Albert Kojku është kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit në qarkun Dibër. Me mbi 20 vite përvojë në arsim, teknologji dhe administratë publike, ai shprehet se synon të sjellë në Kuvend një zë të arsyes dhe një vizion të ri për Dibrën. Thekson se mungesa e dialogut dhe ndarjet për interesa personale e kanë lënë PD-në të përçarë dhe të larguar nga qytetarët. Në këtë kontekst, ai nuk e sheh veten si përfaqësues të ndonjë grupimi, por si zë të atyre që nuk janë ndjerë të përfaqësuar. Ai shprehet se kandidimi i tij nuk ka për qëllim ndarjen e votave opozitare, por ofrimin e një alternative të bazuar në parime dhe vizion. Qeverisjen 12-vjeçare të Edi Ramës, e konsideron si të pafuqishme për zhvillimin e Dibrës. Sipas tij, mungesa e investimeve në infrastrukturë dhe ekonomi e ka lënë rajonin në një gjendje të vështirë.
1. Mbase kjo është një pyetje klishe, por mund të na tregoni shkurt për veten dhe lidhjen tuaj me Dibrën?
Unë jam Albert Kojku, lindur e rritur në fshatin Zimur të Dibrës. Këtu kam ndërtuar jetën, familjen, karrierën. Ekspert në Menaxhimin e Sistemeve të Informacionit. Kam mbi 20 vite përvojë në arsim, teknologji dhe administratë publike. Aktualisht jam pedagog dhe doktorant në fushën e sigurisë kibernetike. Dibra më ka formuar dhe më ka frymëzuar ndaj dhe sot, dua ta përfaqësoj me përkushtim në Kuvend.
2. Jeni një demokrat i hershëm, tani në krah të euroatlantikëve të Lulzim Bashës. Pse nuk u rikthyet me grupimin e Berishës si shumë të tjerë?
Sepse nuk i kam ndërruar bindjet. Kam qëndruar aty ku më thërret ndërgjegjja, pranë vlerave që besoj: euroatlantizmit, shtetit ligjor, politikës me vizion. Nuk ndjek individë, ndjek parime. Për mua, politika nuk është lojë pushteti, por mision për të shërbyer.
3. Si e shihni këtë fushatë? A ka opozita shanse përballë një mazhorance të bërë bllok?
Fushata është më shumë se garë, është provë karakteri. Unë jam këtu për të ofruar një opozitë që flet me zë të arsyes, që nuk nxit thjesht zemërim, por ofron shpresë. Koalicioni ynë, Euroatlantik është alternativë reale. Po, nëse jemi të bashkuar dhe të sinqertë, mund të rikthejmë besimin tek politika.
4. A ju është ofruar ndonjë bashkëpunim nga grupi i Berishës apo aleatët e tij?
Po, ka pasur tentativa. Por nuk kam lëkundur bindjet. Nuk jam në këtë garë për poste apo pazare por për parime. E kam ndarë mendjen të qëndroj aty ku ndjej se po bëj gjënë e duhur.
5. Një kritikë për Bashën dhe Berishën për gjendjen e Partisë Demokratike?
Të dy kanë përgjegjësi. Mungesa e reformimit dhe mungesa e dialogut e kanë lënë PD-në të përçarë. Opozita duhet të ishte bërë më moderne, më e bashkuar në vlera, jo e ndarë në interesa personale.
6. Për një mandat në Dibër duhen rreth 10, 000 vota, këtu duke shtuar edhe gjasat për votën nga diaspora. Disa mendojnë se kandidimi juaj thjesht ndan votat. Si i përgjigjeni kësaj?
Kujtoj se në zgjedhjet e vitit 2021, mandati i pestë u fitua me 7,255 vota. Duke qenë se Koalicioni Euroatlantik është me lista të hapura shancet më të mëdha janë që mandati i pestë të jetë i yni. Nuk kam hyrë në këtë garë për të ndarë askënd, por për të përfaqësuar ata që nuk janë ndjerë të përfaqësuar. Nuk i marr votat nga asnjëri, u flas qytetarëve që kërkojnë diçka ndryshe. Kam një vizion të qartë për Dibrën dhe nëse ai lexohet drejt, çdo votë për mua është investim në ndryshim.
7. Jetoni në Peshkopi, vini nga arsimi. Nëse merrni mandatin, si do të jetë marrëdhënia juaj me qytetarët?
Do jem gjithmonë i pranishëm. Nuk dua të jem një deputet që shihet vetëm në zgjedhje. Jam mësuar të jem mes njerëzve, t’i dëgjoj dhe të bashkëpunoj me ta. Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur (pa dallim partiak), ashtu si edhe telefoni im.
8. Çfarë i ka munguar përfaqësimit të Dibrës në Kuvend?
Mbi të gjitha, i ka munguar një lidhje e sinqertë me njerëzit. Edhe një vizion i bazuar në dije, jo vetëm në retorikë. Unë vij nga fusha konkrete, arsimi dhe teknologjia, dhe kam një plan të qartë për zhvillimin e zonës. Jo premtime, por punë të matshme. Dibra nuk ka nevojë për premtime por për zhvillim.
9. Si i vlerësoni këto 12 vite të qeverisjes së Ramës, veçanërisht në Dibër?
Shumë fjalë, pak vepra. Dibra ka mbetur mbrapa në shumë drejtime; rrugët, fermerët, të rinjtë, të gjitha janë lënë pas dore. Ndaj edhe vendimi im për të kandiduar është: për të sjellë një alternativë të ndershme dhe të realizueshme për këtë vend që e dua shumë.
10. Cilat do të jenë prioritetet tuaja në Kuvend, nëse fitoni?
Do të fokusohem te katër shtylla kryesore:
Arsimi dhe teknologjia; ngritje e qendrave arsimore dhe profesionale. Bujqësia; investime në sistemin vaditës dhe në përpunimin e prodhimeve. Blegtoria; subvencione dhe ndihmë për të çuar produktet në treg. Turizmi; ligje që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe arsim profesional në këtë drejtim.
11. Pse votuesit duhet t’ju besojnë juve dhe jo dikujt tjetër në listën e Lulzim Bashës?
Të gjithë kandidatët e listës së Koalicionit Euroatlantik janë njerëz me integritet, profesionistë të respektuar dhe të angazhuar në komunitetet e tyre. Secili prej tyre përfaqëson vlera dhe përvojë që e bëjnë këtë listë të denjë për besimin e elektoratit. Unë vetë vij nga jeta reale nga arsimi, nga shërbimi publik, nga puna me njerëzit. Kam ndërtuar gjithçka me përkushtim dhe ndershmëri, jo mbi premtime boshe apo llogari politike. Votën nuk e kërkoj për karrige, por për të qenë në shërbim të Dibrës dhe të qytetarëve të saj.
12. Si ju duket lista e PS në Dibër? Ka prurje të reja, apo gjithçka bazohet te pushteti?
Lista e PS-së vazhdon të mbështetet te pushteti, jo te merita. Njerëzit janë lodhur nga emra të komanduar nga lart. Ata kërkojnë zgjidhje reale, jo thjesht emra që ndryshojnë çdo katër vjet.
13. Nëse nuk fitoni, do të ktheheni në PD në të ardhmen?
Nuk jam futur në këtë rrugë për të bërë lëvizje taktike. Kam zgjedhur një linjë të qartë politike, që përfaqëson vlerat e mia. E ardhmja ime do të jetë gjithmonë aty ku ndjej se po kontribuoj ndershmërisht.
14. Një thirrje e fundit për votuesit?
Të dashur bashkëqytetarë, Sot ju drejtohem si njëri prej jush, jo si politikan. Dibra meriton më shumë, dhe unë besoj se bashkë mund ta ndërtojmë këtë të ardhme. Nuk premtoj mrekulli, por sinqeritet, përkushtim dhe punë të ndershme. Ju ftoj të bëheni pjesë e këtij ndryshimi. Vota juaj është zëri juaj le të jetë një zë që kërkon dinjitet, zhvillim dhe përfaqësim të vërtetë. Unë jam gati të jem zëri juaj në Kuvend. Uroj të jeni gati të jeni zëri i ndryshimit në 11 Maj 2025. marre nga bulqizaime.al