Gjykata e Lartë nuk ka pranuar kërkesën e kreut të PD-së, Sali Berisha, për heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Gjithashtu është rrëzuar edhe kërkesa e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Berishës, i cili kërkonte heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
“Sali Berisha- Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, kundër vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Jamarber Malltezi – Lënien në fuqi të vendimit nr. 21 (87-2025-30), datë 24.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, njofton Gjykata e Lartë.
Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, është urdhëruar që të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë SPAK, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.
Sali Berisha është nën hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.