Nga Bujar Leskaj
Zgjedhjet e 11 majit dhe mbështetja e programit ekonomik të Koalicionit për Shqipërinë Madhështore përbëjnë shansin unikal për të ndryshuar për mirë vendin tonë, për të risjellë demokracinë e uzurpuar nga një kastë autokrate në pushtet, për të rifituar lirinë dhe arritur mirëqënien e dëshiruar për familjen .
Shqipëria po përballet sot me një krizë serioze dhe shumë të thellë ekonomike, të shkaktuar nga rënia e eksporteve dhe mbyllja e mijëra vendeve të punës çdo ditë. Modeli aktual ekonomik, i bazuar në konsum dhe ndërtime të pakontrolluara, ka dështuar plotësisht që të prodhojë mirëqënie të qëndrueshme për qytetarin. Në vend të mirëqënies, ky model ka prodhuar pabarazi të thekshme, humbje të shpresës dhe largim masim nga vendi të një milionë shqiptarëve në 12 vjet.
I. 11 maji-shansi që vjen një herë në jetë
11 maji përbën shansin më të madh që vjen një herë në jetë dhe u jepet shqiptarëve kudo që ndodhen. Në atdhe dhe jashtë tij. Dhe ata kanë dy rrugë.
Ose të votojnë në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe mirëqënies së familjeve të tyre, në mbrojtje të së ardhmes më të mirë për familjet dhe fëmijët e tyre, në një atdhe, në një Shqipëri ku shqiptarët të jenë të bashkuar dhe t’i japin dorën njeri-tjetrit, dhe jo ta shikojnë njeri-tjetrin si armiq në zgjedhje.
Në një vend ku punonjësit e administratës shtetërore të mos kenë frikë për vendin e punës, nëse e shprehin lirisht simpatinë e tyre për partinë apo kandidatin që dëshirojnë. Të mos kenë terror se mos opinionet e tyre i marrin vesh patronazhistët dhe i heqin nga puna, por të shprehin lirshëm mendimet e tyre për një Shqipëri madhështore dhe shtet më në fund ligjor.
Rruga e dytë është të votojnë rregjimin e autokracisë, e oligarkëve, e kapjes së Shtetit, e kusarisë, e korrupsionit, e krimit të organizuar, e shpopullimit masiv, e varfërisë dhe e antikombëtarëve.
II. Vendi ka nevojë për një vizioni të ri ekonomik!
Vendi ka nevojë për një vizioni të ri ekonomik, i cili të vendosë prodhimin vendas dhe industrinë për eksport në qendër të zhvillimit kombëtar. Ka nevojë për një program, i cili realisht të synojë kthimin e Shqipërisë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese. Një program, vizion, përgjegjësi dhe ndërgjegje kombëtare, që ta ketë seriozisht me detyrën madhore të uljes së kostos së jetesës për qytetarët dhe nxitjen e punësimit, përmes reformave fiskale, lehtësirave për bizneset dhe ndihmës së pakursyer për më nevojtarët dhe për të pamundurit.
Programi ekonomik i Aleancës së Shqipërisë Madhështore synon pikërisht mbështetjen kostante, jo me deklarata dhe parulla, për prodhimin dhe hapjen e vendeve të punës, për të patur një ekonomi që prodhon dhe krijon vende pune, duke u përqëndruar në sektorët strategjikë, si industria për eksport, bujqësia dhe energjia.
Mbështetja do të realizohet përmes lehtësirave fiskale dhe proceduriale për sipërrmarjet prodhuese dhe për ato që krijojnë vende pune.
Kemi nevojë për një ekonomi që të kthejë sytë plotësisht nga potenciali ekonomik dhe i dijeve i emigrantëve të interesuar që të kthehen në atdhe, duke u ofruar taksa zero në pesë vitet e para të aktivitetit dhe lehtësira të shumta proceduriale, sikurse i ka të tilla programi ekonomik i Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Kemi nevojë për një ekonomi me reforma të thella fiskale dhe thjeshtim të taksave, ku sipërmarrja lihet e lirë të rritet, të krijojë vende të reja pune dhe të zgjerojë aktivitetin dhe vëllimin e xhiros së saj.
Kemi nevojë për një ekonomi që krijon kushte thelbësore për tërheqjen reale të investimeve të huaja, dhe jo që i dorëzohet oligarkëve të shpurës së sektit në qeverisje. Ekonomia e Shqipërisë mund të ringrihet dhe të rritet realisht, vetëm përmes tërheqjes së investimeve të huaja prodhuese dhe kthimit në atdhe të shqiptarëve të Diasporës. Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të hapë zona të lira ekonomike dhe do të ofrojë stimuj për dixhitalizimin e kompanive shqiptare dhe përdorimin prej tyre të inteligjencës artificiale, për të rritur aftësitë dhe kapacitetet e tyre prodhuese dhe eksportuese.
xx
Vota e 11 majit do të jetë vota e shpresës së madhe dhe e ndryshimit të madh, që nis si gjëmim i revoltës dhe zhgënjimit të thellë nga brenda vendit, për t’u fuqizuar dhe shumëfishuar si ortek, përmes votës së Diasporës.