I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, kreu i Euroatlantikëve, Lulzim Basha, prezantoi qëndrimet e tij në lidhje me fushatën elektorale, programin për rininë dhe luftën kundër korrupsionit.
” Në qoftë se do të flasim për diçka që mungon në ofertën e ‘gatuar’ me nxitim nga partitë e tjera është programi ynë për rininë.
I gjithë programi ynë është shpalosur më 1 qershor të vitit të kaluar dhe kritikat atëherë thanë do jua kopjojnë dhe sigurisht kalojnë etapat e censurës, përqeshjes, sulmit ndaj objektivave të programit tonë dhe kopjimit.
Ajo që nuk kanë arritur të kopjojnë është thelbi i programit, i cili është që gjithçka fillon me luftën kundër korrupsionit.
Shqipëria i ka paratë. Vjet qeveria Rama ka harxhuar 7.2 milijard euro dhe nuk gjeti 400 milion euro për rritjen e pensioneve. I premton tani në prag të fushatave.
Nuk gjeti para për të financuar fermerin shqiptar, nuk gjeti para për të financuar rininë shqiptare, sipërmarrësin shqiptar. Pse? Sepse paratë shkuan tek 313, tek shokët e Edi Ramës, në burg për korrupsion, për vjedhje me vlera astronomike, milijarda euro që kapen vit për vit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ndaj ajo që na diferencon është që jemi e vetmja forcë politike që jo thjesht me retorikë, por me vepra e kemi treguar se prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit, mbështetja e 100% e strukturës së posacme antikorrupsion dhe kjo na diferencon sepse vota për numrin 5 në datën 11 është votë për të hapur dyert e qelisë për Erion Veliajn dhe për të korruptuarit e tjerë që ndodhen aty, vota për numrin 1 fatkeqësisht është votë për të hapur dyert e qelisë për Ilir Metën. E vetmja votë që realisht shkon për luftë kundër korrupsionit është vota për nr 4, koalicioni Euroatlantik“, thotë ndër të tjera Basha.