Nga Dashnor Kaloçi/Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
PROCES-VERBALET E MARRJES NË PYETJE TË HAMIT ARFIF MYRTJA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU, TETOR 1976
PROÇES-VERBAL
U rimor në pyetje i pandehuri Hamit Myrto dhe tha: “Kur unë isha në Titograd dhe që më morën në pyetje ata dy civilët e fundit, si pyetje ata vazhdimisht e me përsëritje më bënin presion, duke më thënë se; na trego se çfarë di ti për gjendjen në Shqipëri, se neve ndryshe do të kthejmë në Shqipëri. Ata më thoshin se qeveria shqiptare ka kërkuar dhe kërkon me këmbëngulje kthimin tënd në Shqipëri, po të kthyem neve andej, ti ke bërë krime dhe ata me siguri do të pushkatojnë. Unë u jam përgjigjur duke u thënë se, unë tjetër gjë nuk kam dijeni përveç atyre që unë kam treguar. Ata më premtonin se nuk do të kthejmë në Shqipëri, do të sigurojmë punë dhe banim këtu në Jugosllavi.
Disa herë më thoshin në këtë mënyrë, por unë u kam thënë se tjetër nuk kam dijeni. Ata insistonin e më pyesnin për vendosjen e bazave të raketave, por unë nuk u thashë se nuk dija. Më thanë për letrat që janë hedhur në Shkodër kundër Partisë Komuniste Shqiptare, unë kisha dëgjuar në fakt se janë hedhur të tilla, por atyre u thashë se nuk e di. Dhe nuk kam nënshkruar asnjë dokument nga ato që përpilonin me thëniet e mija. Unë u kam thënë atyre se firmë nuk vë në asnjë dokument që bëni, se pse nuk e di se çfarë është shkruar në të, ata më thoshin se këto na lypen për dokumenta, prandaj thëniet tënde nënshkruaji. Kur ata më bënin presion se do të çojmë në Shqipëri, se sa të qëndroni këtu, se pse gruaja dhe fëmijët t’u mbytën dhe tash nuk të lypet jeta ma.
Harrova të them se ata që më pyesnin, më kërkonin me këmbëngulje numrin e raketave, por unë i kam parë vetëm në parakalim në Tiranë dhe asgjëkundi tjetër, pra nuk di edhe sot se ku janë vendosur raketat. Më pyetën gjithashtu edhe nëse ka grupe të tjera në Shqipëri që janë kundër Partisë, por unë nuk dija të tilla dhe u kam thënë se nuk kam dijeni.
Procesin e lexova dhe e nënshkrova.
I pandehuri H e t u e s i
Hamit Myrtja Jake Tefiku
DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN PËR EKSPERTIZËN E LETRËS SË HAMIT ARIF MYRTO, NGA EKSPERTI GJOLEK YMERI, QË IU GJET NË SHTËPI, TË CILËN AI E KISHTE LËNË NË ADRESË TË ENVER HOXHËS
V E N D I M
Për kryerjen e ekspertimit
Në qytetin Shkodër, më 15.10.1976, Unë Jake Tefiku, hetues i Degës së Punëve të Brendshme, mbasi studiova materialin rreth çështjes së tradhtisë, terrorit dhe propagandës armiqësore, që bën fjalë për Hamit Arif Myrtja.
K O N S T A T O V A
Se në orët e vona të natës së 31 gushtit 1976, i pandehuri Hamit Myrto, pasi kishte bërë përgatitje e mëparshme për t’u arratisur, niset dhe shkon në qendrën e Peshkimit, për të marrë lundër. Aty pasi vravi rojën e Peshkimit, Fadil Rrezian, mori lundrën dhe u arratis familjarisht për në Jugosllavi. Para se ay të arratisej, ka shkruar një letër, me përmbajtje armiqësore kundër Partisë dhe Pushtetit.
V E N D O S A
Të bëj ekspertim për këtë çështje, duke thirrur si ekspert, oficerin Gjolek Ymerin. Ai do të japë përgjigje me këto pyetje:
- Nëse është shkruar ose jo nga dora e Hamit Myrtos?
- Konkluzioni të na jepet me shkrim, duke na kthyer edhe origjinalin.
Kam qejf që këtë letër me zarf që kam shkruar, t’ja dërgoni Enver Hoxhës.
Këtë letër po e baj sa për dijeni, këtë gja nuk e kam ba për qejf, por nga halli, jam qysh në moshën 12 vjeç në punë dhe sot mezi kam fitue me majt vedin dhe fëmijët në këtë shtëpi që e shifni nuk jetojnë thitë, e jo njerëzit, më ka dalë goja mbrapsht, tuj ba kërkesa, si ndërmarrjes, po ashtu dhe Komitetit, ja kam qa hallet, por më kanë konsiderue si Jugosllav, prandaj unë mbasi jam Jugosllav, po shkoj në Jugosllavi.
Në vitin 1969, më duket se në muaj të dhjetorit, i jam drejtue Komitetit Qendror për ankesat e shtëpisë, më nisën te Agime Kapisyzi, dhe ajo më tha se pse ke shku në Tiranë, nuk të jap shtëpi, me sa kuptova, sekretarja e Komitetit Qendror donte sa për me më largue, prandaj qysh atëhere, s’jam aspak i kënaqur. Kur vjen puna me u djeg, thojnë se s’dina gja?
Prandaj juve dhe drejtori i N.I.Sh. Peshkimit, Thoma Liti, na thotë që jeni peshkatar, punoni dhe mbroni. Kur drejtori Thoma Liti dhe shoku Eljaz Laçi, që ishte sekretar partie, kur ju qajsha hallin, dhe kur e shtrojsha në kolektiv, si drejtori dhe shoku Eljaz, e shokët e punës, ma merrshin dhe u zgërdhishin, kur u dëftojsha se jam ngushtë, 5 vetë në tre metra vend, mobiliet m’u kalbën poshtë në bodrum.
Atëhere unë të rri i kënaqur me këto, dhe vjet në kokë të vet drejtori, uli çmimin e peshkut dhe sivjet e ulën një pesëmbëdhjet ditësh që e kena ba llogari, peshku i mirë dhe i keq, të dyja bashkë, më ka ra mesatarja 3 lekë e një çerek, vjet pa peshkun e mirë, i keqi më ka ba 7 lekë, prandaj kjo është me të rrjep, me të hjek lëkurën, kështu nuk ka si të dojë populli Partinë Komuniste, mbas pesëmbëdhjetë vjetëve në ndërmarrje, ka ra shkurtimi si në fabrikën e cigareve, punëtorit 18 vjet punë, mirë shkurtimi atëhere si ishte kënaqur ajo me aksione, thojnë se shkojnë vetë punonjësit, jo, s’asht e vërtetë, i çojnë me dajak me zor, kjo është sa me rrejt botën në televizion.
Që kena punë boll. Tash gjashtë vjet e kam gruan pa punë. Vetëm në Tulla dhe në fermë me 50 lekë të vjetra në ditë, a thue është në gjendje ajo me jetue me 1000 lekë të vjetra?! Prandaj punëtori tuj ulë kategorinë, nga e shtata në të gjashtën, atij në vend që me ja çue, përkundrazi, me ja ulë, popullin në rasë nuk e ke, e thotë me za me za, mor nuk të don me 2500 lekë në pesëmbëdhjetëditësh, ose 3000, s’mujtë të jetoj. Prandaj kufijtë me gardhe i rrethon Shqipëria dhe jo Jugosllavia, ba me ken lirshëm si në shtete të tjera, edhe 15 vjet ata kishin ndejt, prandaj Enver Hoxha, shokët tuej, Beqir Balluku, Petrit Dumja, Rrahman Parllaku etj., të tradhëtuen vëllezërit e tue. Se edhe ata e kanë kuptue se nuk jetohet kështu. Asht jetë fukarash, jetë mizore.
D.V. Hamit Arif Myrtja
Sekretarja e Hetuesisë
Afërdita Kruja
AKT-EKSPERTIMI I LETRËS SË HAMIT ARIF MYRTAJ DËRGUAR ENVER HOXHËS, NGA ANA E EKSPERTIT GJOLEK YMERI, MË 27 TETOR 1976
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Shkodër, më 27.10.1976
DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Laboratori Kriminalistik”
Akt-Nr. 48
Mbi ekspertimin grafik të një letre
Me vendimin datë 15.10.1976, të hetuesit Jake Tefiku, na është dërguar një letër me përmbajtje armiqësore, si objekt i ekspertimit si dhe një dorëshkrimi të Hamit Myrtos.
Nga ekspertimi kërkohet: 1. Nëse letra me përmbajtje armiqësore, objekt i këtij ekspertimi, është e shkruar ose jo prej Hamit Myrtos.
Këqyrja dhe ekzaminimi kriminalistik
Materiali objekt i këtij ekspertimi, është një letër e shkruar në katër faqe, letër e zakonshme me vija, është shkruar me stilolaps me ngjyrë violente, ajo fillon me fjalët: “Këtë letër po jua lej sa për dijeni”, dhe përfundon në fundin e faqes së katërt me fjalët: “Ashtë jetë fukarenj mizore: D.V. Hamit Myrtja”.
Materiali objekt i këtij ekspertimi, është i shkruar me shkrim të lirë të zakonshëm, me dorë dhe nga studimi i bërë, rezulton se ka mjaft elementë të përgjithshëm dhe të veçantë për ta përcaktuar autori i këtij dorëshkrimi. Shenjat e përgjithshme të tij, është shkrim i pa arrirë, me përzierje, pjerrësia e tij është përzier, është shkrim i pa arrirë. Shenjat topografike të tij janë, fusha e shtrirjes së tij, ka fushë të zezë, shkrim i shkruar sipër vijës dhe nën vijë, me shtrirje të zgjatur.
Shenjat e imta të tij janë: fillim e mbarim vije të bërë zakon, shkëputje dhe ndërprerje të fjalive, të bëra zakon, si midis rreshtave, ashtu dhe midis fjalive. Veçoritë e drejtimit të lëvizjeve të disa germave gjatë lidhjeve me elementë të shkrimit, janë si te germat me gjysmë ovale, si; “q, a, c, ë, e, d, p”, e tjera, janë me hedhje nga e djathta në të majtë, dhe me zgjatje të elementëve plotësues të tyre.
Dorëshkrimi mostra krahasimi, me paraqitjen e disa rreshtave të shkruara në fund të një letre që mban datën 13.5.1976 nga Hamit Myrtja me stilograf, i cili mbasi u studiua, rezulton se është i bollshëm për t’u krahasuar dhe elementëve të përbashkët me atë të dorëshkrimit objekt i këtij ekspertimi. Këto janë si të elementëve të përgjithshme, ashtu dhe të veçanta.
I mbështetur në të dhënat e mësipërme, si dhe me tabelat e dedikimeve të dorëshkrimeve ekspertimeve grafike, na jepet e drejta të arrijmë në këto:
K O N K L U Z I O N E
Letra me përmbajtje armiqësore, objekt i këtij ekspertimi, e gjendur në banesën e Hamit Myrtos, është shkruar nga vetë Hamit Arif Myrtja.
V.O. Së bashku ja kthejmë materialet e ekspertuar.
Eksperti Kriminalist
Gjolek Ymeri
Lutje Datë 13.5.76
Unë i quejtuni Hamit Aarif Myrtja, lindun në fshatin Shirokë, banues në lagjen “Partizani” Shkodër, me profesion peshkatar, i datëlindjes 1944, i martuem me 3 fëmijë, gjithsej vetë i pesti.
Vendi ku banoj unë, gjendet në një kuzhinë dy me dy e gjysëm, në ndërtesën e Hanit të Sadokalit.
Nga ana e pushtetit në lagje dhe nga vendi i punës ku punoj, kanë verifikue vendin se ku banoj, për këtë janë në dijeni, lagja më ka kthye përgjigje dhe më kanë thanë se nuk kemi kontingjent, kur të na vinë kontingjent, do ta shikojmë punën tuej, kurse ndërmarrja jonë e Peshkimit, nuk kanë banesa për strehim.
Të gjitha plaçkat e mija personale i kam të shpërndara nëpër kojshi dhe një pjesë e mobilieve po më dëmtohen nga lagështira, që i kam në një bodrum. Po i drejtohem Këshillit Popullor, se vendi ku banoj unë, nuk ashtë në kushte higjienike, janë kalbur dërrasat dhe trenët, besoj se kërkesa që po ju drejtohem, duhet të merret parasysh, duke parë nevojën time se ku banoj.
Me nderime dhe respekt
Hamit Arifi
Kjo asht sa për dijeni, kopja e letrës që ja kam çu Komitetit
V E N D I M
PËR KRYERJEN E EKSPERTIMIT
Në qytetin Shkodër, më datë 28.10.1976, unë Jake Tefiku, hetues në Degën e Punëve të Brendshme, mbasi studiova materialin rreth çështjes së të pandehurit Hamit Arif Myrtja, që bën fjalë për krimet e propagandës armiqësore e terrorit e tradhtisë ndaj atdheut.
K O N S T A T O V A
Se i lartpërmenduri është akuzuar se ka zhvilluar veprimtari armiqësore që konstaton në propagandë, në kryerjen e veprës së terrorit ndaj personit zyrtar, si dhe ka kryer veprën e tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit. Gjate hetimit të tij në hetuesi ditët e fundit, ka dhënë shenja të një krize e një turbullimi të çastit të cilën e ka shoqëruar me dhimbje koke e të qara. Me qëllim që të shikohet nëse është i përgjegjshëm për veprat e kryera.
V E N D O S A
Të bëj ekspertimin për këtë çështje duke thirrur si ekspert, mjekun e Spitalit Civil Shkodër, Sandër Ashta, i cili do japë përgjigje në këto pyetje:
- Nga cila sëmundje vuan i pandehuri Hamit Arif Myrtja?
- A është i përgjegjshëm për veprat e kryera?
- Konkluzionet të na jepen me shkrim. Memorie.al
HETUESI
Jake Tefiku