Pforzheim/Berlin – Gunther Krichbaum, deputeti i CDU-së nga Pforzheim në Bundestag, do të bëhet Ministër Shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme. Partia e bëri këtë të ditur të hënën.
Ministrat e Shtetit mbështesin Ministrin e Jashtëm në detyrat qeveritare dhe kryejnë kryesisht funksione politike. Ata kanë statusin e sekretarit të shtetit dhe mund të veprojnë në mënyrë të barabartë në marrëveshjet dhe negociatat zyrtare.
Bisedimet për koalicionin mes Unionit (CDU/CSU) dhe SPD-së janë përfunduar.
Gunther Krichbaum ka shprehur gëzim për këtë detyrë të re dhe për besimin që Friedrich Merz ka treguar ndaj tij. Sipas tij, kancelari i caktuar e ka quajtur shpesh “Fytyra e CDU-së” në politikën evropiane.
“Për herë të parë pas më shumë se 60 vjetësh, CDU do të drejtojë Ministrinë e Jashtme dhe kjo është një sfidë e madhe dhe një detyrë interesante për mua. Tani, së bashku me ministrin e ri të jashtëm, Johann Wadephul, kemi për synim të rrisim ndjeshëm peshën e Gjermanisë në Evropë. Kemi shumë punë përpara”, – deklaroi Krichbaum.
Ai shtoi gjithashtu se kjo detyrë e re nuk do të ndikojë në përkushtimin e tij ndaj rajonit dhe njerëzve të tij:
“Edhe në të ardhmen do të jem avokat i rajonit tonë në Berlin dhe do të jem në dispozicion të qytetarëve, ndërmarrjeve dhe komunave.”
Kryetari i CDU-së në landin e Baden-Württemberg, Manuel Hagel, e cilëson këtë emërim si një funksion të rëndësishëm:
“Me Gunther Krichbaum, një europian i vërtetë me zemër do të japë jetë kësaj çështjeje të rëndësishme në qeveri. Sidomos tani, kur në nivel ndërkombëtar po shtohen sinjalet për izolim, një Evropë e fortë dhe e bashkuar është më e rëndësishme se kurrë.”
Sipas Hagel, Krichbaum e njeh Evropën me gjithë larmishmërinë e saj, si dhe administratën në nivel evropian, dhe është njeriu i duhur për këtë rol të rëndësishëm.
Katja Mast, kolegia socialdemokrate e Krichbaum në Bundestag, gjithashtu e uroi:
“Sot kemi pasur edhe kontakt personal – emërimi i tij si Ministër Shteti në Ministrinë e Jashtme është një lajm i mirë edhe për rajonin tonë. Përvoja dhe përkushtimi i tij afatgjatë ndaj Evropës flasin vetë.”