Pas publikimit të baladës së saj më të re “Për një dashuri”, këngëtarja e njohur shqiptare, Rovena Stefa, ka ndarë me ndjekësit disa momente ekskluzive nga prapaskenat e videoklipit që tashmë ka bërë bujë në rrjetet sociale.
Në disa fotografi të postuara në llogarinë e saj në Instagram, Rovena shfaqet mjaft e afërt me ish-banorin e “Big Brother VIP Kosova 3”, Atilla Kardesh, i cili është edhe protagonisti mashkull në klip. Dyshja duken të përqafuar, duke buzëqeshur dhe shkëmbyer shikime plot kimi, duke shtuar edhe më shumë thashethemet rreth raportit të tyre jashtë skenës.

“Dashuri dhe art në çdo detaj…”, ka shkruar Rovena në mbishkrimin që shoqëron fotot, duke e lënë hapësirë interpretimeve për ndjekësit e saj. Komentet në rrjetet sociale nuk kanë munguar, me shumë fansa që pyesin nëse marrëdhënia mes Rovena Stefës dhe Atilla Kardesh ka kaluar kufijtë e bashkëpunimit profesional. Këto spekulime janë intensifikuar veçanërisht pas afrimit të tyre gjatë qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother VIP Kosova 3”.

Megjithatë, postimi i këngëtares vjen edhe në një kohë kur prezenca e Atillës në klip është konsideruar si kontroverse nga publiku, për shkak të akuzave të mëparshme për dhunë në familje nga ish-bashkëshortja e tij, Drenusha Latifi, që, gjithashtu, ishte pjesë e “BBVK3”. Përkundër komenteve të shumta, Rovena duket e fokusuar në artin e saj dhe promovimin e projektit të ri muzikor, ndërsa ndjekësit vazhdojnë të jenë të ndarë mes mbështetjes dhe kritikës.