Nga Shefqet Meko
“Dushku” Elektoral i Diasporës?!…
-Ikanakët shqiptarë dyshoj se kanë rënë në “grackë politike”-
“Nuk më ka ardhur zarfi akoma”-më tha një miku im në Lindje të Amerikës. Unë qesha lehtë.
“Do ketë humbur rrugës. Lost in the mail”-i thashë në dy gjuhë. “Jo, dua të votoj. Do shpëtoj Shqipërinë”.
“Duro. Zarfi do vijë, our Vota jote “bisht hardhuce” do jetë” – i thashë me të qeshur. Pastaj i shpjegova aftësinë përtëritëse të “bishtit të hardhucës” që sa herë e pret, po aq përtërihet…Ai u nxeh. “Ke ngelur komunist. Nuk beson tek demokracia” -më tha me inat dhe ma mbylli telefonin.
Ai e dinte se unë nuk pres zarf. Nuk dua të marr pjesë në një “çorbë votash” që kam frikë e dyshim se do të jetë një “Dushk internacional”. (Dikur, Dushku i Lushnjës, përmes një çudie elektorale “polli” disa deputetë si me magji).
“Entiziazmi për votën e ikanakëve” për mendimin tim është rrena më e sofistikuar, është “karemi” elektoral i kurrëndodhur më parë, që do ta lerë pa gjumë “shqiptarin qëndrestar”, atë që nuk iku, që qëndroi, rezistoi, ëndërroi, luftoi, krijoi, që besoi dhe mbeti më i mirë nga “ne që ikëm”. Ne e ashtuquajtura “diasporë”, ne “lesh arapi” nëpër botë, ne që ikëm “sepse na përzunë ata” ne prap do “votojmë për ata”?!..
Pse nuk patëm fuqi të thoshim “JO”? Pse nuk patëm një forum të vetëm e të thoshim “Jo. Nuk votojmë.Numuroni votën shqiptare. Kjo votë është e vërtetë”.
Ajo votë duhet qartësuar “kokën më kokërr”, çdo votë tjetër nga larg Shqipërisë më duket si “pakot e dikurshme”nga Gjermania prej “Atyre të ambasadave”…
Dhe si për ironi, SPAK dhe Komisioni i Zgjedhjeve raportojnë tek Ambasada Gjermane për ecurinë e fushatës e mbrojtjen e votës. Ku-Ku moj Nane!
“Nuk ka ardhur zarfi. Dua të votoj”- më erdhi në mendje zëri ankimor i mikut tim në bregun lindor të Amerikës.
“Ikanakët nuk duhet të kishin rënë në grackë” i them vetes si ikanak.
Sikur ato disa milion dollarë për zarfa me shërbimin më të shtrenjtë postar(DHL) të ishin pëdorur për “gardianë të votës” apo thjesht për “fondin e pensioneve” mbase do ishte më mirë.Pas 11 Majit.shqiptarët që nuk ikën, ndërsa do presin rezultatin do dëgjojnë: “Po numurojmë zarfat e diasporës… Vijon numurimi…”
Vota e Diasporës si “bishti i hardhucës”…
Do jetë pritja më ironike për votuesit e sinqertë. Dyshoj se do jetë një torturë postelektorale. Do jetë si “radhët për pako” në zyrat postare,në vitet pas Ikjes së Ambasadave…
“Voton diaspora, jo çyrykët, or tëj”.- më thotë një dibran.
Qesh. Kam një frikë se kjo lloj vote do bëhet “mollë sherri” e sherri do vijojë pa fund… Si “Dushku i Ushnjës” në vitet 2000.
Unë nuk pres zarf. Mezi pres të lexoj qartë Votën e Shqiptarëve në Shqipëri. Asaj vote i gëzohem, asaj vote i besoj e po aq i bindem.
Vota e Ikanakëve? Votë e ikur. Ikur “në drejtim të paditur”…
Shefqet Meko
Minneapolis, 25 Prill 2025