Kryeministri Edi Rama zgjodhi Fierin si takimin e fundit elektoral për sot.
Rama: Është një det kuqezi dhe s’ka si të jetë ndryshe sepse Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, Fieri është kryeqyteti i socialistëve. Kur kemi nisur këtë rrugë së bashku, ky shesh nuk ekzistonte. Gjanica e bllokuar që mblidhte plehrat dhe që derdhte llumrat në rrugët e Fierit. Ashtu sikundër ne e kthyem Gjanicën nga një plagë në një vlerë dhe në një kartolinë krenarie për këtë qytet ashtu në e kthyem organizmin e Shqipërisë nga një plagë e hapur në një emër që na bën krenar kudo ku shkojmë në botë. Nuk e ulim më kokën, nuk kemi më zor të themi ‘jam shqiptar’. Nuk kemi më asnjë vështirësi, përkundrazi, jemi të kënaqur të tregojmë për vendin tonë sepse gjithmonë e më shumë njerëz nga Europa dhe bota vijnë në vendin tonë. Në këto vite ne kemi bërë shumë gjëra, por gjëja e gjërave ka qenë dinjiteti që i kemi dhënë flamurit kuqezi, të cilin deri dje e valëvisnim me krenari në stadiume, por nuk shikonim të qëndronte mes familjeve të tjerë. E ngjitëm flamurin shqiptar në ato maja ku mblidhet bota. Europa, ku mblidhen ata që marrin vendime. Madje disa herë ky flamur ishte flamuri që udhëhoqi tryeza të mëdha ndërkombëtare.