OSBE-ODIHR ka publikuar raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, ku ndër të tjera thuhet se “mjedisi politik karakterizohet nga një shkallë e lartë polarizimi dhe mosbesimi midis dy partive kryesore”.
Sipas OSBE-ODIHR, këto zgjedhje përfaqësojnë një tjetër moment kyç për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, sidomos në kuadër të negociatave të saj të vazhdueshme për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Raporti që përfshin periudhën 1-21 prill 2025 thotë se këto zgjedhje janë një moment i rëndësishëm për vendin.

“Klima politike karakterizohet nga polarizim i thellë, përçarje brenda partive, raste të vazhdueshme korrupsioni të profilit të lartë dhe shqetësime në rritje mbi qeverisjen demokratike dhe lirinë e shprehjes.
Në të njëjtën kohë, progresi në negociatat për në BE dhe votimi për herë të parë i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit kanë qenë temat kryesore në diskursin publik.
Peizazhi politik mbetet i dominuar nga dy partitë kryesore: Partia Socialiste (PS) e Kryeministrit Edi Rama, e cila ka fituar tre zgjedhje parlamentare radhazi që nga viti 2013, dhe Partia Demokratike (PD) e opozitës, e udhëhequr aktualisht nga ish-kryeministri Sali Berisha. Megjithatë, PD ka përjetuar konflikte të brendshme të rëndësishme që kanë rezultuar në krijimin e një partie të re të ndarë, Demokratët Euroatlantikë”, thotë raporti.
Po ashtu raporti sjell në vëmendje edhe arrestimet e zyrtarëve të lartë politik, si Ilir Mera dhe Erion Veliaj, por edhe protestat e shumta të zhvilluara nga opozita.
“Në tetor 2024, ish-Presidenti Ilir Meta, udhëheqës i Partisë së Lirisë u arrestua me akuza për korrupsion. Muajin pasardhës, udhëheqësi i PD-së Sali Berisha u lirua nga arresti shtëpiak pasi akuzat kundër korrupsionit kundër tij u revokuan. Një seri protestash antiqeveritare, të cilat filluan në fund të vitit 2024 dhe vazhduan në vitin 2025, akuzuan qeverinë për korrupsion dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore. Protestat dolën gjithashtu si përgjigje ndaj arrestimeve, të cilat disa grupe opozitare i perceptuan si të motivuara politikisht. Në shkurt, Erion Veliaj, kryetari i bashkisë së Tiranës dhe një anëtar i shquar i PS-së u arrestua gjithashtu me akuza për korrupsion”