimi për ta larguar Motën?
Nuk i di arsyet. Por rezultatet e javëve të fundit kanë lënë për të dëshiruar. E ritheksoj që gjëja më e rëndësishme kur je si drejtues në këto klube, është të fitosh dhe të arrish objektivin, ndryshe ke probleme.