Prokuroria e Korçës më në fund ka përfunduar hetimet për ngjarjen e ndodhur më 14.06.2018, ku 18-vjeçari Antonio Karafili fillimisht u konsiderua i vetëvarur dhe më pas hetimet e thelluara nxorën në pah se ai ishte vrarë nga e dashura e tij një vit më e vogël, së bashku me 65-vjeçarin Rexhep Vathi.
Dyshohet se Antonio Karafili kishte kuptuar një raport të dyfishtë që kishte e dashura e tij me 65- vjeçarin dhe ky duket se ka qenë shkaku që të dy këta shtetas vranë 18-vjeçarin dhe e inskenuan këtë si vetëvrasje. Dy ditë më parë prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzën “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim për Kejsi Spaillarin, e cila tashmë ndodhet në Kanada.
Prokuroria në 7 vjet ka mbledhur prova të mjaftueshme dhe deklarime në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa duket se inskenimit për vetëvrasje i erdhi fundi nga akti i ekspertimit që gjeti materiale biologjike të Kejsi Spahillarit në çarçafin që ishte përdorur për varjen e të ndjerit Antonio Karafili.
DEKLARIMI DYSHUES
Një nga deklarimet që ka shtuar dyshimet që ngjarja nuk ka qenë vetëvrasje, por vrasje, ka qenë mënyra sesi Kejsi Spaillari ka proceduar në momentet e para të ngjarjes. Sipas dosjes hetimore ka qenë vetë vajza që ka pasur kontakt me të ndjerin dhe Spaillari ka shkuar në Korçë dhe ka marrë nënën dhe vëllain e Antonios dhe i ka drejtuar në një rrugë që të çon drejt pyllit të Voskopojës, në vendin ku gjendej trupi i pajetë i 18- vjeçarit.
Aty në një gjendje të rënduar, iu ka thënë familjarëve të Antonios; “Ja ku e keni!”, ky fakt mbështetet në dosjen e prokurorisë, nga deklarimet e të pranishmëve. Gjithashtu, ka qenë vetë e reja, e cila ka treguar se atë ditë ata ishin grindur, sepse viktima dyshonte tek një raport i dyfishtë që e reja mund të kishte. Njëkohësisht e reja ka dhënë indicie në deklarime apo biseda të ndryshme, që ngjarja nuk ka qenë vetëvrasje, por një vrasje. Në një bisedë me të ëmën e viktimës, e cila zbardhet në dosjen e prokurorisë Kejsi Spahillari pranon që Antonio Karafili është vrarë duke implikuar xhaxhain e saj.
“Shtetasja Stefani Karafili (Nëna e viktimës) i thotë Kejsit se s’kishte si të ndodhte që Antonio të vetëvritej dhe e pyet Kejsin se si e gjykon ajo. Kejsi i përgjigjet se vetë Antonio nuk e ka bërë, por edhe tek Miloja dyshon”, shkruhet në dosjen e prokurorisë.
Gjithashtu, ka qenë vetë e reja që ka regjistruar një bisedë audio, me 65- vjeçarin Rexhep Vathi, ku ky i fundit i thotë të resë “Ti Kejsi duhet të frenohesh kushdo të të thërrasë, civil, polic nuk e di… Ruaje veten”, gjithashtu, Rexhepi e pyet Kejsin se ku e gjeti Antonio çarçafin, por nga regjistrimet nuk dëgjohet përgjigjja e saj.
Ndërkaq ka qenë 65-vjeçari që ka këshilluar Kejsi Spaillarin për të shkuar në Gjermani apo Francë për dy-tre vjet. Një tjetër element që del nga dosja hetimore, është një mesazh shumë i dyshimtë duket se është anashkaluar nga hetuesit dhe nga i cili mund të përfitoheshin informacione të vlefshme për hetimin.
Bëhet fjalë për një denoncim në platformën “Komisariati Digjital”, të vajtur në orën 17:59, ku një qytetar anonim sipas dosjes së prokurorisë shkruhet që “Antonio Karafili vritet me armë”, me subjektin e mesazhit “Një Plerë”.
PJESË NGA DOSJA
Nga Platforma e Komisariatit Dixhital ishte vëne në dispozicion kopje e raportimit, nga rezulton se tek përshkrimi shkruhet “Një plerë”, tek informacioni shtesë “Andon Karafili vritet me armë”, qyteti “KORCE, pajisja e raportimi “iphone”, adresa “Ko”.
Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me shkresën nr.2953/1 prot., datë 22.03.2019 bëhet me dije se rezulton se raportimi është bërë nga një pajisje e platformës iOS-Iphone dhe nuk rezultojnë të dhëna të tjera. Por hetimet nuk arritën të nxirrnin asnjëherë kush ishte personi që dërgoi këtë mesazh, pasi të dhënat elektronike ishin fshirë automatikisht brenda afatit, pa mundësi rikthimi.
Për shkak të veprimeve hetimore të ngadalta dhe që ishin orientuar tek vetëvrasja. Siç bëhet e ditur nga hetimet, rezulton që në vetëm në orën 22:37 SPZ-ja ka konstatuar të vetëvarur shtetasin Antonio Karafili, vetëm pasi ka marrë njoftimin nga të afërmit e viktimës, pra mesazhi, i cili ka mbetur enigmë, korrespondon me kohën reale të ndodhjes së ngjarjes.