Ndërsa një konklavë papnore po afrohet dhe ekspertët e Vatikanit mblidhen në Romë për të përpiluar listat e kandidatëve të fortë për të drejtuar Kishën Katolike – ia vlen të kujtojmë se zakonisht ata gabohen.
Quajeni vullnet hyjnor, quajeni kardinalë të paparashikueshëm, por ajo që ndodh brenda Kapelës Sistine përpara se të dalë tymi i bardhë shpesh prish pritshmëritë dhe ia jep rolin një të huaji.
Kardinali afrikan Robert Sarah hyri në konklavën e vitit 2013 si një kandidat i fortë, por pikërisht kjo e zbehu mundësinë e tij, duke vërtetuar shprehjen romake: “Ai që hyn në një konklavë si Papë, del si kardinal”.
Askush nuk e kishte në listë kardinalin argjentinas Jorge Bergoglio dhe kur ai u zgjodh, duke marrë emrin papnor Françesku, qindra njerëz që prisnin në Sheshin e Shën Pjetrit pyetën njëzëri “Kush?” dhe nxituan të kërkonin në Google.
Një dekadë më pas, me 110 nga 138 kardinal-elektorët të emëruar nga Françesku, ekspertët mund të sugjerojnë se pasardhësi i tij do të jetë në të njëjtin drejtim, gjë që i zhgënjen konservatorët.
Por kjo nuk është e garantuar. Mjafton të shikojmë numrin e kardinalëve të emëruar nga papët konservatorë Benedikti XVI dhe Gjon Pali II, të cilët më pas votuan për Françeskun në vitin 2013. Nga ana tjetër, disa nga emërimet e Françeskut kanë qenë konservatorë, të cilët mund të mos dëshirojnë një tjetër liberal.
Një faktor tjetër që do t’i ngatërrojë vatikanologët është se dimë shumë pak për shumë nga kardinalët që Françesku ka emëruar. Shpesh të zgjedhur nga vende të largëta nga Roma për të përmbushur ëndrrën e tij për një Kishë që përfaqëson “periferitë”, Françesku ka siguruar që shumë prej kardinalëve që do të votojnë për pasardhësin e tij të jenë figura të panjohura.
Kush do të jetë Papa i ardhshëm?
Megjithatë, disa emra nuk mund të injorohen. Ndër ta përfshihen:
Péter Erdő, 72 vjeç
Arqipeshkvi hungarez i Esztergom-Budapest dhe primat i Hungarisë, Erdő tërhoqi vëmendjen e katolikëve konservatorë kur kundërshtoi planin e Papës Françesku për të lejuar të divorcuarit dhe të rimartuarit të marrin kungimin. Ai gjithashtu është distancuar nga qasja e Françeskut ndaj migrantëve, duke deklaruar se strehimi i refugjatëve është i barabartë me trafikun njerëzor. Një ekspert i së drejtës kanonike i admiruar nga konservatorët sepse i mungon impulsiviteti i Françeskut.
Wim Eijk, 71 vjeç
Kardinali holandez ishte mjek përpara se të hynte në priftëri dhe ka përfunduar një doktoraturë mbi problemet etike të inxhinierisë gjenetike. Si Erdő, ai ka marrë vlerësime nga katolikët konservatorë për sfidimin e vendimeve të Françeskut mbi të divorcuarit. Në vitin 2018, kur Françesku nuk e bllokoi një propozim të ipeshkvijve gjermanë për të lejuar protestantët të marrin Eukaristinë në kishat katolike, Eijk deklaroi se Papa po rrëshqiste “drejt braktisjes së së Vërtetës”.
Mario Grech, 68 vjeç
Me origjinë nga ishulli i vogël Gozo, pranë ishullit kryesor të Maltës, Grech është ngjitur në hierarkinë katolike për të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve, pasi mbështeti me vendosmëri qasjen e Françeskut për lejimin e të divorcuarve të marrin kungimin. Në një intervistë në vitin 2018, ai përmblodhi mënyrën e të menduarit të Françeskut duke thënë: “Unë jam i kujdesshëm ndaj atyre priftërinjve, apo të krishterëve, që mendojnë se i dinë të gjitha përgjigjet. Askush nuk mund ta pretendojë këtë. Ne të gjithë duhet të vazhdojmë të kërkojmë.” Ai kishte një pikëpamje konservatore përpara se të përqafonte vizionin e Françeskut, gjë që disa tradicionalistë besojnë se do t’i kthehej nëse do të zgjidhej Papë.
Pietro Parolin, 70 vjeç
Si sekretar shteti i Vatikanit nën Papën Françesku, ky kardinal italian ka qenë në praktikë zëvendësi i tij, pas 30 vitesh shërbim diplomatik nëpër botë, përfshirë Nigerinë, Meksikën dhe Venezuelën. Ai ndihmoi në lirimin e 15 marinarëve britanikë të kapur nga Irani në Gjirin Persik në vitin 2007 dhe ndihmoi Shtetet e Bashkuara në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kubën në vitin 2014. Konservatorët nuk e shohin me sy të mirë rolin e tij në marrëveshjen e Vatikanit me Pekinin për emërimin e përbashkët të ipeshkvijve në Kinë.
Luis Antonio Tagle, 67 vjeç
I njohur me nofkën “Françesku aziatik”, Tagle ishte në anën e Papës për çështjen e kungimit të të divorcuarve dhe ka bërë thirrje për trajtim më të mirë të personave homoseksualë brenda Kishës. Ai ka sugjeruar gjithashtu që lejimi i priftërinjve të martuar do të ndihmonte në zgjidhjen e mungesës së klerikëve në Filipinet e tij — diçka që me siguri do të zemërojë katolikët konservatorë. Ish-arqipeshkëv i Manilës, ai mori lavdërime në Romë kur Meshën e Françeskut në qytet në vitin 2015 e ndoqën gjashtë milionë vetë. Megjithatë, ylli i tij u zbeh në vitin 2022, kur Françesku e hoqi nga posti i presidentit të bamirësisë katolike Caritas pas raportimeve për keqmenaxhim.
Matteo Zuppi, 69 vjeç
Nëse asnjë nga kampet nuk arrin ta zgjedhë kandidatin e vet, kardinalët mund të gjejnë terren të përbashkët duke mbështetur këtë prelat italian simpatik. I konsideruar si i afërt me Françeskun, Zuppi ka arritur gjithashtu të ruajë marrëdhënie të mira me konservatorët duke lejuar Meshën Latine të kremtohet në dioqezën e Bolonjës dhe duke mos u përfshirë në debatet për të divorcuarit që marrin kungim apo për gratë në priftëri. Si kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë dhe i dërguari i posaçëm i Françeskut në Ukrainë, Zuppi është gjithashtu një lloj personazhi i njohur në Itali pas paraqitjeve në emisione televizive dhe shëtitjeve me biçikletë nëpër Bolonjë kur ishte arqipeshkëv atje. Ai është i lidhur ngushtë me Sant’Egidio, një shoqatë katolike laikësh që ndihmon migrantët, dhe ka ndihmuar në bisedimet për paqe në Mozambik dhe Sudanin e Jugut.