HomeKronikeDaljet e reja në pension, procedura dhe mënyra e përllogaritjes së vlerës!...

Daljet e reja në pension, procedura dhe mënyra e përllogaritjes së vlerës! Eksperti zbërthen ligjin e ri për njohjen e viteve të punës

spot_img

Duke filluar nga data 13 mars 2025, zyrat e Sigurimeve Shoqërore kanë filluar të zbatojnë ligjin e ri për njohjen e viteve të punës, duke konsideruar automatikisht të gjitha vitet e punës në ish-kooperativa, ndërmarrje bujqësore apo shtetërore.

Por, nëse një person i siguruar ka periudha vjetërsie në punë më të favorshme, ka të drejtën të zgjedhë midis ligjit aktual 7703 apo atij të miratuar së fundmi. Të gjitha këto detaje mbi mënyrën se si do implementohet ligji, procedura dhe përllogaritja e masës së pensionit i jep eksperti i pensioneve, Riza Ashimi.

Sipas tij, nëse një person i siguruar në punë ka periudha vjetërsie në punë të vështira, siç janë punëtorët e minierave nëntokë dhe traktoristët që kanë një pagë referuese më të lartë nga sa parashikon ligji, çdo person i siguruar ka të drejtë të zgjedhë pensionin më të favorshëm për të. Por ajo çka është më e rëndësishme, asnjë vit pune nuk do të humbasë. Veçanërisht, ata që kanë dalë në punë që 14 vjeç.

“Nuk janë periudha të munguara, pasi kjo kohëzgjatje nga 14 deri në 18 vjeç nuk do të refuzohet si periudhë pune dhe nuk do të mungojë në përllogaritjen e vjetërsisë në punë për çdo person të siguruar. Nëse ai ka qenë i siguruar në ish-kooperativa apo ish-ndërmarrje shtetërore dhe bujqësore, kjo periudhë do të përllogaritet sipas dokumentacionit të dorëzuar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, sipas regjistrit dhe me letra, listëpagesave apo dokumentacioneve të tjera në atë periudhë edhe për atë periudhë”, – sqaron Ashimi.

KUSHTET PËR NJOHJEN E VITEVE

Çdo vit përllogariten mbi 20 mijë persona, të cilët mbushin moshën për pension. Me ligjin e ri, si procedura dhe dosja është më pak voluminoze dhe e lehtësuar, ndërkohë që ka edhe facilitete e përfitime të tjera. “Janë lehtësuar si aplikimi dhe dokumentacioni që duhet të dorëzojë. Çdo person i siguruar veç njohjes së periudhave të sigurimit ka dhe një favorizim në lidhje me llogaritjen e masës fillestare të pensionit.

Nëse një person i siguruar ka qenë i punësuar në një ndërmarrje shtetërore në një detyrë si mekanik, elektrik apo pozicione të tjera pune për të cilat deri më sot zbatonim ligjin për pagat referuese, tashmë e gjithë periudhat nga mosha 18 vjeç do të njihet si përvojë pune në të gjitha ndërmarrjet shtetërore të asaj kohe e pagë referuese 3288 lekë. Dhe kjo rrit masën fillestare të pensionit, duke llogaritur një pagë më të lartë të pensionit në krahasim me pagat paga marsit të këtij viti”. Por në këtë pikë duhet pasur kujdes, pasi kjo masë pensioni llogaritet vetëm për ata të siguruar që kanë banuar në qytet.

Ndërsa për të gjithë personat e siguruar që kanë qenë në fshat do të merret si pagë referuese 1619 lekë, si punëtorët e ish-kooperativave bujqësore. Por me çfarë koeficienti do llogariten këto paga? Eksperti Ashimi vë në dukje se krahas ligjit të ri, ai i vjetri, ligji në fuqi 7703, nuk është shfuqizuar. E rrjedhimisht, mënyra e llogaritjes së pensionit nuk ka ndryshuar. “Mënyra e llogaritjes së masës së pensionit do të jetë e njëjtë dhe gjithë pagat referuese për gjithë personat e siguruar me banim në qytet do të indeksohen me të njëjtin koeficient për llogaritjen e masës fillestare të pensionit. Nuk do të ketë asnjë ndryshim në tabelën e koeficienteve për efekt të llogaritjes së masës së pensionit”, – deklaron eksperti, duke shtuar më tej se vendimi me koeficientet do të jetë i pandryshueshëm deri në miratimin e vendimit të radhës të Këshillit të Ministrave.

DIFERENCIMI NË PENSIONE

Diferencimi midis pagës referuese sipas pozicionit të punës ka një rritje në masën fillestare të pensionit për një person të siguruar që ka 38 vjet e 8 muaj, aq sa kërkon ligji për të përfituar një pension të plotë pleqërie. Diferencimi në pensione është mbi 2355 lekë vetëm nga ndryshimi i llogaritjes së pagës referuese. Llogaritja e masës fillestare të pensionit do të ndikojë edhe pagat mbi të cilat janë paguar kontributet pas 1 janarit 1994 e në vazhdim.

“Sa më të larta të jenë pagat mbi të cilat janë paguar kontributet ose baza e vlerësueshme, aq më e lartë do jetë masa fillestare e pensionit. Kuptohet që edhe diferencimi do jetë edhe më i lartë. Gjithë periudha e vjetërsisë në punë nëse gjatë kësaj periudhe kanë punuar në punë të vështira që kanë një pagë referuese më të lartë se të tjerat, për ato vite pune, ata qytetarë nuk kanë përse të kërkojnë të llogarisin gjithë periudhën me ligjin nr.7, por duhet ta ndajnë duke zgjedhur pagën që kanë më të favorizuar për të rritur pagën e vlerësueshme dhe masën fillestare të pensionit”, – shpjegon eksperti Ashimi./Gazeta Panorama 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular