nga Bujar Leskaj
Për të mos folur për rekordet negative të 12 viteve të fundit nga qeverisja Rama në ekonomi, mjafton të marrim “kryeveprat” e zeza ekonomike të periudhës së katërvjeçarit të fundit 2021-2025.
I. Planifikim strategjik tejet i mangët
Gjate kater viteve te fundit, ekonomia dhe infrastruktura kanë vuajtur nga mungesa e strategjive të detajuara dhe të mirëplanifikuara, për të arritur objektivat.
Në infrastrukturë, vonesat në planifikim dhe implementim kanë ndikuar negativisht në zbatimin e projekteve madhore, si rrugët dhe lidhjet energjetike. Konfliktet mbi pronën dhe kaosi dhe pasiguria me titujt e saj kanë vonuar projekte kyçe.
Mungesa e përparësive dhe koordinimit ndërsektorial, si dhe shpërndarja jo e mirë e prioriteteve ndërmjet sektorëve, po ashtu edhe mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve në qendër dhe pushtetit vendor, kanë krijuar boshllëqe të jashtëzakonshme.
Lidhja mes arsimit dhe ekonomisë ka qenë e dobët, duke penguar fuqizimin e burimeve njerëzore në tregun e punës.
II. Mungesë e financimit të mjaftueshëm
Burimet financiare për shumë sektorë kanë qenë të pamjaftueshme për të mbështetur projekte madhore në ekonomi. Arsyet janë varësia nga buxhetet vjetore me pak fleksibilitet dhe shpërndarja joefikase e fondeve, si dhe mungesa e monitorimit në sektorët më kritikë.
Nga ana tjetër, qeverisja Rama ka paraqitur kapacitete institucionale tejet të dobëta Kapacitetet administrative dhe teknike kanë qenë shpesh të pamjaftueshme, për të ndjekur zbatimin e projekteve. Sektori i dixhitalizimit ka vuajtur nga mungesa e ekspertëve dhe e teknologjisë së avancuar, duke prodhuar skandale pas skandalesh, si ai i publikimit të pagave dhe të dhënave të tjera sensitive për 660 mijë qytetarë, etj.
III. Burokraci prej mamuthi në projekte dhe reforma
Burokracia dhe ngadalësimi i procesit të reformave janë kthyer në proverbiale në administratën Rama. Vonesat dhe pengesat në proceset administrative, si lejet dhe licencat, kanë kufizuar mundësinë për zhvillimin e shpejtë të projekteve dhe investimeve.
Kjo ka krijuar një klimë të pasigurt për investitorët dhe ka penguar përmirësimin e rendimentit të sektorëve të ndryshëm.
Nga ana tjetër, si qeverisja qendrore dhe ajo vendore kanë vuajtur nga mungesa e implementimit të politikave reformuese. Disa reforma të planifikuara janë ngadalësuar, ose nuk janë zbatuar plotësisht, duke penguar zhvillimin e një infrastrukture më moderne dhe mbështetje më të fortë për sektorë të caktuar, si ai i bujqësisë, industrisë dhe teknologjisë.
IV. Korrupsioni galopant nuk është pak՞suar: përkundrazi, është theksuar dhe rafinuar!
Korrupsioni dhe keqpërdorimi i burimeve publike po arrin në shifra rekord për rajonin dhe më tej. Korrupsioni në tenderë dhe projekte publike, si dhe mungesa e transparencës dhe korrupsioni në proceset e tenderimit, kanë çuar në shpërdorimin e burimeve të taksapaguesve dhe kanë bllokuar zhvillimin e shumë projekteve me rëndësi për ekonominë.
Kjo ka ndikuar negativisht në rritjen e efikasitetit të sektorëve kyç, sidomos në bujqësi, e cila ka dy vjet e gjysëm që po vuan mungesën e dhjetra milionë eurove fondeve, nga ngrirja e Programit IPARD II të BE-së, për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit të qeverisë Rama.
Përpjekjet për të modernizuar bujqësinë kanë dështuar plotësisht. Shumë rajone të vendit ende mbështeten në teknika tradicionale dhe nuk kanë qasje të mjaftueshme në teknologji moderne, që mund të përmirësojnë prodhimin dhe efektivitetin. Bujqësia vazhdon të vuajë nga mbështetje e pamjaftueshme buxhetore dhe nga kredia e kufizuar financiare dhe bankare për fermerët.
V. Zhvillim i pabarabartë dhe shkretim (boshatisje) ekonomik
Emigrimi i fuqishëm i fuqisë punëtore, sidomos i asaj të kualifikuar, ka sjellë në humbjen e burimeve të vlefshme njerëzore për ekonominë vendase, duke ulur aftësinë e sektorëve për të përballuar sfidat e konkurrencës dhe zhvillimit.
Mungesa e infrastrukturës bazë dhe teknologjisë së përshtatshme ka bërë që zhvillimi të jetë më i ngadalshëm dhe më i kufizuar në shumë zona të vendit, ose të stopojë dhe të jetë negativ, si p.sh. në Kukës.
Kjo ka çuar në një zhvillim të pabarabartë ekonomik dhe në mbajtjen e disa rajoneve jashtë tregut të mundësive të punës dhe investimeve. Ndërsa disa sektorë, si ndërtimi dhe turizmi, janë rritur shpejt, sektorë të tjerë, si bujqësia dhe shërbimet, janë ngadalësuar. Kjo ka krijuar një pabarazi të konsiderueshme mes grupeve të popullsisë dhe rajoneve të ndryshme, duke ulur ndjeshëm, shpesh edhe gati zeruar, potencialin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Shumë sektorë jetikë janë përballur me mungesën e një fuqie punëtore të kualifikuar, sidomos në fushat e teknologjisë, shërbimeve të avancuara dhe menaxhimit të projekteve. Arsimi i pamjaftueshëm dhe mangësitë në trajnimin profesional kanë penguar rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.
xx
Pas 11 majit, Partia Demokratike do të jetë ajo që do të shohë vetëm dhe eskluzivisht qytetarin shqiptar dhe familjen e tij. Që do të rrisë ndjeshëm investimet dhe inovacionin në ekonomi. Që do të krijojë kushte më të favorshme për investitorët, ata të vërtetët, vendas dhe të huaj, dhe jo oligarkët, duke përfshirë reforma në transparencën e administratës publike, uljen e burokracisë dhe ofrimin e lehtësirave për investimet e huaja dhe ato vendase.
Programet e mbështetjes për start-up-et dhe bizneset e reja do të rrisin diversifikimin e aktiviteteve ekonomike, ndërsa “kryeveprat” e zeza ekonomike të Ramës do të hidhen aty ku e kanë vendin, në koshin e harresës dhe përbuzjes së shqiptarëve.