Naim bej Frashëri i njohur me emrin Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900) ka qenë nëpunës dhe intelektual i Perandorisë Osmane, poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, hartues tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur’anit në gjuhë shqipe dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar shqiptar.
Shihet si nismëtari i letërsisë shqiptare dhe një nga ikonat kulturore shqiptare më ndikuese të shekullit të 19. I gjendur me pozita të larta në administratën osmane deri kur vdiq, mes të tjerash ndihmoi në nxjerrjen e lejes për Mësonjëtoren e Korçës si dhe të Gramatikës të Kristoforidhit. Naimi me vëllezërit, Abdylin dhe Samiun, u lindën në Frashër dhe më pas u shkolluan, u rritën dhe punuan në qendrat, Janinë e Stamboll. Përgjatë arsimimit dhe kultivimit të tij nxori gjuhët më të rëndësishme të realitetit të kohës, arabishten, persishten, turqishten, greqishten dhe frëngjishten.
Kësodore që prej atyre intelektualëve të mjedisit osman të shekullit të 19, që gëzonin qasje dhe vlerësonin si kulturën lindore që i rrethonte, si atë perëndimore. Kontributi i tij numëron 22 vepra të shtrira në 4 gjuhë, duke filluar me turqishten, persishten, greqishten dhe shqipen; si gramatika gjuhe, tekste divulgative shkencore, arsimore, përkthime dhe krijime origjinale. Duke parë tek besimi i tij një të mesme të lartë edhe për çështjen kombëtare shqiptare, u bë edhe autori më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe përkatësisht me veprat “Fletore e Bektashinjvet” dhe “Qerbelaja”, si veprat e para të bektashizmit shqiptar. Në tekstet mësimore që botoi gjenden edhe përkthimet e para selektive të Kur’anit në gjuhën shqipe të bëra prej tij.
I ndikuar nga xhaxhallarët, bejtexhinjtë Shahin dhe Dalip bej Frashëri, në poezinë e tij u përpoq të gërshetonte sufizmin me filozofinë perëndimore të ideve poetike. Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Duke u përnderuar që në gjallje të tij si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”, ai hodhi themelet për zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë shqipe.
SHPËRNGULJA
Lindi në fshatin Frashër, Vilajeti i Janinës (sot në rrethin e Përmetit), fëmija i katërt i Halit bej Frashërit (1797–1859) dhe Emine hanëm Myteveliu (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të Korçës. Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten osmane, arabishten dhe persishten në Teqenë e Frashërit, si Myhib Bektashi. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 bashkë me familjen e tij u shpërngulën në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.
Në “Zosimea” mori një kulturë të gjerë për kohën, u njoh me kulturat dhe letërsitë klasike, mësoi greqishten e re, greqishten e vjetër, gjuhën latine dhe gjuhën frënge. Atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng dhe veprat e Rusoit e Volterit. Vijoi të merrej privatisht me gjuhët klasike të lindjes (elsine-i selase). Në këtë periudhë u përqendrua edhe në fushat e interesit të tij jetëgjata: poetët persë dhe Iluminizmi frëng. Pasi u diplomua më 1870, më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj. Duke shpresuar të trajtonte në klimën e thatë të malësive shqiptare, prej të cilit vuante që fëmijë, u kthye në Janinë ku qëndroi dy vjet i pa zënë punë shteti. Me shpresën se do t’i përmirësohet shëndeti del shpesh në gjueti. Nisi punë si nëpunës në Berat dhe më pas qe drejtor dogane në Sarandë në vitet 1874-1877. I munduar edhe nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në llixhat e Badenit në Perandorinë Gjermane. E përjetoi rëndë vdekjen e parakohshme të vëllait Sherifit nga turbekulozi. Më 1877 u kthye në Janinë. Është i shqetësuar për fatin e Shqipërisë dhe përcjell me kujdes veprimtarinë politike të shqiptarëve në botën e huaj. Vëllai i vogël, Samiu, syrgjynoset për arsye politike në ishullin Rodos, ndërsa vëllai tjetër Tahsini ndërroi jetë nga tuberkulozi. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat.
STAMBOLLI
Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Ai u martua, ndoshta në pjesën e dytë të viteve ’70 të shek XIX, me Hatixhenë, e cila thirrej shkurtimisht Hexhe, vajza e një berberi nga Shkodra, e cila jetoi dy apo tre vjet më shumë pas ndarjes nga jeta të Naimit. Naimi dhe Hatixheja patën dy vajza, e para e quajtur Nerqeze, nuk jetoi as tre vjet, vdiq më 1881. Vajza e dytë, Nevrezi, u lind dhe u shkollua në Stamboll dhe më pas u martua me Xhafer Luarasin, dhe më pas me Shahin Kolonjën. Pas arrestimit të Abdylit në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm.
Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Kishte interes për thesarin shpirtëror të popullit shqiptar, gjë që e shtyu të punonte bashkë me vëllain rreth një fjalori të shqipes i cili do të mbetej pa botuar Në vitin 1883 nisi botimi i revistës Drita, ku në shkrimet e veta Naimi përdorte inicialet N.H.F. Pasi autoritetet osmane ndaluan shkrimin e shqipes, veprat nisën të botoheshin në Bukuresht dhe më pas në Sofie. Më 1887, me Samiun nxorën nga Porta e Lartë lejen për hapjen e një shkolle private shqipe në Korçë, ku tekstet i përgatiste Naimi. Pas 4 viteve duke lënguar, ndërroi jetë ndaj të gdhirë në orën 2 pas mesnate duke hyrë e shtuna, më 20 tetor 1900 në shtëpinë e tij në Këzëll Toprak, Kadikoy. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21 tetor 1900, në Teqen e Bektashinjve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që do të thotë: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”. Eshtrat e Naimit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25- vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë nënkoloneli Shefki Shatku, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjellur nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.
KRIJIMTARIA
Gjuhët e huaja të nxëna nga mësimet private, fillore dhe më tej përgjatë shkollimit në Janinë bënë që Naimi të ishte një shembull parësor i intelektualit osman të shekullit të XIX që ndihej njëlloj i ambientuar si me kulturën Lindore ashtu dhe Perëndimore. Si autor i gjithsej njëzetedy veprave, shkroi në katër gjuhë të ndryshme: katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe. Duke qenë se ishte në një post delikat si drejtor i këshillit të censurës në Ministrinë e Arsimit të perandorisë, me mundësi në disa raste për t’i bërë bisht ndalimit të librave dhe botimeve në shqipe nga ana e Portës së Lartë, Naimi e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e mbiemrin në shumë nga botimet e veta, por të shënonte vetëm ‘nga N.H.’, ‘nga N.H.F.’, ose ‘nga N.F.’ Më 1880 botoi poemën e parë në shqip “Shqipëria”, ku shpalli të gjitha idetë që përbëjnë trungun e veprës së tij atdhetare. Kur më 1884 e përkohshmja “Dituria” nisi të botohej në Stamboll, Naimi u nisi një varg poezish, të cilat trajtonin tema natyrore dhe shkencore në një gjuhë që fëmijët mund të kuptonin. Këto poezi u ribotuan më vonë si tekste shkollore. Nga 1885 dhe deri më 1895, pothuajse për çdo vit dilte nga shtypi në Bukuresht nga një punim i Naimit. Më 1886 botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, më tej katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para” bazuar te fabulisti frëng La Fontaine, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”. Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës).
Më 1890 doli përmbledhja e lirikave “Lulet e verës”, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe “Fjala flutarake” (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poemat epike “Istoria e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja”. Rëndësi të veçantë i dha botimit të librave për të cilët kishte nevojë shkolla shqipe. Këto poema do të shpërndaheshin në dorëshkrim mes bashkatdhetarëve të tij, pasi administrata osmane e ndaloi qarkullimin e botimeve shqip, ndërsa jashtë kufijve kishte mundësi të kufizuara botimi. Duke qenë se rreth 30 vjet të jetës do t’i kalojë në Shqipëri, Naimi do ta kuptojë mirë traditën historike, kulturore dhe kombëtare në përgjithësi kurse letërsinë popullore në veçanti.
Ndikimi i poezisë popullore në veprën e Naimit është i përvetësuar dhe shtrihet edhe në fushë të mjeteve stilistike, në fushë të strukturës rrokjesore e ritmike të vargut dhe në fushë të botëpërjetimit. Një sërë figurash në veprën e tij janë me prejardhje folklorike, në radhë të parë krahasimet. Tek botimi “Mësimet”, në pjesën Thelb’i Kuranit, Naimi ka botuar edhe të parin përkthim selektiv të Kur’anit në gjuhën shqipe. Më 1886 botoi po ashtu një tjetër vepër në gjuhën turke, një përkthim në prozë i “Iliadës” së Homerit, duke qenë edhe hera e parë që ndonjë pjesë e eposit përkthehej në gjuhën turke. Pas nja 10 vjetëve nxori edhe një variant në shqip që u botua në Bukuresht, “Iliadhë e Omeritë”
KUJTIMET
Rrëfime me copëza jete nga jeta e Sami Frashërit të treguara nga vajza e tij, e të përmbledhura në librin e gazetarit turk Hikmet Feridun Es, “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”. Zakonet e njeriut të letrave që rrethohej nga librat. Në librin “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”, me autor gazetarin turk Hikmet Feridun Es, mes personaliteteve spikat edhe enciklopedisti, dramaturgu, gjuhëtari, romancieri, përkthyesi, njeriu i rrallë për të gjitha kohërat, Sami Frashëri – apo Shemseddin Samiu, siç njihet ne historiografinë turke. Mes tyre, ai ka përcjellë për lexuesin kujtimet shumë të veçanta, treguar me shumë dashuri dhe besnikëri, nga vajza e madhe e Sami Frashërit, Samija. Gazetari thekson, se e bija ia kishte rrëfyer kujtimet për të atin, kur ishte 60-vjeçe. Kishte kujtesën e një 20-vjeçareje, thekson autori. Veç tjerash, ai potencon se Sami Frashëri kishte shumë shokë të ditur të kulturës islame, por nga pikëpamja e besimit fetar ai ishte ndarë nga ata përfundimisht, edhe pse fjala e fundit që ai ka thënë kur ndërroi jetë ishte fjala “Allah”(Perëndi).
Në shkrimet e tij, gazetari Hikmet Feridun Es, sjell nga kujtimet e Samijes: “Sami Frashërin nuk e ka shqetësuar asnjëri. Nëse hapni ngadalë derën e dhomës në katin e dytë, në fillim nuk keni për të mundur të shihni asgjë, vetëm grumbuj-grumbuj librash. Hidhni sytë dhe do t’iu dalë një kokë madhështore, tërheqëse, me një mjekër të gjatë dhe krejt të bardhë… Nën dritën e qiririt ai krijoi botën e shkencës… Deri sa të kishte lindur dielli, ai shkruante shkrimet e tij, i redaktonte ato dhe pasi i dërgonte në shtypshkronjë, shtrihej përsëri”. “Samiu ulej në një minder, i cili kishte madhësinë që mund të ulej vetëm një person, duke të kujtuar një divan të vogël. Kolltuku i tij i punës kishte disa gjëra specifike. Ishte i harkuar dhe ishte i mbuluar me një copë ngjyrë vishnje. Ulej mbi kolltuk dhe shpinën, kurrizin nuk e mbështeste në asnjë vend. Punonte vazhdimisht në një pozicion të përkulur. Letrën e kthente nga njëra anë dhe e mbështeste mbi gjunjë. Gjithashtu, në të njëjtën kohë u drejtohej librave. Për këtë kishte bërë një tavolinë me një plan të vetin, në një mënyrë të veçantë. Kjo është një tavolinë mjaft e gjatë, sirtarët e së cilës zgjateshin kur hapeshin me tërheqje të ndryshme. Mbi të qëndronin hapur libra në gjuhë të veçanta, ndonjëherë në 6-7 gjuhë të ndryshme, të cilat do t’iu duhej t’i shikonte dhe t’iu drejtohej. Kjo tavolinë gjendet tek vajza e madhe që e ruan atë ashtu siç ka qenë. Zonja Samije Erer, e cila ndodhet përballë tavolinës, thotë: ‘Për librat që ai do të lexonte, kjo tavolinë nuk ishte e mjaftueshme’”.
“Në mes të grumbujve të librave, të cilët lartësoheshin në çdo cep të dhomës, ai vetes së tij i kishte caktuar një vend, një fole. Duke kaluar përmes cepave të këtyre grumbujve librash qëndronte duke punuar trupi i tij mjaft i lehtë. Në kohën që ju hyni në dhomë, ju nuk mund të shikoni atë nga poshtë qafës. Dhe, akoma më tepër, në hapin e parë ju do të ndjeni një aromë të veçantë. Kjo aromë do të ishte ‘era e librit’, e cila do të godiste menjëherë hundën tuaj. Zonja Samije Erer, me sytë e saj të kredhur në mendime dhe të vërejtur, duke parë tavolinën në të cilën Samiu ka kaluar përballë saj gjithë jetën e tij, shton: ‘Tani, me të hapur një libër të vjetër, me të ndjerë aromën e një libri, është njësoj sikur unë ndjej erën e babait tim’”. “Ne të dy anët e tavolinës, ndodheshin dy mbështetëse. Dhe në këto qëndronin letrat e dijetarit, dorëshkrimet, boja, pena. Drita vazhdimisht vinte nga mbrapa. Për këtë ai kishte bërë rafte të posaçëm për të vendosur qiririn. Në raftin, i cili ndodhej mbrapa, qëndronte një shandan trekëndor. Kurse në mbështetëset, ne secilën prej tyre, ishte vendosur një qiri. Dijetari, sipas nevojës, i tërhiqte nga atje-këtu, djathtas-majtas. Sipas nevojës, shkonte në tavolinë për të hapur librat voluminozë me trashësi të madhe. Vendosjen e qirinjve e kishte bërë në atë mënyrë që të kryqëzoheshin në të njëjtën kohë me syrin e tij”.
“Vazhdimisht shkruante në letër me madhësi të gjatë dhe ngjyre të kaltër të errët, jo të hapur. Pjesët anësore të letrës gjithmonë i përthyente dhe i linte bosh për të bërë korrigjimet dhe shtesat e tjera të mëvonshme. Rregullisht në shkrimet e tij përdorte vetëm bojën e zezë. Mirëpo, në veprat me tre tekste, për të mos i ngatërruar ato me njëri-tjetrin, përdorte tre lloj ngjyrash – të kuqe, të kaltër dhe të gjelbër. Mirëpo, ngjyrën e kaltër nuk e ndryshoi. Penën e tij do ta përgatiste me kujdes të veçantë, përpara se të fillonte të shkruante. E përthyente, i jepte asaj një formë të hollë dhe të trashë. Ndiente kënaqësi nga përthyerja e penës. Shishja e bojës përbehej nga qelqi dhe ishte në atë formë që po të përmbysej, boja nuk derdhej dhe ishte nga lloji më i lirë”.
“Në kohën që punonte, nuk do të futej asnjëri në dhomën e tij. Mirëpo, me të mbaruar punën, ai bënte diçka të veçantë. Kur mbaronte korrigjimet, përplaste tri herë duart me njëra-tjetrën. Kjo përplasje e duarve ishte e vetmja shenjë që thërriste vajzën e madhe, Samijen Ererin. Ajo ndodhej në dhomën ngjitur me atë të Samiut. Me të dëgjuar zhurmën e duarve, vajza e re fluturonte nga krevati dhe do të vraponte pranë babait të saj. Në këtë kohë do të ishin orët më të mira të babait me vajzën, e cila kishte ngelur pa nënë që në moshën gjashtëvjeçare”. “Samiu kishte një zakon në orët e mëngjesit: të përgatiste një ponç me konjak, limon dhe çaj. Çajin e ziente me dorën e tij. ‘Babai e pinte këtë çaj, filxhan mbas filxhani’. Samiu tregonte mjaft tregime të bukura. Pastaj, vajza e re Samije, duke thënë ‘Babaxhem, Perëndia të dhëntë qetësi’, do të dilte nga dhoma, sepse dijetari i madh mbasi dërgonte dorëshkrimet në shtypshkronjë, shtrihej për të fjetur”. PANORAMA